A fshehu Ganaj transaksionin e gruas së Pezës më 2015-ën?

Marrja nën hetim nga Prokuroria e dosjes së Alfred Pezës pritet të bëjë objekt hetimi dhe Kryetarin e ILDKPKI, Shkëlqim  Ganaj. Kjo sepse, transaksioni është kryer që në mars të vitit 2015 nga ana e bashkëshortës së Pezës, dhe nga ana e inspektorëve të këtij institucioni nuk është marrë mundimi të pyetet se përse është bërë ky transaksion dhe përse pas datës 17 mars në llogarinë e saj bankare janë zhdukur 1 miliard lekë? Pra në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një neglizhencë të këtij inspektorati, dhe në rastin më të keq një fshehje me dashje të këtij fakti. Gjithsesi në të dyja rastet, kemi të bëjmë me shpërdorim detyre nga ana e kreut të ILDKPKI. Sa për kujtesë, ishte ky personi që po atë vit, pra në vitin 2015 nuk lejoi Prokurorinë të hetonte dosjet në lidhje me pasurinë e zyrtarëve të lartë, pas dyshimeve nga ana e organit të hetimit se ato liheshin qëllimisht pa u hetuar nga Ganaj!
Pas plasjes së skandalit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) doli me një deklaratë ku shprehej se, pas denoncimit të bërë publik në media ka filluar dhe hetimi për mënyrën e blerjes së aksioneve me vlerë mbi një miliard lekë dhe burimin e financimit të deputetit, Alfred Peza. Madje, në paragrafin e fundit të deklaratës, ILDKPKI nuk harron të falënderojë dhe mediat për bashkëpunimin, madje i fton ato të raportojnë raste të ngjashme me këtë të fundit. E megjithatë duket se ka diçka që nuk shkon në punën e ILDKPKI, për rastin në fjalë. Transferimi i parave dhe i aksioneve sipas kontratës së dalë, mban datën 17 mars të vitit 2015. Kjo do të thotë se ky transaksion ka qenë objekt i deklarimit të pasurisë përgjatë vitit të kaluar. S’mund të bëhet një transaksion prej 1.1 miliard lekësh ose 850 mijë euro dhe kjo të anashkalohet nga ILDKPKI. Sepse marrim rastin më të mirë sikur deputeti në fjalë, që dje akuzoi ish-kolegët e tij për ziliqarë, pse nuk merrnin pagë sa ai, i ka deklaruar që në fillim ato para, kur ka marrë mandatin e deputetit. Por si ka mundësi, që në deklaratën e vitit 2016 (mos themi që ka qenë objekt i deklarimit që në vitin 2015), nuk është vënë re zbrazja e depozitës bankare të bashkëshortes së deputetit Peza, e cila në vitin 2014, na paska deklaruar se ka 970 milionë lekë llogari bankare?! Si ka mundësi që ILDKPKI shfaqet e habitur sot dhe nuk ka gjurmuar transfertën në fjalë?! Në rast se zoti Peza nuk e ka deklaruar këtë pjesë, atëherë institucioni në fjalë duhet të shpjegojë se çfarë mase ka marrë ndaj tij? Por në rast se e ka deklaruar, atëherë pse ILDKPKI shfaqet sot e habitur se si doli ky fakt në media, kur më së paku duhet të deklarojë a ishte në dijeni të kësaj çështjeje apo jo?!

Ganaj nuk guxon të marrë në pyetje Ramën për vilën e Surrelit

Por nuk është e rastit, që ILDKPKI deklaron fillimin e hetimit vetëm pas plasjes së skandalit. Gjurmët kanë qenë aty prej dy vjetësh dhe nuk është e rastësishme që deklaratat e pasurisë rrinë dy vjet të bllokuara dhe nuk i jepen as Prokurorisë. Kjo sepse, urdhrat kryetari i ILDKPKI-së i merr direkt nga Edi Rama që është dhe kreu i karvanit, që pastron nëpërmjet institucioneve të gjitha zullumet e tij dhe të ahengxhinjve të oborrit. Në rastin e Pezës, hetimi fillon vetëm tre muaj përpara se të bëhen listat e zgjedhësve ku mesa shihet Peza nuk do të jetë pjesë e saj. Kjo bëhet akoma më shqetësuese, kur mendon se ky do të jetë institucioni që do të bëjë dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët me gjasë do të kontrollohen sipas oreksit të kryeministrit. Nuk ka se si shpjegohet fakti, që Ganaj fillon hetimet vetëm pas dy vjetësh, kur kryhet një transaksion prej gati 1 milion eurosh! Në tryezën e tij prej më shumë se tre vjetësh ndodhet një urdhër i paraardhëses së tij, Zana Xhuka, për të hetuar pasurinë e Kryeministrit dhe ndërtimin e vilës së tij në Surrel. E ka marrë ndonjëherë mundimin Ganaj të pyesë sa është vlera reale e asaj vile që Rama e deklaron të ndërtuar më pak se vlera e një apartamenti? E ka marrë mundimin ndonjëherë Ganaj, të rrëmojë se cila është firma që e ka ndërtuar, t’i kërkojë faturat e blerjes së materialeve të mobilimit etj., dhe të bëjë një krahasim me atë çka ka deklaruar Rama në formular? Natyrisht që jo, shefi është i paprekshëm, ai vetëm mund të urdhërojë, jo të hetohet. Një institucion, i cili bën të paditurin prej dy vjetësh për 1 milionëshin e Pezës, imagjinoni ç’mund të ketë ndodhur me milionat e ndërtuesve dhe trafikantëve të drogës që jo pa qëllim, Rama i futi në Parlament. Një institucion që mbyll sytë para transaksioneve të tilla në një kohë kur droga drejtohet nga vetë qeveria. Një institucion që s’ka guximin të bëjë asnjë hetim pa urdhrin e kryeministrit… Sado të rreket deputeti Peza dhe sado rrogë të deklarojë ai, 1 milion euro mbeten një milion euro dhe mund ta kishin zënë gafil dhe fëmijët e fillores… Por atë që mund ta bëjnë ata fëmijë, s’e bën dot kryetari i ILDKPKI, që paguhet nga taksat tona për të kontrolluar ata që kanë marrë përsipër për ta drejtuar këtë vend.

Rasti Peza, një histori e zakonshme rilindasish miliarderë

Qytetari Alfred Peza është i lirë të bëjë pasuri në këtë vend. Është i lirë të blejë aksione, të ushtrojë biznes apo të paguhet si të dojë dhe ku të dojë në media e kudo. Këtë ia siguron sistemi i ekonomisë së tregut që shqiptarët vendosën para 25 vjetëve, me rrëzimin e diktatorit për të cilën asokohe vetë Peza s’ka qenë fort dakord. Është sistem i ekonomisë së tregut që ja garanton, ku natyrisht jashtë aksesit të saj s’ka pse qëndron askush, as qytetari Peza, as qytetari Taulant Balla, as qytetari Sadri Abazi, as qytetari Edi Rama, Erion Veliaj e kështu me radhë e kështu me radhë. Në rast se këto pasuri janë vënë në mënyrë të ligjshme, atëherë i lind e drejta t’i gëzojë dhe si deputet. Por deputetit Peza i lind detyrimi përpara zyrtarit Shkëlqim Ganaj (për ata që s’e njohin ky është personi që kontrollon pasuritë e zyrtarëve), të tregojë burimin e këtyre të ardhurave. Shuma e përfolur kohët e fundit në media, jo më kot ka ngjallur reagimin e gazetarëve, të cilët e njohin fare mirë këtë realitet. E megjithatë, Peza s’i përket më këtij komuniteti, por prej më shumë se tre vjetësh është deputet i Rilindjes, e cila erdhi në pushtet me premtime për transparenca të mëdha, luftë kundër korrupsionit e të tjera si këto. Këtij kori iu bashkua dhe ish-gazetari Peza me idealin se, “ky vend bëhet”, siç e kanë fort për zemër ta përsërisin rilindasit. Siç iu bashkua kësaj devize Briseida e Tatimeve, Elisa e Doganave, Beqaj i Shëndetësisë, Arbeni i Financave, Lindita e Arsimit e të tjerë me radhë. Lista zgjatet e zgjatet po të përmendim më pas deputetë si Toma, Ndoka, Frroku, Prenga, që janë pjesë e “frontit të së mirës” dhe iu përgjigjën thirrjes së kokës së karvanit për “të bërë vendin”.

Artikulli paraprakBizneset gati të ikin, energjia po rritet me 35%
Artikulli tjetërMinistria tërhiqet nga koncesioni i kolaudimit të mjeteve frigoriferike