A është Beni, Nexhmija?

Bledi KASMI

Disa djem dhe vajza të reja të ftojnë në trotuaret e Tiranës të firmosësh peticionin që Libra të regjistrohet në zgjedhje. Duhen disa mijëra firma dhe të rinjtë duken mjaft entuziastë që po i hyjnë politikës. Kur i pyet të rinjtë se përse duhet firmosur? Ata përgjigjen; “se Libra do të garojë në zgjedhje”.
Interesante është se Beni beson sot se këtu do të bëhen zgjedhje dhe se ka vërtet konkurrim mbi baza programesh dhe ofertash politike. Beni është inteligjent, por jo aq shumë sa duket kur vjen puna për të fshehur llogaritë e biznesit të ri politik që ka nisur.
Nuk beson vetëm Beni se këtu mund të bëhen zgjedhje me 18 qershor. Edhe Edi, të cilin Beni e kritikon për një mijë e një të zeza lart e poshtë, në Parlament dhe në të gjitha televizionet e pushtetit, po ashtu beson se nën qeverinë e tij vendi mund të ketë zgjedhjet më të mira në histori.
Edhe shokët e idealit të Benit me të cilët bashkoi votat për vettingun pak javë më parë në Parlament, si fjala vjen Mando i Laçit po ashtu po bëhet gati për zgjedhje. Secili në mënyrën e vet, Beni duke kërkuar firma në trotuar me Libra dhe Mando duke angazhuar çunat e drogës e krimit në zonën e tij me armë.
Po nuk janë vetëm këta. Edhe Enveri i Kavajës, është gati për zgjedhje. Ka thërritur Dajën e dënuar të paktën në dy shtete për trafik droge dhe që drejton formalisht PS në këtë qytet që të përgatiten për betejën elektorale. Sa të tjerë të kësaj kategorie po bëhen gati për të rregulluar kutitë e votimit?
Nuk duhet harruar edhe Bamka. Eshtë thirrur në shërbim si dikur një herë e një kohë kur e thërriste Sigurimi i Shtetit në momentet më të vështira që kalonte partia për të dhënë kontribut, ashtu si edhe më 21 janar.
Po çfarë i bashkon të gjithë këta që bëjnë sikur zihen para pasqyrave dhe ne bëjmë sikur i besojmë, por kur vjen fundi i shohim të puthen në fund të ditës teksa mjeshtri i fut në të njëjtin kazan të përmbysjes së rendit demokratik?
Mandon, Visin, Benin, Bamkën, Edin dhe një armatë të tërë që po aktrojnë në role të ndryshme në të njëjtën skenë i bashkon në këto momente vetëm një qëllim. Ata duan të legjitimojnë si të vërtetë farsën elektorale që po përgatit qeveria me 18 qershorin.
Përmes një udhëtimi pas në kohë, Beni është sot Nexhmija që ishte dje në krye të Frontit Demokratik dhe që kandidonte përballë Enverit dhe PPSH. Në fakt edhe Nexhmija atëherë bëhej deputete, ashtu sikurse edhe Beni shpreson sot se mund të ketë të njëjtin fat nga sozia e Enverit.

Artikulli paraprakPrinti apo dixhitali? Jetë të gjatë gazetës
Artikulli tjetërFaqja e pare