A do të hetohet Fatos Klosi në Hagë për vrasjen e ish-ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, deklarata e Berishës

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha në një lidhje direkte me ABCnews, se Fatos Klosi, duhet të hetohet lidhur me vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish-ministër i Mbrojtjes së Kosovës.

Berisha tha se ka pasur informacione se shërbimi sekret shqiptar është përfshirë në vrasjen e Krasniqit, ndaj dhe duhet të hetohet Fatos Klosi, i cili ka drejtuar SHISH në atë periudhë.

“Nuk kam pasur të dhëna se kush i ka kryer vrasjet e anëtarëve të LDK dhe FARK në Kosovë sepse po t´i kisha do t´i deklaroja.

Marrëdhëniet e mia me UÇK kanë qenë të shkëlqyera, kam pasur marrdhëniet më miqësore me Hashim Thaçin dhe të gjithë politikanët e Kosovës.

Vetëm njëherë kam kritikuar Albin Kurtin për ato veprimet në Kuvend sepse mendoja se nuk i shërbenin njohjeje të Kosovës”, tha Berisha.

Në RTV Dukagjini, ish- bashkëpunëtori i ngushtë i Ahmet Krasniqit ka dhënë emrin e personit për të cilin ai mendon se e di kush e vrau kolonelin Krasniqi.

Skënder Zogaj, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i kolonelit Ahmet Krasniqi ka thënë se Fatos Klosi e di kush e vrau Ahmet Krasniqin.

“Fatos Klosi di gjithçka për këtë vrasje. Paraqitjet e tij të mëvonshme tregojnë që ai din gjithçka. S’ka mundësi të mos e dijë sepse të gjitha ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në të gjitha shërbimet e Shqipërisë ai i ka ditur”, tha Zogaj.
“Jam i bindur se mos zbardhja e vrasjes së tij ka të bëjë me shuma të mëdha parash. Nuk është i rëndësishëm vrasësi që e ka gjuajt plumbin por kush i ka dhënë urdhrat”.

Zogaj ka thënë se Ahmet Krasniqi luftoi për unifikim të grupeve ushtarake që vepronin në Shqipëri, sepse kishte frike se pa unifikim do të dëmtohej lufta çlirimtare.

Ndërsa, në një deklaratë pak më herët, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se në vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit kishte gisht pikërisht Fatos Klosi.

Artikulli paraprakTrump me “Operacioni Shpejtësia e Dritës” për shpërndarjen e milionave vaksinave kundër virusit
Artikulli tjetërVideo/ E turpshme dhe kriminale! Basha reagon për largimin nga stadiumi i ish-lojtarit të Kombëtares, Andi Lila