8 tonelatat e drogës, nën hetim gruaja e Sejdinit

Një agjenci doganore në pronësi të bashkëshortes së një funksionari të lartë po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për kamionin me 8 ton drogë që u kap në Itali. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, Agjencia doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit në Shqipëri të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar më 8 ton drogë në Itali, rezulton se është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. “ABC News” ka siguruar kopjen e ekstraktit të Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve, ku është pasqyruar fakti se Xhuljana Sejdini, bashkëshortja e kreut të Bashkisë së Elbasanit është ortakja e vetme e agjensisë doganore “Ujori shpk”. Kjo kompani, ka si administrator Rezarta Shehun, por sipas regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit, ajo rezulton si pronë e bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.
Kompania “Ujori Shpk”, si përfaqësues të saj në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës kishte shtetasin Maliq Kadilli, tashmë i arrestuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. I dyshuari Kadilli në emër të agjensisë doganore “Ujori shpk”, ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski, i arrestuar në Itali.
Në fillim, në doganën shqiptare agjencia “Ujori” ka deklaruar se, kamioni me targa maqedonase kishte si destinacion doganën e Hanit të Hotit, si pikë dalje nga Shqipëria. Por mesditën e 5 shkurtit 2017, përfaqësuesi i saj, Maliq Kadilli i është drejtuar doganës shqiptare me një kërkesë për ta ndryshuar destinacionin në Durrës. Në kërkesë ai sqaron se, në deklaratën e parë Hani i Hotit ishte përcaktuar gabimisht si pikë dalje.
Kamioni dyshohet se ka qëndruar në Shqipëri 5 orë më shumë se afati i lejuar. Kjo kohë, sipas prokurorëve, mund t’i ketë shërbyer për t’u furnizuar me drogë. Dyshimet janë se droga është ngarkuar në Elbasan. Skaneri i Qafë-Thanës, siç tregonin edhe fotot e publikuara në televizionin “ABC News”, tregon se kamioni ka qenë bosh, kur ka kaluar në këtë doganë. Në Portin e Durrësit kamioni nuk i është nënshtuar kontrollit dhe është imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Ankona.
Televizioni “ABC News” raportoi se, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk e përjashton mundësinë e hetimit të agjencisë doganore “Ujori” si bashkëpunëtore në trafikun e drogës. Përfaqësuesi i saj në Qafë-Thanë është prangosur si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria ka sekuestruar të dhënat e agjencisë së bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në QKB, për llogari të këtij hetimi dhe nëse hetimet do të vërtetojnë implikimin e saj nuk përjashtohen arrestime të tjera në hierarkinë e agjencisë. Pak muaj më parë, policia rriti masat e sigurisë për Qazim Sejdinin, pas kërcënimit të tij nga një grup i fuqishëm kriminal që vepron në Elbasan, në fushën e trafikut të drogës.

Skanimi i zbuloi kamionin bosh në Qafë-Thanë

“ABC Neës” publikoi për herë të parë foton e skanerit të bërë mëngjesin e datës 5 shkurt 2017 në pikën e kalimit kufitar të Qafë- Thanës. Në këtë pamje evidentohen targat e kamionit dhe të dhënat e orës, kur kamioni me shoferin maqedonas Zoran Stanojoski ka hyrë në skanerin e kompanisë private që ndodhet në pikën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në pamje, ashtu siç edhe është përshkruar në procesverbalin e këqyrjes së kamerave, duken vetëm disa kuti me ngjyrë të zezë, që për punonjësit kanë qenë thasë të mbushur me pluhur gipsi dhe pllaka izoluese polisteroli.
Në asnjë rast, nuk është evidentuar ndonjë sasi lëndë narkotike, për të alarmuar punonjësit e skanerit, doganës dhe policisë. Pas skanimit të kamionit, që është bërë mbi bazën e këtij urdhëri, doganierët kanë plumbosur rimorkion, duke përpiluar edhe deklaratën doganore, se mjeti është tranzit në Shqipëri.
Kjo deklaratë doganore, e bërë nga agjentët e një kompanie private, kanë njoftuar se kamioni ka destinacion pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Më pas, kamioni ka dalë nga parkingu i Qafë-Thanës dhe është nisur drejt destinacionit. Në ora 14:00 të asaj dite, kompania private ka kërkuar ndryshimin e destinacionit të kamionit, jo drejt Hanit të Hotit, por në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit.
Që pas kësaj kërkese, punonjësit e doganës e kanë ndryshuar në sistem. Fakti që në skanerin hyrës, nuk është konstatuar droga e ngarkuar në kamion, kanë lindur dyshime se kamioni mund të jetë ngarkuar në Elbasan, ku dyshohet se ka edhe qëndrimin më të gjatë shoferi nga Maqedonia tashmë i arrestuar në Itali.
Por për Prokurorinë, fakti që kamioni ka ndryshuar destinacion, punonjësit e doganës dhe Policisë së Portit duhet të kishin ngritur dyshime dhe të ushtronin kontrollin e rimorkios, të cilën nuk e kanë bërë. Për shkak të mos kryerjes së kontrollit, kamioni ka hipur në tragetin e linjës Durrës-Ankona, ku me të zbritur në portin e italian është konstatuar droga dhe policia e ka bllokuar, duke sekuestruar 8 ton hashash. Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e 19 punonjësve të policisë, doganier e agjent doganor, me dyshimin se janë pjesë e rrjetit të trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Artikulli paraprakRama presion për lirimin e vrasësit Frroku nga burgu
Artikulli tjetërFaqja e pare