8 pyetje “liderit global”

Nga Enton LASKA

U duk sikur nisi më në fund ndërtimi i Spitalit të Laçit. Të gjithë u lumturuam për këtë. Mesa duket, u paraqitën tabelat dhe disa kamiona, vetëm me rastin e vizitës së “liderit global” dhe më pas qetësi tek gërmadhat e spitalit.

Megjithëse projekti është “sekret”, ai duhet të planifikoje minimumi spital bashkiak me minisallë operacioni, patologji me shtretër, pediatri me shtretër, obstetër-gjinekologji me shtretër, laborator për analiza dhe imazheri. Nëse nuk i planifikojnë këto më mirë të mos ndërtohet fare, nuk kemi nevojë për fasada të bukura.

Por disa pyetje më kalojnë në mendje.

Nuk janë pyetje të tipit përse u ndërrua drejtori para nisjes së punimeve apo kush e mori tenderin, por:

A është kryer ndonjë studim, se cili është vendi i përshtatshëm për ta ndërtuar spitalin?

Sa banorëve do ju shërbeje?

A do jetë spital rajonal, bashkiak apo thjeshtë urgjence?

Sa janë nevojat për të ardhmen?

Si lidhet pozicioni gjeografik me kapacitetet e kërkuara?

Sa mjekë do të punojnë?

Sa laboratore do të ketë?

A do të jetë spital i profilizuar?

Këto dhe shumë pyetje të tjera, mendoj, duhej të ngriheshin për një investim afatgjatë, vizionar dhe të denjë për sfidat që po kërcënojnë të ardhmen e shëndetit publik.

Më herët, para tërmetit, kam ngritur shqetësimin për mungesën e mjekëve të specialiteteve në spitalin e Kurbinit, teksa sot, ky shqetësim është edhe më i madh, pasi mungon objekti, personeli e gjithçka. Ky është një motiv më shumë për të rinjtë e të rejat që t’i hyjnë rrugës së bukur e të vështirë të mjekësisë për t’i shërbyer më mirë vendlindjes dhe atdheut, pasi nevojat janë ekstremisht të mëdha.

Spitali i Kurbinit, duhet të jetë i parametrave bashkëkohore, ku prioritet duhet të ketë urgjenca. Dua të kujtoj se në Kurbin, kalon aksi që lidh veriun e verilindjen me Tiranën dhe çdo vit janë dhjetëra njerëz që humbin jetën në aksidente rrugore e në shumë raste për shkak të mosmbërritjes në kohë në spital.

Mendoni sikur të ndërtohet një urgjencë funksionale në spitalin e Kurbinit: sa jetë njerëzish do ishin shpëtuar nga të plagosurit në aksidente, që marrin në kohë ndihmën e duhur mjekësore?

Sot, për një urgjencë të thjeshtë, banorët e Kurbinit janë të detyruar të nisen drejt Lezhës ose Tiranës. Po i hedh këto rrjeshta në një periudhë kur pandemia e Covid-19 është ulur këmbëkryq në sofrat tona dhe po merr çdo ditë jetë njerëzish.

Investime po kryhen, por a janë ato investime eficiente? Apo thjeshtë elektorale?

Kurbini nëse do përfaqësohej në pushtet lokale e qendror nga njerëz që realisht ia dinë vlerat këtij vendi, sot mund të kishte në territorin e tij një spital rajonal, që mund të ndërtohej në zonën e Milotit, ku mund të mbulohej me shërbim edhe Lezha, edhe Mirdita e pse jo, edhe zona të tjera si Kukësi apo Burreli.

Mundësitë janë, idetë janë, fondet janë se i ka dhënë bota, por mungojnë njerëzit e duhur për t’i kërkuar dhe për t’i implementuar.

Ne, kurbinasit, duhet të jemi më kërkues karshi shtetit shqiptar dhe të zgjedhurve tanë, si në pushtet lokal, ashtu edhe qendror e duhet t’i japim fund nëpërkëmbjes së votës tonë nga individë pa vlera, të cilët nuk përfaqësojnë as veten e jo më Kurbinin.

1 9

2 6

Artikulli paraprakBasha: Rama e ka harruar rininë kuksiane. Gjendja ekonomike, pamundësia për të vazhduar studimet i ka detyruar të rinjtë të largohen nga vendi
Artikulli tjetërBardhi poston videon e mashtrimit të Ramës: Është koha të largohet ai, jo shqiptarët nga vendi i tyre!