700 mijë të larguar në 6 vite, të gjitha pushtetet në duart e qeverisë dhe oligarkëve

Haris VONGLI

Në një kohë kur Shqipëria po vuan një destabilitet të theksuar ekonomik, social e politik, një qeverisje të bërë palë me krimin, aksioni opozitar për djegien e mandateve dhe protestat masive në mbarë vendin, janë hapi final i cili kundërshton fort ilegjitimitetin e Parlamentit.
Ky vendim duhet të lexohet drejtë pasi janë njerëzit që e kanë kërkuar dhe është detyra e opozitës të jetë sa më pranë tyre. Qeveria, që nga viti 2013, erdhi në pushtet me një ofertë, nga një marrëveshje e bërë me qytetarët shqiptarë të cilëve u premtoi stabilitet, taksim të ndershëm, çmim më të ulët të ushqimeve, dritave, ujit, naftës, etj,; premtoi vëmendje të veçantë ndaj biznesit, ndihmë ekonomike ndaj familjeve në nevojë, hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune, etj. Ndërkaq sot gjendemi përpara faktit se nuk është mbajtur asnjë nga premtimet e lartpërmendura.
Nga Shqipëria janë larguar 700.000 qytetarë, vetëm në 6 vjetët e fundit, shifër kjo alarmante që tregon se varfëria dhe pasiguria në vend ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Qeveria dhe oligarkët në të e palë me të, kanë kapur plotësisht median, legjislativin, ekzekutivin, sistemin e drejtësisë, institucionet e të cilit, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe ajo e Apelit, janë inekzistente, duke u shndërruar kështu në një mekanizëm korruptiv që shfaqet i verbër ndaj nevojave të qytetarëve.
Propaganda dhe arroganca e pushtetit janë të fundit armë me të cilat mbahet qeveria Rama e cila e shet realitetin ndryshe nga çfarë është në të vërtetë. Funksionarët e lartë të saj janë të shkëputur nga realiteti i bazës të cilët u kanë dhënë votëbesimin për një qeverisje më të mirë, pasi ata rrinë me të ngjashmit e tyre dhe nuk kanë vuajtur kurrë për bukën e gojës.
Edhe kur pushteti absolut është në duart e tyre, makineria e propagandës dhe retorikave boshe i vihet kundër opozitës që prej vitesh denoncon, në mënyrë konstante, skandale pas skandalesh, të cilat faktojnë asgjë më shume se sa keqqeverisjen dhe arrogancën e theksuar të pushtetit në krye. –
Ndërkombëtarët kanë për detyrë të bëjnë thirrje për stabilitet, por në të njëjtën kohë ata bien dakord me opozitën se vendi nuk mund të qeveriset me vota te blera dhe as me krimin e organizuar.
Në një kohë protestash në mbarë Europen, ndërkombëtaret shqetësohen, me të drejtë, se lënia e mandateve në Shqipëri mund të kthehet në efekt domino edhe në vendet e tjera. Por ato që kërkohen me vendosshmëri nga ta janë funksionimi i shteti të së drejtës, transparenca dhe demokracia.

Artikulli paraprakStudentët “luftë” për një abone…
Artikulli tjetërInspektori ndërton shtëpinë e tij pa leje, banorin nuk e lejon të riparojë shtëpinë e tij