7 të plagosur në aksidentin e Prrenjasit, si u përmbys autobusi me gjimnazistë nga Roskoveci

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në dalje të Qafë Thanës, në aksin Pogradec-Prrenjas. Bëhet e ditur se një autobus me gjimnazistë nga Roskoveci është përmbysur duke rënë afër greminës e për pasojë kanë pësuar lëndime e janë plagosur disa prej tyre.
Ndërkohë një prej personave që ndodhej pranë autobusit ka njoftuar policinë e Pogradecit dhe të Prrenjasit por asnjë prej komisariateve nuk e ka marrë përsipër duke ia lënë përgjegjësinë palës tjetër.
Sipas telefonuesit, vetëm një ambulancë ka shkuar në vendin e aksidentit, ndërkohë që kanë qenë rreth 17 persona të plagosur apo me lëndime.
Policia e Librazhdit ka dhënë detaje e para pas aksidentit të ndodhur pasditen e sotme në Qafë Thanë. Sipas Policisë, një autobus me gjimnazistë të një shkolle në Roskovec ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë plagosur 7 nxënës të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Prrenjasit.
Njoftimi i policisë
Më datë 16.11.2018, rreth orës 17:00, në Qaf Thanë, Autobusi me targe AA 723 OP me drejtues shtetasin L. H, duke udhëtuar nga Korça në drejtim të Fierit, ku në këtë autobus udhëtonin nxënës të një shkolle të Roskovecit, për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe nga pakujdesi e drejtuesit te mjetit ka dale nga rruga ku për pasojë u lënduan lehtë shtetasit: L. V., 17 vjeçe, E. D., 15 vjeç, N. H., 17 vjeçe, B. Q., 18 vjeç, J. G., 17 vjeç, D. V., 17 vjeç, M. V., të cilët pas kontrollit mjekësor dhe marrjes së ndihmës së parë, janë në pritje të autobusit tjetër për tu larguar për në banesat e tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit.

Artikulli paraprakShqiptarët me pensionet më të ulëta në Rajon
Artikulli tjetër“Shtëpitë do t’i mbrojmë me gjak”, protestuesit në revoltë kundër qeverisë