6 ngjarjet politike që kanë “përmbysur” botën e naftës

Përmbysja e tregut, e shkaktuar kryesisht nga futja e teknologjive të reja që i bëjnë modelet e vjetra të biznesit jo sa duhet kompetitivë dhe nganjëherë të dalë mode, është bërë një koncept gjithnjë e më shumë në modë. Shoqëritë e afirmuara dridhen dhe kompanitë start-up shpresojnë t’i provokojnë. Për të cituar disa shembuj të kësaj përmbysjeje: Amazon praktikisht i ka boshatisur raftet e librarive, agjencitë e udhëtimit dhe gazetat janë bërë gjithnjë e më pak të nevojshme dhe Uber e Airbnb kanë lëkundur tregjet e referimit. Asnjë sektor nuk i ka shpëtuar kësaj tendence dhe tregu energjetik nuk përbën përjashtim. Frakturimi hidraulik dhe përparimet e tjera teknologjike, që kanë modifikuar thellësisht prodhimin e hidrokarbureve dhe ka evoluar tregun, kanë ndryshuar jo vetëm industrinë petrolifere e të gazit, por edhe ekuilibrat gjeopolitikë në zhvillim prej shumë kohësh. Megjithatë, pavarësisht impaktit të padyshimtë të teknologjive të reja, një tjetër burim përmbysjeje shumë i njohur për kompanitë e naftës dhe të gazit vazhdon të përfaqësojë një faktor të rëndësishëm në fatin e sektorit energjetik: politika. Vëmendja kushtuar përparimeve teknologjike na largon nga fakti që politika vazhdon të jetë forca më shkatërrimtare në tregjet e naftës dhe të gazit.

Një histori e shkurtër e ndryshimit të tregut
Modeli sipas të cilit një industri e tërë mund të “përmbyset” është individualizuar për herë të parë nga sociologu marksist gjerman, Werner Sombart në veprën e tij të vitit 1913 me titull “Lufta dhe kapitalizmi”. Një koncept i tillë është rafinuar nga Joseph Schumpeter më 1942 me librin “Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia”. Ekonomisti austriak e kishte quajtur në mënyrë të njohur “shkatërrim krijues”, duke e konsideruar si “një tipar thelbësor të kapitalizmit”, duke e bazuar idenë e tij mbi pohimet e para të Marksit lidhur me tendencat vetëshkatërruese të kapitalizmit. Sipas fjalëve shumë të forta të Schumpeter, një fenomen i tillë dallohet pasi është “një proces ndryshimi industrial që revolucionarizon pandërprerë strukturën ekonomike nga brenda, duke e shkatërruar atë të mëparshme dhe duke krijuar një të re”. Gjysmë shekulli më vonë, profesori i Harvard University Clayton Christensen do ta zgjeronte këtë koncekt duke përshkruar më 1995 ato të quajtura prej tij si “novatorizma tronditëse”, domethënë teknologjitë e reja dhe strategjitë komerciale novatore të afta që të krijojnë një produkt ndryshe, që shpesh zëvendësojnë produktin lider në treg dhe nganjëherë përfundojnë duke krijuar një treg të ri. iPad përfaqëson një shembull të shkëlqyer të këtij fenomeni. Koncepti i “novatorizmit tronditës” të Christensen është konfirmuar nga një seri teknologjish dhe modelesh komerciale novatore, shpesh të lidhura me botën e internetit, që nga ana e tyre kanë prodhuar një valë kompanish të reja që shpejt janë bërë liderë botërorë. Kërkimi i këtij “novatorizmi tronditës”, në gjendje që të mund të modifikojë në mënyrë subversive tregun e një industrie, është bërë makthi i shpikësve, biznesmenëve, investitorëve dhe analistëve. Kompanitë ekzistuese qëndrojnë vigjilente përballë kërcënimit të përfaqësuar nga futja me forcë e një modeli komercial të ri që do të minonte stabilitetin e tregjeve tradicionale. Siç është nënvizuar tashmë, frakturimi hidraulik dhe teknologjitë e lidhura me të kanë gjeneruar metoda të reja prodhimi të hidrokarbureve në tregun e naftës dhe të gazit, duke provokuar lindjen e kompanive dhe modeleve financiare të reja. E gjitha kjo ka shkaktuar ndryshime të mëdha e të paprecedent në kuadrin gjeopolitik, si ngritja sensacionale e Shteteve të Bashkuara që janë bërë një prej tri prodhuesve kryesorë të naftës e gazit në botë dhe një eksportues potencial i rëndësishëm. Përveç frakturimit hidraulik, panele diellore, baterive, turbinave eolike, gazifikimit të biomasës dhe premtimit të energjisë së zbaticave janë vetëm disa prej risive teknologjike që po ndryshojnë panoramën energjetike globale. Gjithsesi, në qoftë se përqendrohemi vetëm mbi tronditjen e shkaktuar nga teknologjia, lëmë në hije faktin që politika mund të transformojë një sektor sa vetë teknologjia. Edhe pse termi “tronditje” shpesh të shtyn të mendosh për ndryshime drastike të provokuara nga risitë teknologjike, përgjithësisht të lidhura me informatikën, përpunimin e të dhënave dhe me internetin, realiteti është se, të paktën në fushën energjetike, ndryshimet politike kanë një impakt të fortë sa teknologjitë e reja, në mos më të madh. Sektori i naftës është prej shumë kohësh subjekt i impaktit të politikës mbi operacionet dhe rendimentin e tij. Tendencat e kohëve të fundit e konfirmojnë këtë ecuri historike. Më poshtë janë renditur 6 shembuj të tronditjeve të kohëve të fundit të shkaktuara nga politika që ilustrojnë rëndësinë e faktorëve joteknologjikë në përcaktimin e tendencave pozitive e negative ndaj tregjeve energjetike, pse jo edhe të ndryshimeve të tjera të shkaktuara nga politika mbi tregje të tilla.

1 – Frenimi i ngrohjes globale
Janë dashur vite, por tashmë është pothuajse arritur një konsensus shkencor për lidhjen midis konsumimit të lëndëve djegëse me bazë fosile dhe ngrohjes globale. Një korelacion shkencor i tillë ka çuar në një konsensus politik mbi nevojën për të reduktuar në minimum përdorimin e këtyre lëndëve djegëse me qëllim që të shmanget ndodhja e një ndryshimi klimaterik të rëndë. Marrëveshja politike e arritur në Paris nga 150 vende në nëntor të 2015, e prirur që të kufizojë rritjen e temperaturës globale shumë më poshtë 2 gradëve celsius, do të ketë reperkusione mbi sektorin energjetik, ashtu si përpjekjet e mëdha për të tentuar të kufizohet rritja në 1.5 gradë celsius, që kanë çuar në impenjime detyruese për të gjitha palët në kuadër të “kontributeve të caktuara në nivel kombëtar” (INDC). Marrëveshja e Parisit përfaqëson elementin kryesor revolucionar në tendencën e konsumit energjetik global, që është bazuar për më shumë se një shekull mbi qymyrin dhe hidrokarburet me bazë fosile. Masat e drejtpërdrejta të shkaktuara nga ky vendim përfshijnë një premtim me vlerë 19 miliardë dollarë nga vendet e zhvilluara për të mbështetur ato në rrugën e zhvillimit me qëllim që të promovojnë energjitë e rinovueshme dhe në radhë të dytë, krijimin e International Solar Alliance, një marrëveshje midis 120 vendeve të drejtuar nga Franca dhe India për të mbështetur zhvillimin e energjisë diellore në vendet që janë palë. Edhe organizatat joqeveritare, qytetet dhe investitorët privatë janë përfshirë në këtë iniciativë të rëndësishme. Bill Gates dhe 10 investitorë të tjerë kanë themeluar Breakthrough Energy Coalition për të drejtuar kapitale private drejt projekteve të energjisë së pastër. Gjatë një samiti paralel në Paris të Compact of Mayors, prezantuar nga kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo dhe nga ish-kryebashkiaku i New York, Mike Bloomberg, më shumë se 360 qytete nga e gjithë bota janë impenjuar që t’i reduktojnë emetimet urbane potenciale globale me 50 për qind brenda 2020. Vendime politike të tilla do të çojnë në ndryshime të thella në sektorin energjetik dhe do të kontribuojnë në krijimin dhe në rritjen e bizneseve të reja të lidhura me energjinë.

2 – Politika energjetike e Shteteve të Bashkuara
Rritja e qëndrueshme e prodhimit të naftës dhe gazit në Shtetet e Bashkuara, që i detyrohet kryesisht përdorimit intensiv të frakturimit hidraulik, ka shkaktuar ndryshime të rëndësishme në fushën e politikës energjetike. Ai më i rëndësishmi ka qenë ndoshta heqja e ndalimit të eksportimit të naftës (në nëntor 2015), që ishte në fuqi qysh nga viti 1973. Vendime politike të tilla domethënëse vijnë në një moment në të cilin rafineritë kombëtare amerikane po arrijnë kapacitetin maksimal të tyre të transformimit të naftës nga shistet dhe rezervat e naftës në Shtetet e Bashkuara kanë arritur maksimume historike, duke i bërë eksportimet një lëvizje kuptimplotë. Vendimi i ka hapur rrugën ndryshimeve domethënëse në rolin global të Shteteve të Bashkuara si eksportues neto të hidrokarbureve. Një shembull është impakti në Europë, që mund ta reduktojë tani varësinë e saj nga gazi rus. Heqja e ndalimit të eksportimit të naftës i jep edhe Washingtonit një armë gjeopolitike të jashtëzakonshme për sa i përket marrëdhënieve të tij me vendet prodhuese të naftës.

3 – Ngadalësimi i ekonomisë kineze
Impakti i aktivitetit ekonomik kinez ndaj kërkesës globale për energji (dhe çmimet përkatëse) është i mirënjohur. Një ngadalësim ekonomik në Kinë shkakton çmime më të ulëta për të gjitha lëndët e para, të importuara në mënyrë të ethshme nga gjiganti aziatik, midis të cilave nafta. Përqindja e ulët e rritjes aktuale të ekonomisë kineze mund të shikohet vetëm si një fazë tranzitore në një cikël ekonomik normal. Kjo do të thotë se pas dekadash rritjeje dyshifrore është normale që të ketë një ngadalësim. Megjithatë, preokupimi është se ekonomia kineze nuk është se po ngadalëson vetëm përkohësisht, por se ka hyrë në fakt në një fazë të re e të zgjatur rritjeje të paktë. Ekspertët që ndajnë këtë opinion më pak optimist të ekonomisë kineze theksojnë se ekzistojnë prova të shumta se po ndodh një ndryshim strukturor i rëndësishëm. Vitin e kaluar, rritja kineze ka qenë më e ulëta e 25 viteve të fundit, bashkë me rënien e tregut të bursës dhe një zhvlerësim domethënës. Në janar të 2016 vendi ka humbur rreth 110 miliardë dollarë, ndërsa më 2015 është regjistruar një largim kapitalesh më të madh se 600 miliardë dollarë. Megjithatë, sinjali më shqetësues është rritja astronomike e borxhit kombëtar, që është trefishuar nga 2007. Në kundërpërgjigje, qeveria ka theksuar synimin e saj që ta spostojë interesin ekonomik nga eksportet si burim rritjeje në favor të ekspansionit të tregut kombëtar dhe nga investimet e mëdha infrastrukturore dhe nga zhvillimi industrial në stimulimin e sektorit terciar më të gjerë e të fortë. Të gjitha këto vendime politike do ta ndryshojnë thellësisht mënyrën me të cilën Kina prodhon dhe konsumon energji.

4 – Krizat në Lindje të Mesme
Ekziston në botë ndonjë gjë me destabilizuese për tregjet energjetike të politikave të Lindjes së Mesme? Bloomberg deklaron se, “rreth 2.6 milionë fuçi në ditë nuk janë të disponueshme në treg për shkak të konflikteve dhe të sanksioneve në rajon, më shumë se një e pesta e mesatares midis viteve 2000 e 2010”. Në Energy Outlook 2016 të saj, IAEA njofton se përmbysja lidhur me prodhimin petrolifer ka qenë i barabartë me 3.2 milionë fuçi në ditë gjatë 2 viteve të fundit, kryesisht për shkak të paqëndrueshmërisë politike në Irak, Libi, Sudanin Jugor dhe Siri. Ky dizekuilibër domethënës midis kërkesës dhe ofertës është kompensuar kryesisht nga eksportimet e reja iraniane, që janë dyfishuar nga viti i kaluar, duke arritur në 2.1 milionë fuçi në ditë në maj. Një rritje e tillë është rezultat i heqjes së sanksioneve ndaj Iranit nga ana e fuqive perëndimore, në vijim të marrëveshjes bërthamore të arritur në korrik të 2015. Ky vendim ka përmbysur ekuilibrat e ofertës petrolifere botërore dhe ka kontribuar në fragmentimin dhe dobësimin e OPEC-it, duke e shtyrë Igor Sechin, një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Vladimir Putin, që të pohojë se “OPEC-i praktikisht ka pushuar së ekzistuari si organizatë unike”. Dhe ky është natyrisht vetëm një shembull. Libia, Siria, Egjipti dhe Mesdheu Lindor janë të gjithë zona jashtëzakonisht të paqëndrueshme dhe të pasura me hidrokarbure. Në Lindje të Mesme politika ka një peshë shumë më të rëndësishme ndaj tregut energjetik sesa teknologjia.

5 – Espansionizmi dhe sanksionet ruse
Më 2014, aneksimi i Krimesë nga Rusia ka shkaktuar një seri sanksionesh të vendosura nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara. Disa prej këtyre sanksioneve kanë goditur drejtpërsëdrejti sektorin energjetik rus dhe kapacitetin e tij që të vazhdojë të jetë furnizuesi kryesor me gaz natyror për Europën. Sanksione të tilla përfshinin ngrirjen e eksportimeve drejt Rusisë të instrumenteve dhe teknologjive lidhur me sektorin energjetik dhe ndalimin për të furnizuar shoqëritë ruse të naftës dhe të gazit me shërbime të tilla si shpimet, testimet e puseve dhe shërbimet e kompletimit. Implikacionet janë të mëdha dhe po kështu edhe surprizat. Shumë vëzhgues kanë parashikuar se koalicioni ndërkombëtar në mbështetje të sanksioneve do të copëzohej me shpejtësi, se sanksionet do të reduktoheshin apo se do të kishin pasur jetë të shkurtër apo do të ishin joefikasë. Megjithatë, asnjë prej këtyre parashikimeve nuk është vërtetuar. Përkundrazi, vendimi i Kremlinit për të aneksuar Krimenë dhe destabilizuar Ukrainën ka shkaktuar përmbysje të konsiderueshme në sektorin rus të naftës e të gazit dhe një hapje të papritur të eksportuesve të gazit amerikan ndaj tregjeve europiane.

6 – Rënia e Venezuelës dhe Brazilit
Keqmenaxhimi, mungesa e investimeve dhe korrupsioni i përhapur në kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës, Petroleos de Venezuela, si edhe skandalet lidhur me korrupsionin të kompanisë shtetërore të naftës braziliane, Petrobras, po shkaktojnë një përmbysje të thellë të planeve të prodhimit e të zhvillimit të dy gjigantëve të naftës. Për momentin, Petrobras është e prekur nga borxhi më i lartë nga të gjithë kompanitë kryesore të naftës: plani i saj pesëvjeçar i investimeve, për t’u realizuar brenda 2020, është ulur me 25 për qind, ndërsa aksionet e saj kanë humbur 80 për qind të vlerës së tyre gjatë 2 viteve të fundit. Pavarësisht rezervave të mëdha petrolifere, prodhimi dhe eksportet venezueliane janë reduktuar ndjeshëm, duke e degdisur vendin në një rol të vogël në tregun energjetik botëror. Në të dyja rastet, teknologjia nuk i ka influencuar aspak rënie të tilla. Ka qenë gjithçka vepër e politikës. Për drejtuesit e kompanive të naftës e të gazit është e zakonshme të nënvizohet se kompanitë e tyre kanë avancuar në nivel teknologjik sa ato të çfarëdo sektori tjetër, në mos më shumë. Praktikisht, investimet në fushën e kërkimit dhe zhvillimit nga ana e kompanive të naftës dhe lista e novatorizmave të implementuara me sukses në treg janë njëlloj të konsiderueshme. Sigurisht se nuk mund të mohohet fakti që novatorizmat teknologjikë janë një pjesë përbërëse e këtij sektori. Megjithatë, nuk mund të harrojmë se pak sektorë të tjerë e pësojnë impaktin e drejtpërdrejtë të politikës si kompanitë e naftës. Sigurisht, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, teknologjia mund ta përmbysë këtë sektor, por jo aq sa politika.
(Moises Naim për ABO)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakAna tjetër e emigracionit amerikan
Artikulli tjetërÇfarë do të bëjë presidenti Trump me Kinën?