6 ha me kanabis pranë Rinasit në pronësi të Bushit

6 ha me kanabis lulëzon fare afër pistës së Rinasit, në Larushk ndërsa policia nuk guxon t’u afrohet parcelave. Denoncimi është bërë nga Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj para medias, ndërsa publikoi video dhe pamje filmike që vërtetonin akuzat e ngritura prej tij. Janë të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit.
“Edi Rama e ka nisur Tahirin e tij në ca shfaqje qesharake me të cilat po tallet i madh e i vogël, nëpër disa kodra ku gjoja bëhet nami ndaj drogës. Kanë marrë pjesë në këto shfaqje edhe gazetarë, dhe deputetë të rilindjes. Çdokush e di se këto aksione janë sa për shfaqje, janë selektive dhe prekin vetëm ata që nuk e kanë paguar haraçin 30 për qind.
Ja pse. Kemi këtu foto, dhe pamje filmike të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit. Video në ekran gjithashtu tregon afërsinë me pistën e Rinasit, nga ku ngrihen avionët. Raportohet se këtu janë të paktën 50 mijë rrënjë, të mbjella krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Krujë, partner dhe sponsorizues i tij, me inicialet, F.D. Shtëpia që duket ngjitur, është e një punonjësi të policisë, shërbëtor i kryetarit të Bashkisë, Bushi, me inicialet K.L. Dhe shefi operatoriv i zonës, e ka banesën e tij 1 km larg këtij plantacionit me drogë”, tha kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë.
Alibeaj tha se kjo drogë mbillet, kultivohet me sistem vaditje të sofistikuar, ruhet nga punonjësit e shtetit, dhe mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryetari i Ramës në Bashkinë e Krujës, Bushi i famshëm i proceduar nga policia italiane për trafik lëndësh narkotike. “Këto foto dhe pamje janë marrë dy ditë më parë. Si ky hambar droge ka me qindra në gjithë vendin, sepse zotërohen nga të paprekshmit, nga miqtë e Edi Ramës, nga bandat e lidhura me të. Ky është sundimi i vendit me drogë e trafikantë. Shqiptarët duhet të ngrihen e të bashkohen kundër këtij regjimi krimi e droge. Shqipëria meriton punë të ndershme, rend e siguri. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, u shpreh Alibeaj.
Në Bashkinë e Krujës, kryetari Artur Bushi, i njohur për të kaluarën e tij të errët të lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Itali, vend ku edhe është dënuar, i ka hapur shtegun trafikantëve dhe njerëzve të tij për të mbjellë masivisht kanabis. Mbjellja me kanabis në fshatrat e Krujës bëhet nga njerëzit e Bushit me bekimin e Ramës. Bandat e trafikut po e zhvillojnë lirshëm aktivitetet e tyre kriminale të mbjelljes dhe trafikut të drogës, duke patur mbështetjen e pushtetit në çdo hap të tyre.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë. Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin e lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga policia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët. Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.

Sipërfaqet e kultivuara me drogë këtë vit janë rritur me 25 %

Raporti sekret i shërbimeve inteligjente italiane e gjermane qe një goditje e fortë në stomak ndaj përpjekjeve të Ministrisë së Brendshme për të quajtur sukses një luftë të humbur me kultivuesit e kanabisit që në fillimin e saj. Sipërfaqet e kultivuara me drogë këtë vit janë rritur me 25 për qind, siç raportonte pak muaj më parë gazeta italiane “Corriere della Sera”, duke iu referuar një raporti të policisë italiane. Raporti i fundit dëshmon për një situatë më dramatike. Janë 363 zona në të cilat kultivohet kanabis prej disa muajsh në Shqipëri. Shtrirja e tyre gjeografike është nga njëri cep i vendit në tjetrin. Parcelat janë pjesë e të gjitha bashkive të reja e pothuajse të gjithë komunave sipas ndarjes së vjetër administrative. Vetë raportimet e policisë për asgjësim rrënjësh e konfirmojnë një gjë të tillë. Policia njofton pothuaj çdo ditë për rrënjë që shkul në Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Delvinë, Korçë, Ersekë, Tepelenë, Vlorë, Librazhd, Elbasan, Fier, Berat, Skrapar, Lushnjë, Kavajë, Tiranë, Krujë, Lezhë, Shkodër, Mat, Dibër, Kukës etj. Raporti sekret i shërbimeve italiane e gjermane e konsideron tashmë Shqipërinë si një prej prodhuesve kryesorë të kanabisit në Europë. Tani, kryeqyteti i kanabisit nuk është më Lazarati, por vetë Shqipëria. Të dhënat e tij tregojnë se “rënia” e Lazaratit rezultoi jo si operacioni që i hapi rrugë heqjes së Shqipërisë nga lista e zezë e vendeve prodhuese të drogës, por si një rasti i izoluar që nuk pati në të vërtetë si qëllim goditjen e trafikantëve dhe çrrënjosjen e kultivimit të kanabisit në vend. “Raporti sekret dëshmon se e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit të Edi Ramës. Njerëzit e tij të besuar që janë drejtuesit e policisë në çdo qark, si Nallbati në Fier, Jeart Çela në Vlorë, Lleshi në Berat, Cullhaj në Durrës, Lenja në Lezhë, Targaj në Dibër, Alban Çela në Shkodër, Hodaj në Tiranë, Arapi në Gjirokastër, Zyberi në Korçë, të gjithë drejtuesit, shefat e komisariateve e klani i tyre, me urdhër të Edi Ramës kanë braktisur detyrën dhe janë vetëm në shërbim të ruajtjes e trafikimit të drogës”, tha dje opozita. Veç garancisë së marrë nga policia, raporti flet edhe për përdorimin e teknologjisë në ruajtjen e parcelave të kanabisit nga kultivuesit e trafikanët. Në dokument thuhet se ata përdorin edhe dronë për të mbajtur nën kontroll territorin.

A.Shahini

Artikulli paraprakMaqedonia vlen 3 pikë të arta
Artikulli tjetërSot, shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan