50 mijë euro një vendim, në kërkim burri i gjyqtares

Bashkëshorti i ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, Odhise Andrea është shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve”. Bëhet e ditur se, së fundi Interpol Tirana e ka shpallur atë person në kërkim ndërkombëtar. Fakti që së bashku me gruan iu drejtuan Italisë, e prej saj erdhi vetëm ish-¬gjyqtarja dhe jo bashkëshorti, ka shtuar dyshimet se ai mund të jetë në Itali.
Odhise Andrea së bashku me gruan, Majlinda Andrea u larguan nga Shqipëria një ditë para vendimit për arrestimin e tij dhe para se Gjykata të vendoste pezullimin e Majlindës nga detyra. Ajo u kthye me të njëjtin traget që iku në Itali, përmes Durrësit, por burri i saj, ndaj të cilit ishte caktuar “arrest me burg”, nuk u kthye.
Odhise Andrea akuzohet se përmes sekserit Petraq Dashi ka marrë 50 mijë euro, që e shoqja të jepte një vendim në favor të Ilia Çabirit dhe Eleni Linos, për njohjen e pronësisë së rreth 40 hektarëve tokë në Butrint. Një ditë pas dhënies së parave, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe Majlinda Andrea, u shpreh në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.
Gjykata pak ditë më parë vendosi që Eleni Lino të hetohet në masën arrest shtëpie, ndërsa Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi u lanë në arrest me burg. Një ditë më parë, Prokuroria vendosi sekuestro për 50 mijë euro të çiftit, në dy banka të nivelit të dytë.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërRama i fsheh Prokurorisë vrasjen e kryer nga Shullazi