470 mijë plotësuan lotarinë amerikane në vetëm dy vjet

200 mijë shqiptarë plotësuan formularët për të përfituar nga lotaria amerikane dhe për të emigruar drejt SHBA-së në vitin 2016. Shifra për vitin 2017 nuk u reklamua me bujë nga mediat pranë qeverisë amerikane, por burime zyrtare saktësojnë se në vitin 2017 numri i kërkesave për lotarinë amerikane në Shqipëri u rrit duke kapur shifrën e 270 mijë personave. Në bilancin e dy viteve, 470 mijë shqiptarë kanë kërkuar të largohen vetëm drejt Shteteve të Bashkuara pa llogaritur këtu mijëra të tjerë që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.
E veçanta në këtë valë të re emigrimi është se tashmë qytetarët thjesht ikin heshturazi e nuk kthehen, por nuk kërkojnë azil. Edhe gjatë vitit 2017 qytetarët shqiptarë vazhduan ta braktisin vendin në masë të konsiderueshme, duke kërkuar ta ndërtojnë jetën e tyre në shtete të tjerë.
Vëzhgimi i revistës “Monitor”, zbuloi një tjetër rritje të fortë të ikjes së shqiptarëve, tregues i emigrimit të shtuar edhe gjatë vitit 2017. Nga të dhënat e INSTAT për 10-mujorin e 2017, largimet pa kthim të shqiptarëve shënuan një rritje të re, në diferencën mes udhëtarëve që dalin dhe atyre që hyjnë nga kufiri.
Sipas vëzhgimit të revistës “Monitor”, grafiku i largimeve të shqiptarëve ka 3 kulme maksimale; në vitin 2011 kur Shqipërisë iu hoq regjimi i vizave, një kulm tjetër është viti 2015, kur u vërtetua se kishte shumë aplikime për azil, dhe tani në 2017, që njerëzit ikin dhe nuk deklarojnë asgjë as kur nisen dhe as kur mbërrijnë.
Drejtuesja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, theksoi se në mungesë të një regjistrimi të popullatës, kjo mënyrë e tërthortë është e vetmja për të regjistruar largimet e njerëzve, pra përmes raportit të atyre që ikin dhe atyre që kthehen, një diferencë që sa vjen dhe thellohet.
“Ritmi i ikjes së shqiptarëve në 10 muajt e 2017 është po aq i lartë sa edhe në vitin 2015, kur shifrat arritën rekord maksimal. Njerëzit ikin nga mungesa e alternativës, sidomos të rinjtë. Firmat, bankat, call centerat po shkurtojnë vendet e punës. Punëdhënësi më i madh privat aktualisht është një kompani lojërash fati”, tha zonja Liperi.
Në një pjesë të konsiderueshme të shifrave, bëhet fjalë për largime të fshehta e të padeklaruara të shqiptarëve.
Ata thjesht udhëtojnë jashtë vendit dhe nuk kthehen brenda afateve ligjore, mbeten jashtë dhe nuk deklarojnë statusin e tyre.
Një pjesë kërkojnë azil, por një pjesë nuk kërkojnë azil, ata kërkojnë punë dhe jetesë jashtë vendit pa treguar asgjë rreth vetes, e duke humbur çdo gjurmë.
“Mendoj se u duhet rënë këmbanave të alarmit, sepse Shqipëria po zbrazet edhe nga mjekët e profesorët edhe nga rinia e nga fuqia punëtore. Me këto ritme po plaket popullata dhe po nisin probleme të rënda sociale e ekonomike. Shqipëria nuk është vetëm e politikanëve, por është e të gjithëve”, – tha sociologu Gëzim Tushi.
Sipas të dhënave të fundit, diferenca mesatare historike për kthimin është negative midis 200-250 mijë persona, duke llogaritur edhe periudhën 3-mujore që kanë të drejtë të rrinë andej.
Ekspertët pohojnë se kur shifrat kapërcejnë befas, edhe shkaqet që i sjellin ato ndryshime janë të forta”.

Artikulli paraprakBizneset e vogla: Rrënim me TVSH-në
Artikulli tjetërTeknologjia ecën, por numri i ndërmarrjeve që shesin online në Shqipëri ulet!