4550 biznese shtohen si borxhlinj në tatime

Numri i bizneseve që janë klasifikuar si tatimpagues të këqinj në tatime vijoi të jetë i lartë edhe këtë vit. Sipas të dhënave në Web-in zyrtar të tatimeve u pa se në periudhën dhjetëmujore, bizneset që nuk respektuan afatet për pagesën e taksave arritën në 4550 subjekte. Ky numër ishte i lartë po ta krahasojmë me vitin e kaluar, ku për të gjithë vitin, bizneset borxhlinj që iu shtuan rishtas listës së zezë ishin 3489.
Siç shihet nga lista, bizneset që nuk kanë paguar detyrimet, janë persona fizikë, një tregues ky që biznesi i vogël dhe sidomos tregtia me pakicë, është duke përjetuar një krizë për ekzistencë prej konsumit të dobët dhe përqendrimit të shitjeve në qendrat tregtare dhe supermarkete.
Sipas të dhënave nga tatimet, bizneset borxhlinj, të cilat do t’i nënshtrohen mbledhjes me forcë të detyrimeve, arritën në 19144 në fund të tetorit.
Legjislacioni tatimor, e cili shërben si bazë ligjore për marrjen e masave të sigurimit dhe fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve ndaj tatimpaguesve që kanë detyrime të papaguara, përcakton se, nëse tatimpaguesi nuk paguan në datën e caktuar detyrimin tatimor, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e nevojshme, për të përmbushur detyrimin tatimor të tij.
Masa e sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar mund të jetë, sipas rastit, barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore. Vendimi për të vendosur një barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit bëhet me shkrim nga drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të ose titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore.
Para vendosjes së një barre siguruese dhe/ose barrë hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit, ky i fundit duhet të njoftohet me shkrim. Njoftimi duhet të përmbajë të gjithë informacionin lidhur me to.

Artikulli paraprakMoody: Borxhi i lartë sfidë për Shqipërinë
Artikulli tjetërVetëm 10% e shqiptarëve kursejnë për pleqërinë