4 të vrarë në 24 orë për drogën në Vlorë

Numri i të vrarëve për drogën është rritur frikshëm gjatë kohëve të fundit në Vlorë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar katër viktima në det dhe shkaqet e vrasjeve lidhen me trafikun e drogës drejt Italisë.
Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili bën të ditur se, kohët e fundit mbi 20 djem janë mbytur në Vlorë, dy prej të cilëve vetëm në ditët e fundit nga i njëjti fshat, u mbytën me skaf droge.
“Qytetari dixhital denoncon: Kohët e fundit mbi 20 djem duket se janë mbytur në Vlorë, dy ditët e fundit nga i njëjti fshat u mbytën me skaf droge. Kjo është dhurata që Edvin Kristaq Rama i bëri Vlorës, duke shndërruar Shqipërinë në Kanabistan!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje. Doja t’ju thoja për mbytjet në det kohët e fundit që janë bërë rutinë e përditshme këtu në Vlorë dhe për fat të keq s’flet asnjë përse ndodhin. Pasojat kush janë, dy të mbyturit në ditët e fundit me skafe droge dhe nga i njëjti fshat, nga Gjormi, dhe flitet se janë mbi 20 djem të humbur pa adresë. Vlora mban sytë nga deti, pret djemtë. Fatkeqësi, fatkeqësi, e jo nga turizmi. Ju lutem bëjeni publike!”, shkruan qytetari.
Ditën e djeshme u gjet një trup i pajetë në det. Kanë qenë anëtarët e ekuipazhit të një anije peshkimi, ata që kanë parë fillimisht trupin e pajetë në ujë. Viktima e seksit mashkull është gjetur 7 milje larg nga vendi i quajtur Kepi i Selitës, plazhi i “Gjeneralit”. Trupi i pajetë është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, për të verifikuar nëse viktima ka shenja dhune.
Po ditën e djeshme u gjet trupi i pajetë i një adoleshenteje në lumin Shkumbin në qytetin e Rrogozhinës. Trupi i pajetë u gjet rreth orës 15:40 në fshatin Çërmet. Pas verifikimeve u zbulua se viktima është 15-vjeçarja M.M., banuese në Çermë të Lushnjës. Nuk dihen shkaqet e mbytjes së adoleshentes.
Mëngjesin e të premtes u zbulua nga disa peshkatarë trupi i pajetë i një personi në afërsi të Sazanit. Policia e Vlorës u njoftua rreth orës 9:00, nga një peshkarexhë që po peshkonte në këtë zonë. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes, u nisën mjetet lundruese të Policisë Kufitare, të cilët nxorën trupin e personit, i cili ishte e vështirë të identifikohej. Pas verifikimeve është zbuluar edhe identiteti i viktimës, i cili ishte Numan Lazaj, nga Vlora. Ai është njohur prej familjarëve nga rrobat, megjithëse ishte dëmtuar në fytyrë, duke hedhur dyshime se ai mund të jetë vrarë për 1.2 ton drogë që do të trafikohej drejt Italisë.
Policia dyshon se, viktima është një prej personave që ndodheshin në një gomone, e cila u gjet e mbytur të enjten, ndërsa pranë zonës me 12 mars, gjeti edhe rreth 1.2 ton kanabis sativa. Dyshimet për dy persona që gjendeshin në gomone, mund të kenë qëndruar në ujë që prej datës 12 mars, kur edhe është gjendur mjeti lundrues.
Sipas dyshimeve të policisë në këtë gomone kanë qenë dy persona. Ndërkaq, policia është në kërkim të trupit të personit të dytë, i cili dyshohet se ka qenë në gomone dhe se dyshohet se mund të jetë mbytur gjithashtu. Dy ditë, pasi mes gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit në Vlorë u gjetën mbetjet e një skafi, peshkatarët kanë gjetur në det trupin e pajetë të Numan Lazajt.
Para tre ditësh u gjet trupi i një 31-vjeçari të dekompozuar në bregdetin e Zvërnecit në qytetin e Vlorës. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e 31-vjeçarit Luan Isai, kishte disa plagë në trup dhe dyshohet se ai është vrarë për drogën.

R.POLISI

Artikulli paraprakIsh-deputeti, vrasës dhe trafikantë bëhen bashkë në burgun e kryeqytetit
Artikulli tjetërTahiri në trafikun e 8 ton droge në Itali, Prokuroria nis hetimet