4 mijë euro operacioni në spitalet ‘falas’ Rama-Beqja

Që të bësh një operacion në spital duhet të paguash 4 mijë euro, në të kundërt mjekët nuk të kapin me dorë. Ky denoncim është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Korrupsionin dhe mungesat e mëdha të sistemit të shëndetësisë falas Rama-Beqaj. Shpenzimet prej 4 mijë eurosh për blerjen e materialeve të operacionit. Për më shumë lexoni mesazhin e tij. sb”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje z. Berisha. Unë që po ju shkruaj jam një djalë që i ka ndodhur një fatkeqësi. Babanë tim para disa ditësh e përplasi një makinë vërtet shumë keq. Pas disa ditësh në reanimacion më në fund e nxorën në pavijon në pritje të operacionit. Faleminderit Zotit që nga ana e trurit doli pa probleme serioze, nga ana tjetër s’mundet të thuhet e njëjta gjë për kockat e këmbëve. Kocka të thyera gjithandej. Bëra një preventiv me materialet që më tha doktori që duheshin edhe dolën rreth 4000 euro.
Unë desha të dija vetëm disa gjëra nga ky shtet. 1) Pse thonë që shëndetësia është falas kur çdo gjë duhet ta blesh vetë? 2) Pse babi im që ishte invalid edhe tani rrezikon të bëhet edhe më keq nga sa ishte nuk ka asnjë të drejtë të paktën më shumë se dikush që jeta i ka dhënë gjithçka? 3) Pikë së treti, pse në Shqipëri ortopedia është kthyer në një biznes që edhe të pasur ku ju bie rreziku të shkojnë janë të frikësuar? Një observim i thjeshtë ishte fakti që të njëjtat gjëra që i përdorin këtu dhe që shiten të gjithë nga një mijë euro e sipër, në internet si tek alibaba i gjen me jo më shumë se 150 dollarë.
Pse e lejon shteti një gjë të tillë? Ku është shëndetësia falas e premtuar? Nuk po ju shkruaj për të kërkuar të drejtën, atë e di që nuk do të ma jepni ju, por që të paktën të bëhet diçka në këtë ‘sektor të hallexhinjve’ meqë është kthyer në një biznes fitimprurës edhe se vetëm zhvat njerëzit e gjorë që ju ndodh rreziku për meritë të vet apo të tjerëve. Ju shkruajta juve sepse besoj se mund të paktën të hapni ndonjë hetim nëse ndonjëherë do të vini në qeveri. Ju uroj një natë të këndshme edhe faleminderit që të paktën keni vendos një numër në të cilin të mund të raportojmë padrejtësi të licencuara nga ligji”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Dy ditë më parë u publikua një tjetër skandal i ministrisë së Beqajt. Krerët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë bllokuar për të paktën 4 muaj një ilaç të domosdoshëm për kurimin e leuçemisë dhe qelizave kanceroze të gjakut. “Bëhet fjalë për ilaçin e quajtur “Fludarabine-10 mg”, ekskluzivitetin e së cilës e ka pasur kompania “Sanofi-Aventis”, ndërsa kur kjo e fundit aplikoi në korrik 2015 për rinovimin e të drejtës së importit të ilaçit, kërkesa u refuzua nga komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë. MEMO-ja zbulon se refuzimi nuk u shoqërua me arsyetim.
Por ndërkohë në lojë kishte hyrë dhe një kompani tjetër e quajtur “Incomed”, e cila kërkonte leje për importin e këtij ilaçi dhe kërkesa e kësaj kompanie u aprovua për 48 orë, ndërsa pak më vonë jepet dhe leja e importit. Miratimi i çmimit CIF nga Komisioni i Çmimit të Barnave është kusht thelbësor që paraprin importin e një bari të autorizuar në vendin tonë. Nëse ky çmim nuk është i miratuar, nuk mundet kurrsesi të lëshohet autorizimi i importit, element përbërës i formatit të tij”, shkruhet në MEMO. Ndërsa më tej, MEMO-ja sqaron se çmimi i aprovuar ishte dhe më i lartë: drejtori i Agjencisë tejkalon kompetencat duke lëshuar autorizim importi për një bar të autorizuar (të regjistruar) pa patur një konfirmim zyrtar të çmimit CIF të barit dhe për më tepër me një diferencë prej 40.2 euro/kuti nga çmimi i listës së rimbursimit (390 euro/kuti kundrejt 430.2 euro/kuti në autorizim) dhe një diferencë 180.2 euro/kuti (430.2 euro–250 euro i miratuar nga Komisioni i Çmimit të Barnave)”, qartëson MEMO-ja.

R.POLISI

Artikulli paraprakE vërteta, ja djali i kujt është Taulant Balla
Artikulli tjetërI dashur Edi Rama