4 drejtuesit e policisë akuzohen për 21 tonelatat e drogës në Vlorë

Katër drejtuesit e Policisë së Shtetit që u është lëshuar fletë-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzohen edhe për 21 tonelatat e drogës të sekuestruara në dhjetor të vitit 2016 në Vlorë. Më 12 dhjetor 2016, PD denoncoi publikisht kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri, që mbrojnë kokat e policisë për 21 tonelatat e kanabisit të bllokuar nga Prokuroria në Vlorë. Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur se, Rama dhe Tahiri jo vetëm i bënë rezistencë Prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent.
PD bëri të ditur atëherë ndër të tjera se, çdo javë ka një ngjarje që dëshmon inkriminimin e tij e të ministrit të Brendshëm dhe lidhjet që kanë me trafikun e me bandat. “Aksioni i kapjes së 21 tonë kanabis në Vlorë është një prej këtyre rasteve. Rama e Tahiri jo vetëm i bënë rezistencë Prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent”, thuhej në deklaratën e PD.
Më tej, në deklaratën e PD thuhej se, sipas të dhënave të sigurta ky rrjet i organizuar komadohej pikërisht nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaert Çela, përmes shefit të postës së Selenicës, Enkeleid Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku dhe shefit të krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila. “Gjurmët e Ramës dhe Tahirit, dhe urdhrat e tyre janë kudo ku mbrohet droga e krimi. U fsheh vrasja e 3 ditëve më parë në Shëngjergj. Një ekzekutim mafioz për hesapet e drogës, i 8-ti në muajt e fundit. Po kur ekzekutimet ndodhin për parcelat me kanabis, ato nuk raportohen ose paraqiten si vetëvrasje. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë armiqtë e policisë, tradhtarët e burrave dhe grave në uniformë. Ata kanë krijuar paligjshmërinë më të madhe në vend, duke pesëfishuar parcelat me hashash që i menaxhojnë me kupolën e tyre të inkriminuar në polici. Kjo është e vërteta e drogës dhe e krimit që nuk fshihet dot nga sallat me regji qendrore. Rendi, policia, shteti do të jenë më mirë pa Edi Ramën”, thuhej në deklaratën e PD.
Operacioni i sekuestrimit të drogës u organizua nga Prokuroria për Krime të Rënda pas raportit të SHISH, pasi Drejtoria e Policisë së Vlorës hezitoi për shkak se në kultivimin e kanabisit ishin përfshirë zyrtarë të lartë policie. Burimet nga grupi hetimor sqarojnë se, operacioni që u zhvillua në Vlorë mbrëmjen e 4 tetorit, u zhvillua pas përgjimeve të SHISH dhe u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilët nuk lajmëruan Policinë e Vlorës, por u nisën drejt vendngjarjes me forcat e FNSH-së nga Tirana.

Artikulli paraprak4 drejtuesit e lartë të policisë të shpallur në kërkim janë larguar
Artikulli tjetërPD denoncoi para dy vjetësh drejtuesit e policisë që bashkëpunonin me Habilajt