35 ditët e zymta të Barcelonës! Komentet e Messit thellojnë krizën

Përderisa Josep Maria Bartomeu po mbante fjalim në festën e organizuar për Vitin e Ri, ai ishte i buzëqeshur, fliste me bordin drejtues dhe ua gjithëve një vit të lumtur, duke i siguruar se klubi do t’i qasej vitit 2020 me shumë ambicie.

Por, ajo që Bartomeu nuk e dinte ishte se, vetëm një muaj më vonë, klubi katalonas do të ishte duke e përjetuar një start të tmerrshëm të vitit të ri, shkruan e përditshmja spanjolle Marca.

Ernesto Valverde ishte në probleme në atë kohë, por, të paktën publikisht, ai s’dukej se ishte afër shkarkimit. Vetëm pak ditë pasi hymë në vitin 2020, Barcelona u nis në Arabi Saudite për Superkupën e Spanjës, ku katalonasit u mposhtën nga Atletico Madridi dhe Valverde e pagoi këtë me punën e tij.

Klubi dëshironte që Xavi Hernandez ta merrte detyrën e trajnerit, madje zyrtarët e klubit u takuan me ish-lojtarin e Barcelonës para se të shkarkohej Valverde. Por, Xavi i refuzoi – ashtu siç bënë më vonë edhe Ronald Koeman dhe Mauricio Pochettino.

Pas një ditë takimesh në klub, Valverde shkoi duke buzëqeshur në seancën e tij të fundit stërvitore me Barcelonën. Quique Setien erdhi në vend të tij, falë stilit të tij të lojës, por ai s’e pati të lehtë startin. Afati kalimtar u hap dhe klubi kishte nevojë për një sulmues, shkaku i lëndimit të Luis Suarezit dhe shitjes së Carles Perezit në Romë.

Megjithatë, asnjë sulmues nuk erdhi në Camp Nou dhe tani Setien ka mbetur me vetëm tre sulmues në skuadër – Lionel Messin, Antoine Griezamannin dhe Ansu Fatin. Ky i fundit është vetëm 17-vjeçar dhe asnjëri prej tyre nuk është qendërsulmues natyral.

Megjithatë, problemet e Barcelonës nuk përfunduan këtu. Ivan Rakitici e kritikoi bordin drejtues të Barcelonës pas ndeshjes kundër Levantes dhe tani edhe Lionel Messi i ka reaguar ashpër drejtorit sportiv Eric Abidal, i cili sugjeroi se lojtarët s’punuan mjaftueshëm nën drejtimin e Valerdes.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta”, shkroi Messi në Instagram.

“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë”, shtoi ai.

“Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, përfundoi argjentinasi.

Një “luftë civile” pritet të zhvillohet në Camp Nou dhe edhe më shumë lëvizje priten gjatë ditëve të ardhshme. Realiteti është që Barcelona duhet të reagojë me veprime, shkruan Marca.

Artikulli paraprakRashica në histori të Werder Bremenit, pas golit ndaj Dortmundit
Artikulli tjetër“Eurasiareviw”: Edi Rama dhe miqtë e tij mbrojnë krimin e organizuar