3 kuintal drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 300 kg kanabis të futur nga Shqipëria. Bëhet e ditur se, dy shtetas shqiptarë, janë arrestuar në afërsi të qytetit të Kozanit, në Greqinë veriore, për transportimin e një sasie të madhe droge. Sipas komunikatës së policisë, gjithçka nisi të mërkurën paradite, kur në zonën e Kosturit u diktuan dy makina që u perceptuan si të dyshimta.
Pas një operacioni të koordinuar, policia i ndaloi të dy mjetet në afërsi të Kozanit. Në furgonin e parë, që drejtohej nga një shtetas shqiptar i moshës 33 vjeç, u gjetën 10 thasë që kishin brenda 20 pako me kanabis. Pas peshimit, rezultoi se sasia e përgjithshme ishte 304,6 kilogramë.
Policia arrestoi dhe drejtuesin e mjetit tjetër, një 24-vjeçar po nga Shqipëria, që kishte rolin e pararojës. Përveç drogës u sekuestruan 200 euro, 16 dollarë amerikanë dhe 10 paund.
U sekuestruan gjithashtu dy automjetet dhe tre telefona celularë. Shërbimi antidrogë po vazhdon hetimet për të hedhur dritë mbi destinacionin e kanabisit dhe persona të tjerë që mund të implikohen në këtë trafik. Ndërsa dy të arrestuarit do të dërgohen brenda ditës në Prokurorinë e Kosturit.
Tre ditë më parë u sekuestruan më shumë se gjysëm tonë drogë nga Shqipëria në Janinë. Rreth 700 kg kanabis sativa është sekuestruar në një zonë pyjore gjatë një aksioni të policisë greke të Janinës. Mediat lokale në Janinë shkruajnë, se droga ishte fshehur në pyje nga trafikantë shqiptarë me qëllim për t’u trafikuar drejt shtetit grek. Bëhet fjalë për 302 pako me kanabis, me peshë totale 569 kg. U sekuestruan gjithashtu edhe 3.9 kg vaj kanabisi. Nuk ka asnjë të arrestuar për sasinë e madhe të drogës së sekuestruar.
Ndërkohë, një sasi prej më shumë se 200 kg kanabis është gjetur dhe sekuestruar në një autobus në Portin e Durrësit. Jetmir Muçaliaj, shoferi i mjetit, është vënë në pranga, ndërsa pronari i autobusit, E.S. 28 vjeç, është shpallur në kërkim. Droga ishte planifikuar të trafikohej jashtë vendit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në bashkëpunim me Efektivët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre për parandalimin e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Portit të Durrësit, mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë goditur një tjetër rast.

Artikulli paraprakProkuroria sekuestron 54 ha tokë në Himarë
Artikulli tjetërShkarkarkohet kreu i SHKB të burgjeve