3 aksidente në 30 minuta, policia qëllon në ajër

Një operacion policor i ngjashëm me një skenar filmash aksion ka ndodhur mesditën e djeshme në Tiranë. Një mjeti “Touareg” i është bërë shenjë nga Policia Rrugore që të ndalojë, pasi ka qenë duke ecur në kundravajtje, por mjeti nuk i është bindur policisë dhe ajo është vënë në ndjekje të tij.
Në ndihmë të policisë kanë ardhur dhe Forcat Operacionale. Për t’i shpëtuar ndjekjes, në zonën e “Zogut të Zi”, “Tuaregu” ka përplasur qëllimisht 3 mjete në lëvizje, duke shkaktuar kaos në trafik. Pas rreth 30 minutash ndjekje, policia ka mundur ta bllokojë mjetin “Tuareg” në zonën e quajtur “kupola” pranë Drejtorisë së Doganës, ku është detyruar të qëllojë dhe në ajër për të neutralizuar drejtuesin e tij.
Drejtuesi i mjetit është vënë në pranga dhe pas kontrollit fizik, atij i është gjetur edhe një armë zjarri, e cila u sekuestrua nga policia. Pas verifikimit, policia ka dyshime se i arrestuari është një person i rrezikshëm, i dyshuar për vepra të rënda kriminale dhe “gjobëvënie”. I arrestuari me origjinë nga Lekbibaj i Tropojës, u shoqërua në Policinë e Tiranës ku po merret në pyetje për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Artikulli paraprakDigjet makina e drejtorit të Policisë së Burgut Rrogozhinë
Artikulli tjetërProkuroria sekuestron 52 mijë m2 tokë në Zvërnec