Vlora e tradhëtuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha hapi dje fushatën elektorale në qytetin e Vlorës, ndërsa ftoi vlonjatët t’i bashkohen projektit për Republikën e Re. Basha u prezantoi vlonjatëve progrmin ekonomik dhe projektin e tij për të kthyer pushtetin në duart e qytetarëve. Basha shprehu bindjen se më 25 qershor, Vlora ashtu si dhe gjithë Shqipëria do të ngrihet për t’i dhënë fund republikës së vjetër. “27 vite më parë, a ishte kjo ëndrra që bashkë ne themeluam, a e prisnit apo e mendonit se pas 27 vitesh do diskutohej akoma për zgjedhje të lira dhe të ndershme, se shteti do ishte kaq i padrejtë, se ekonomia do funksiononte vetëm për një grusht qytetarësh, se shqiptarët do të kërkonin të iknin masivisht, a nuk janë tradhëtuar shpresat tuaja, pritshmëritë tuaja, a nuk ju ka lënë politika në baltë, të djathtë e të majtë. Kjo është e vërteta. Sepse politika u kthye në një moçal. Më 25 qershor Vlora do të çohet, më 25 qershor vlonjatët do të marrin Vlorën në dorën e tyre. Duke votuar për Republikën e Re, ju votoni për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë për çdo shqiptar. Republika e Re do të ketë në qendër të vëmendjes së saj qytetarin e thjeshtë, ky është ndryshimi i madh mes asaj që lëmë pas dhe të resë që lindi jo thjeshtë dhe vetëm si ideja ime, por lindi si nevoja për të patur një shtet të njëjtë si ata ku sot emigrojnë shqiptarët. Keni dëgjuar ditë për ditë lloj lloj fabulash e tregimesh nga Edi Rama në televizion, edhe sot merrej me çdo gjë vetëm me ekipin tonë fitues, me ekipin tonë e ka merak të veçantë. Pse? Sepse e ka frikë ekipin fitues të Lulzim Bashës, sepse është ekipi që do ta mposhtë. Me një gjë nuk po merret dot. Dhe këto janë pyetjet më të rëndësishme që shqiptarët kanë. Ku i ka premtimet? A do ta lini ju të shkojë pa ju dhënë llogari? As unë nuk kam ndërmend ta lë”, tha Basha. “Katër vite dhe nuk ndërtove dot Lungomaren, dy vite m’u deshën mua për të ndërtuar Rrugën e “Kombit”. Katër vite dhe nuk rrite dot as pensionet, as nuk hape vende pune, akoma s’ke hapur negociata për një vit e gjysmë, për një vit e gjysmë iu hoqa vizat shqiptarëve dhe iu ktheva dinjitetin”. Katër vite qeverisje me bilanc zero në investime dhe shërbime ndaj qytetarit. Basha u ndal tek mungesa totale e investimeve nga ana e qeverisë Rama, ndërsa garantoi se nën drejtimin e tij, qeveria do t’i përgjigjet problematikave dhe shqetësimeve të qytetarëve, duke ofruar zgjidhje për ta. Ai tha se me qeverisjen e PD të gjithë, burra, gra, të moshuar, të rinj, studentë do të gjejnë mbështetje në zgjidhjen e problemeve të tyre. “Edi Rama kishte katër vjet qindra milionë euro mandat të plotë parlamentar dhe i shpenzoi për qejfet dhe tekat e tij, për ekspozia e ndeshje futbolli e basketbolli, ju braktisi dhe ju harroi. Për mua, Shqipëria janë shqiptarët, për Vlorën janë vlonjatët, unë nuk do të jem kryeministri i batutave dhe barsaletave, as i teatrit të vjetër të kukullave as i estradave, unë do të jem kryeministri i vlonjatëve, kryeministri i ekonomisë, i të rinjve, i studentëve. Unë do të punoj për hallet tuaja, dhe vij sot para jush me programin më të mirë ekonomik që ka njohur Shqipëria në 27 vite, të hartuar dhe të vulosur nga ekspertët më të mirë të ekonomisë botërore”, tha Basha. Kryetari i PD shprehu se, programi ekonomik i PD do të çlirojë ekonominë e vendit dhe të gjithë shqiptarëve gjithashtu, duke i hapur rrugë zhvillimit.  “Plani im ekonomik do të vihet që ditën e parë në funksion, do t’i ulim taksat. Taksë e sheshtë 9%, ulje e TVSH, eliminimi i dividentit. Do të hapim fabrika, do të mbështesim me subvencione të gjithë ata që hapin fabrika që punësojnë shqiptarët, do të mbrojmë fermerët dhe do t’i mbështesim me subvencione të drejtpërdrejta”, tha Basha.

Basha ftesë për të tretën herë Ramës, debat publik në Vlorë

Basha ka sfiduar për herë të tretë kryeministrin Edi Rama për të dalë në një debat televiziv për zgjedhjet e 25 qershorit. Nga qyteti i Vlorës, ku Lulzim Basha hapi fushatën elektorale, Basha konkretizoi ftesën e tij për debat. Kësaj radhe kreu i PD iu drejtua Ramës, duke i thënë që të bëjnë debat në Sheshin e Flamurit në Vlorë, në qytetin ku është deputet. “Fushata nesër hyn në ditën e 5 apo 6. Keni dëgjuar ditë për ditë lloj-lloj fabulash nga Edi Rama. Edhe sot merrej me çdo gjë. Me qen e me mace, me yje, me Gridën, me Saliun, ekipin tonë fitues e ka merak të veçantë. Me një gjë nuk po merret, dhe kjo është pyetjet më të rëndësishme. Ku i ke 300 mijë vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku i ke çmimet e ulëta? Vjen tani në fushatë dhe mendon se do tja hedhë pa këto premtime. Do ta lini ta bëjë këtë fushatë pa ju treguar pse premtoi punësim në këtë qytet dhe mbylli vende pune. Nga këtu, nga Vlora, Edi Rama të përsëris ftesën dhe thirrjen për debat televiziv. Eja të dalim para shqiptarëve, ti bilancin tënd, unë bilancin tim. Le të na gjykojë Shqipëria. Le ta bëjmë debatin e parë këtu meqë je deputet i Vlorës, këtu në këtë shesh. Në Sheshin e Flamurit të ftoj ta bëjmë debatin e parë televiziv elektoral. Ka 5 ditë që e ftoj në debat dhe as nuk ndihet fare. Po kthe një përgjigje mor burrë i dheut mos ki frikë. Unë e di pse ke frikë, sepse s’ke asnjë mënyrë për t’u shpjeguar para shqiptarëve për ato që the dhe nuk bërë”, u shpreh Lulzim Basha nga Vlora.

Ironia e Ristanit me Ramën dhe mashtrimet e tij

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Vlorë, Arben Ristani preferoi ta niste ndryshe fjalimin e tij para qytetarëve sot në Vlorë, ku i pranishëm ishte edhe kryedemokrati Lulzim Basha për çeljen e fushatës. Ristani bëri një krahasim mes Bashës dhe Ramës në formën e një fabule, duke treguar mosmbajtjen e premtimeve të Kryeministrit dhe duke vlerësuar punët e Lulzim Bashës, kur ka qenë në Qeveri. “Del populli për të ndërtuar dhe kërkon një fadromë ndërtimi që do t’i ndërtojë shtëpitë, dhe i del përpara një sipërmarrës Edi Rama. E shikon populli me çitjane me tuta. Dhe thotë çke bërë? Unë kur isha kryetar bashkie 11 vjet në Tiranë prisha Lanën, Parkun Rinia. Kur u bëra kryeministër prisha shtëpi e gardhe, edhe kisha prisha. Na mo zotëri se s’po kërkoj për të prishur, por për të ndrequr. Çke bërë? Kur isha kryetar bashkie, aty te Komuna e Parisit e ndërtova, me rrugë të ngushta, ku s’kalon as zjarrfikësja, pa parqe. Po tjetër çke bërë? Unë thotë çkam bërë? Unë në Vlorë kam 4 vjet që po ndërtoj një Lungomare. E kam bërë ashtu të ngushtë që po të ngeli makina të vijnë me helikopter ta marrin. E bëra me baltë, që kur të vijë deti të vejë balta deri në Orikum. Po i ndershëm je ti? Unë thotë ju premtova t’ju hap 300 mijë pune. 200 mijë shqiptarë i çova jashtë shtetit. Ju premtova në Sarandë do t’ju bëj pistë avioni, tani do ta bëj në Vlorë. Dale i thua, po me familjen si je? Po këtu s’po e zgjas se e dini vet! Vetë populli dhe i del përpara Lulzim Basha, sipërmarrës. E shikon, qenke goxha djalë po hajt të flasim. Ç’ke bërë? Kur isha ministër i Transporteve ndërtova Rrugën e Kombit bashkë me shokë, ndërtova dhe asfaltova Shqipërinë ngado. Po kur isha ministër i Brendshëm i bëra shqiptarët me pasaporta biometrike, me karta identiteti. Po kur isha ministër i Jashtëm, ju hoqa vizat dhe iu dhashë mundësinë të udhëtojnë kudo në botë të lirë. Atëherë vjen dhe flet, po mirë kam dhe unë për të ndërtuar, do ma ndërtosh dhe mua? Posi. Taksën nga 15% do ta bëj 9%, pensionet do t’i bëj 250 mijë lekë më të voglin, bujqësinë do ta subvencionoj me 100 milionë euro dhe 50 milionë euro të tjera për infrastrukturën bujqësore. Studentëve do t’ju ul tarifat e studimit  në shkollat e larta, edhe 1 vit stazh pas shkollës së lartë do t’ju a paguaj që të bëhen gati për të vajtur në punë. Dhe spitalet nuk do t’i lë pa garza dhe pa gërshërë siç i la ky që ju premtoi shëndetësi falas, por do t’i mbush plot me mjetet e nevojshme. Dhe shumë e shumë të tjera”, tha Ristani.

Agron Shehaj: Do nisin edhe njëherë historinë nga Vlora

Agron Shehaj, kryesuesi i listës së kandidatëve demokratë për Vlorën ftoi bashkëqytetarët e tij të bëjnë edhe njëherë historinë e Shqipërisë, duke nisur nga Vlora. Ai ftoi të gjithë vlonjatët të bëhen pjesë e ndryshimit të Shqipërisë përmes Republikës së Re. Ai tha se e vetmja rrugë për të “A mund të nisë edhe njëherë historia nga Vlora? E kemi një shans më 25 qershor. Kthehem sot në Vlorë për të luftuar varfërinë dhe për të sjellë mirëqenie. Ejani me ne drejt mundësisë që ofron 25 qershori”, tha Shehaj.

Më 25 qershor, thahet moçali i Republikës së vjetër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ripërsëritur premtimet e tij për Republikën e Re, gjatë një fushate elektorale në Selenicë të Vlorës. Gjatë takimit me banorët, Basha akuzoi Ramën se ka shtuar pasurinë e tij dhe të oligarkëve, ndërsa ekonomitë e familjeve shqiptare janë të varfëra. Kreu i PD deklaroi se më 25 qershor do të thahet moçali i Republikës së vjetër, ku prej 25 vitesh qëndrojnë të njëjtat bretkosa. “Në 25 qershor keni në dorë t’i jepni fund njëherë e mirë politikës së fasadës së shatërvanit. 600 milionë euro fasada në Shqipëri janë bërë për 4 vite. Kam ende imazhin e mjerimit të banorëve të përmbytur prej lumit. Rama pardje tha se, ekonomia po rritet, por populli nuk e kupton. Kur flet për ekonominë e ka për ekonominë e tij. Të një grushti oligarkësh e trafikantësh. Për të gjithë të tjerët ekonomia është katastrofë, taksat janë rritur, vende pune nuk ka. Ekonomia është në kolaps. Në 25 qershor ka ardhur koha të thajmë moçalin e Republikës së Vjetër, ku prej 25 vjetësh guasin të njëjtat bretkosa. Republika e Re do të jetë një ekonomi e fortë. Vendimi im i parë do të jetë ulja e taksave e TVSH, eliminimi i dividentit. Do japim 100 euro euro subvencione për bujqësinë, mesatarisht 50 mijë lekë të vjetra për dynym. Trau i doganës do të mbyllet për të gjitha prodhimet bujqësore, blegtorale të importit, të cilat konkurrojnë pandershmërisht me produktet e fermerëve të Shqipërisë. Do të garantojmë 10 mijë stazhe për studentët. Rama për 4 vite nuk bëri dot Lungomaren, sepse interesi i tij nuk është ndaj interesit publik”, tha Basha.

Artikulli paraprakKQZ ndan fondin e fushatës, ja sa përfitojnë partitë në garë
Artikulli tjetërApeli rrëzon dënim me 4 vite burg të gjyqtarit Rasim Doda