Pjerin Ndreu nuk përmbahet, fyen sërish policët: O barkderra, unë po haja darkë…

Tre efektivë të policisë kanë hapur kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Lezhë, Pjerin Ndreut, për shkelje të atributeve të policisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, pas orës 23.00, në zonën turistike të Shëngjinit, në ambientet e një hoteli në bregdet.

Punonjësit e policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, në respektim të rregullave antiCovid në vend. Por, pronari i hotelit ka kundërshtuar dhe policët kanë thirrur përforcime nga reparti “Shqiponja”.

Gjatë përleshjes me pronarin dhe stafin e hotelit, që nuk pranonte të shoqërohej, sipas policëve, ka ndërhyrë Ndreu duke deklaruar “Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”. “Legena, nuk e rruj për ju,” ka deklaruar Ndreu.

Për ironi, edhe në reagimin zyrtar pas këtij skandali, Pjerin Ndreu vazhdon fyerjet për policët, duke i quajtur ata ‘barkderra’.

Reagimi i Ndreut

Kallëzim penal nga policë barkderrë, që kapërcejnë kompetencat dhe kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin?!

-Që ndërhyjnë në një darkë zyrtare me prezencën e 15 kryetarëve të komunave të Kosovës, me veprime të dhunshme, kur mund të shkruanin gjobën sipas ligjit që është detyra që duhet të bënin në këto raste!

-Më e keqja është se ndërsa kryenin veprime të dhunshme në një darkë zyrtare, shumica e lokaleve të Shëngjinit ishin hapur, apo  rrinë hapur çdo natë deri në orën 02, gjë që vërtetohet me hapjen e kamerave lehtësisht.

-Pretendimi që janë fyer është mënyrë për të shmangë tejkalimin e kompetencave, veprimet e dhunshme në një darkë zyrtare dhe shpërdorimin e detyrës duke mos vepruar në lokalet e tjera që ishin hapur pothuaj të gjitha.

Duke kërkuar ndjesë për tejkalimin e orarit me 20 min, theksoj se gjoba do ishte korrekte, por jo veprimet e dhunshme.

Zhargoni që vesh media me pretendime policësh me bark të fryrë nga birra, është i tepruar.

Si drejtues i pushtetit vendor e kam për detyrë të mbaj qëndrim kur policia tejkalon masën dhe kryen veprime të dhunshme kur nuk kishte asnjë kontingjent kriminal në atë darkë.

Por pikërisht kjo është problematike, se ndërsa kontingjentet kriminale bëjnë ça të duan dhe s’i prek njeri, një shkelje që meriton gjobë për këdo, edhe për mua, bëhet gurgule!

Artikulli paraprakMasakra me 4 të vrarë në Velipojë, turistët anulojnë prenotimet
Artikulli tjetërÇfarë i ndodh trurit kur jeni të stresuar