2 ton drogë në tunelin e ushtrisë, Gjykata le në burg pronarin e tokës

Gjykata ka dhënë dje masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Andreja Gjinaj për sekuestrimin e 2 ton droge në një tunel ushtrie në fshatin Rreth-Baz në Mat, i dyshuari ka deklaruar se lëndën narkotike dhe një armë tip automatik e ka gjetur rreth një muaji më parë në breg të lumit dhe e ka transportuar tek prona që e kishte marrë me qira për mbjelljen e prodhimeve bujqësore.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Matit ka rezultuar se: Më datë 02.04.2017, në një konstruksion metalik (konteiner), si edhe në një tunel të ndodhur në fshatin Rreth-Baz, Bashkia Mat, janë gjetur një sasi e konsiderueshme lënde bimore, e dyshuar lëndë narkotike, në sasinë 2 ton e 69 kg, si dhe një armë zjarri e llojit automatik.
Rezulton se konstruksioni metalik, si dhe tuneli në fjalë ndodhet në tokën në pronësi të shtetasit S. D.
Në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi S. D. ka deklaruar se është i vërtetë fakti se ai ka në pronësinë e tij një pasuri të ndodhur në fshatin Rreth-Baz, Bashkia Mat, por këtë pronë, prej rreth një viti, ia ka dhënë me qira shtetasit Andreja Gjinaj.
Edhe shtetasi Andreja Gjinaj ka shpjeguar se ai ka marrë me qira para rreth një viti tokën në pronësi të shtetasit S. D. Në këtë pronë, në momentin që ai e ka marrë me qira, ka qenë si konteineri metalik, ashtu edhe tuneli.
Përsa i përket lëndës bimore, e cila dyshohet të jetë lëndë narkotike, si edhe armën e zjarrit të llojit automatik model 56, kalibër 7.62 mm, ai ka shpjeguar se i ka gjetur në breg të lumit para rreth një muaji. Ai i ka transportuar që nga vendi ku i ka gjetur për tek prona që kishte marrë me qira dhe i ka futur brenda në konteiner, si edhe në tunel.
Në bazë të hetimeve paraprake, Prokuroria e Matit dyshon se shtetasi Andreja Gjinaj ka konsumuar veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim; dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Artikulli paraprakFutet heroinë në burgun e Drenovës
Artikulli tjetërNegociatat e Ramës me Metën, edhe PDIU kundër zgjedhjeve pa opozitën