2 goditje në një ditë

Juventusi po vazhdon punën për t’u fuqizuar edhe më shumë në këtë merkato vere, pavarësisht largimit të Bonuccit. Kështu, bardhezinjtë, pas afrimit të Duglas Kostës, kanë arritur marrëveshjen me dy futbollistë të tjerë. I pari është Mattia de Sciglio, mbrojtësi i Milanit, një dëshirë e hershme e bardhezinjve, që do të shkojë në Torino për shumën e 12 milionë eurove. Ndërsa afrimi tjetër, është ish-portieri i Romës, Szczesney, për të cilin juventinët do të paguajnë sërish 12 milionë euro te Arsenal.
Kështu, Sczsesny dhe De Sciglio do të zëvendësojnë Dani Alvesin dhe portierin Neto, të cilët u larguan nga bardhezinjtë, në përfundim të sezonit. Sczsesny shikohet edhe si një alternativë e mirë për të zëvendësuar Buffon, kur ky i fundit të tërhiqet nga futbolli i luajtur.
Largimi i Leonardo Bonuccit vazhdon të prodhojë debat. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga transferimi i mbrojtësit të Juventusit në radhët e Milanit, kjo çështje vazhdon të prodhojë diskutime të shumta, këtë herë jo me akuza për tradhti, ose si është e mundur që një idhull i tifozërisë së bardhezinjve kreu një veprim të tillë, por në aspektin financiar dhe jo të arkave të “Zonjës së Vjetër”, por të tifozëve të kampionëve të Italisë. Një numër i konsiderueshëm fansash kanë blerë fanellat e reja të Juventusit për sezonin 2017-2018 me emrin e mbrojtësit.
105 euro është kostoja e një fanelle, por paratë së bashku me përzgjedhjen e emrit të futbollistit që kanë dashur të mbajnë mbajnë veshur, kanë shkuar dëm. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar dhe Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit në Itali. Zyrtarë të këtij institucioni i kanë bërë thirrje drejtuesve të Juventusit të marrin masa, ndaj atyre personave që kanë blerë fanellën e Leonardo Bonuccit. Alternativat e tyre janë ose t’i rimbursohen paratë e shpenzuara ose të ndërrohen me fanellën e ndonjë futbollisti tjetër, zgjedhje e cila do të lihet në dorë tifozit. Në lidhje me këtë propozim të bërë ende nuk ka asnjë përgjigje nga ana e drejtuesve të Juventusit, por që me shumë mundësi në ditët në vazhdim do të ketë dhe një reagim nga ana e tyre.

Artikulli paraprakTronditet futbolli spanjoll, në pranga Presidenti i Federatës
Artikulli tjetërDebouchy drejt largimit nga Arsenali