2.7 miliardë lekë tendera Eftimit vetëm për “këshilla”

Të gjitha paratë që studio e ortakut të Ramës ka marrë në dy vite janë vetëm një anë e përfitimeve të tij ku tenderat janë të deklaruar, por një pjesë e mirë e përfitimeve që kapin vlerën e përfitimeve prej qindra miliona eurosh nuk janë aspak të deklaruara
Studioja e Eftimit ka fituar disa qindra projekte pas vitit 2014, projektet më madhore si stadiumet, parqet apo qendrat e reja të qyteteve kanë kaluar nga studioja e Eftimit
Ortaku i Ramës, Alban Eftimi dhe kompania e tij arkitekturore “Atelier 4” është padyshim një nga më fitiprurëset brenda rrethit të klientëve të ngushtë të qeverisë. Sipas të dhënave të Open Data, në vetëm dy vitet e fundit, studio e Alban Eftimit për shërbime konsulence ka përfituar rreth 2.7 miliardë lekë tendera (273,786,339.00). Sipas të dhënave të Open Data-s, janë 57 tendera me vlera të vogla që në mënyrë të pandërprerë përgjatë dy viteve kanë mbajtur mirë me punë studion Atelier 4, e cila krahas këtyre tenderave ka qenë përfituesja kryesore dhe pjesë e aferave të çdo projekti të madh që ka ndërmarrë Rama në këto vite, mjafton të përmendim këtu projekte qindra miliona euro të ndërtimit të dy stadiumeve në Shkodër e Elbasan. Një pjesë të mirë të tenderave, studio e Eftimit i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Territorit. Ndërkohë, edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e njohur për tenderat që i ka dhënë edhe kompanisë së Ilir Beqes Intech+, rezulton të jetë një nga institucionet që i ka dhënë tendera studios së Eftimit. Në vijim, listohen ministritë, ku kampione në dhënien e tenderave ndaj studios Atelier 4 është Ministria e Zhvillimit Urban, e më pas të tjera ministri si ajo e Mirëqenies Sociale apo Kulturës. Fondi Shqiptar i Zhvillimit nga ana tjetër i jep kësaj studioje pjesën dërrmuese të projekteve të veta. Të gjitha fondet e akorduara janë për shërbimin e konsulencës dhe variojnë nga vlerat më të vogla prej një milion lekësh të vjetra e deri tek ato të larta prej 250 milionë lekësh të paguara këto për vetëm shërbimin e këshillimit. Asnjë arkitekt shqiptar nuk ka pasur në dekadat e fundit ndikimin dhe prezencën që ka sot Alban Eftimi. Ai është kudo, në cilindo projekt madhor të qeverisë dhe të pushtetit vendor. Aq e fuqishme është marka e tij “Atelier 4” sa dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit një nga drejtoritë më të rëndësishme e ka quajtur “Atelier Albania”. Studioja e Eftimit ka fituar disa qindra projekte pas vitit 2014, projektet më madhore si stadiumet, parqet apo qendrat e reja të qyteteve kanë kaluar nga studioja e Eftimit. Edhe kur është krijuar iluzioni se për projekte të caktuara kanë fituar studio të huaja, nuk ka vonuar shumë dhe është mësuar se studiot e huaja ishin koperturë dhe se përfituesi real ishte Alban Eftimi. Biznesi i projektimit dhe arkitekturës nuk ka njohur asnjëherë më parë një monopolizim të kësaj grade, ku Kryeministri ka vendosur të imponojë në mënyrë totale gustot e veta personale, të cilat ia ka besuar arkitektit të tij personal, Alban Eftimit.

“Atelier 4” pas çdo projekti të shpallur nga Rama

Pas çdo projekti qindra milionësh të shpallur nga qeveria, qëndron miku dhe ortaku i vjetër i Edi Ramës, Alban Eftimi, i njohur për pazaret e tij me Ramën, kur ky i fundit drejtonte Bashkinë Tiranë. Projektet i kalohen ortakut të Ramës pa zhvilluar asnjë tender e asnjë procedurë. Alban Eftimi ka qenë anëtar i KRT së Tiranës, kur Rama ishte kryebashkiak, i cili përgjatë gjithë mandateve të tij përmes aferave dhe pazereve i akordoi studios së Eftimit në shkelje të hapur me çdo ligj me dhjetëra leje ndërtimi, si dhe leje projektimi. Një dosje voluminoze e këtyre shkeljeve dhe vjedhjeve të Rama-Eftimit ndodhen në Prokurori. Një nga projektet e majme që i është dhënë Eftimit është ai për projektimin e stadiumit të Shkodrës “Loro Boriçi”. Firma e privilegjuar arkitekturore nga Rama, ka dhe projekte të tjera qindra milionëshe që ka futur në xhep. Një tjetër projekt, ka qenë ai i “Elbasan Arena”, të cilin “Atelier 4”, studio e Eftimit, e ekspozon edhe në faqen e vet zyrtare. Edhe në këtë rast, kuptohet që shifra e akorduar për realizimin e projektit ka qenë marramendëse. Tenderi për këtë projekt, ashtu si edhe për projektin e stadiumit “Loro Boriçi” kanë kaluar në heshtje, pa u bërë publike e pa u zhvilluar fare. Në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve për qendrat e qyteteve, ka punuar… “Atelier 4”. Dhe në fund, pas çdo tenderi për projektin më të mirë, në shumicën e tyre, është pikërisht Alban Eftimi. Në rrethet e arkitektëve në Tiranë, padyshim nuk fshihen zërat se Alban Eftimi është i preferuari i qeverisë në përzgjedhjen e punëve të mëdha dhe me shumë lekë. Duket se studiot e tjera arkitekturore, janë dorëzuar përballë “konkurrencës” së madhe që bën firma e Alban Eftimit.

Si “Atelier 4” fiton tenderat me ofertën më të lartë

Një tender i realizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, ka skualifikuar në mënyrë të dyshimtë disa kompani konkuruese, për të nxjerrë më pas fituese kompaninë ‘Atelier 4’, e njohur për lidhjet e hershme me kryeministrin Rama. Më datën 18 gusht, ministria e drejtuar nga zonja Eglantina Gjermeni shpalli fituese kompaninë ‘Atelier 4’ për hartimin e planeve urbane për Bashkitë Kolonjë, Këlcyrë dhe Përmet (Loti i 3-të). Sipas shpalljes së ministrisë, kompania ‘Atelier 4’ do e kryejë këtë shërbim me një çmim prej 46 milionë e 800 mijë lekësh. Afro 450 mijë dollarë. Disa muaj më parë, Ministria e Zhvillimit Urban hapi tenderin me vlerë rreth 800 mijë euro për “Hartimin e planeve të përgjithshme vendore për shtatë bashkitë e vendit”.
Pavarësish se pjesa më e madhe e planeve të përgjithshme vendore (të njohura ndryshe edhe si masterplane), të hartuara për të gjitha bashkitë e vendit në fund të vitit të kaluar, disa bashki i hapën procedurat e tenderit pas publikimit të Planit të Përgjithshëm vendor. Në tenderin për Bashkinë e Kolonjës, Këlcyrës dhe Përmetit morën pjesë 13 kompani, të cilat kanë marrë pjesë edhe kanë fituar edhe në tendera të tjera, përfshirë këtu kompaninë UNLAB, e cila ishte e përfshirë në hartimin e masterplanit të Tiranës, dhe ‘Atelier 4’ firma e preferuar e arkitekturës e Kryeministrit Edi Rama. Shtatë kompanitë u skualifikuan në raundin e parë, dhe vetëm 5 kompani dorëzuan ofertën financuar në raundin e dytë:
Atelier 4: 46,800,000 lekë
GAIA S.A. Meleton: 26,948,4000 lekë
A.N.G.E.A. Sovieta Cooperative Consortile + A&I Design: 45,082,866 lekë
UTS-01: 26,242,300 lekë
ABKONS + IP3: 42,700,000 lekë
Dy kompanitë GAIA dhe UTS-01 u skualifikuan në raundin e parë sepse ofertat e tyre ishin tepër të ulëta, në mënyrë aspak reale.
Gjithsesi, ndërmjet tre ofertuesve të mbetur, Komisioni i Prokurimeve Publike përzgjodhi atë që kishte bërë ofertën më të lartë, ‘Atelier 4’. Kjo vlen të theksohet, sepse zakonisht mes ofertuesve që kalojnë në raundin e dytë, përzgjidhet kompania me ofertën më të ulët. Në këtë rast ABKONS duhet të ishte përzgjedhur fitues i tenderit. Faktikisht ABKONS paraqiti një ankesë kundër vendimit të komisionit, por mori përgjigjen përkatëse më 4 korrik. Ky tender tregon edhe njëherë se vetëm një grup i vogël kompanish, të lidhur ngushtë me qeverinë kanë shanse të fitojnë tenderët për rikualifikimet dhe planifikimet urbane. Ligji për Prokurimet Publike nuk i hyn në punë askujt e është sa për procedurë.

Artikulli paraprakSkema e grabitjes të 342 hektarë tokë në bregdet
Artikulli tjetërMonitor jep alarmin për nivelin e ekonomisë kriminale