1800 faqe të antimafias italiane rrëzojnë Tahirin

Parlamenti shqiptar sot ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit
Partia Demokratike ka zhvlerësuar dje pretendimin e Saimir Tahirit dhe dokumentin e tij “të pafajësisë” të paraqitur para medias për akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria shqiptare. Saimir Tahiri doli dje në një konferencë për shtyp, ndërsa publikoi një dokument që sipas tij konfirmonte se ai nuk është në kërkim nga Prokuroria e Katanias. Në një deklaratë për mediat, Enkelejd Alibeaj nga selia e PD deklaroi se, Prokuroria e Katanias ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, në krye të së cilës është Saimir Tahiri. Ai deklaroi se Parlamenti shqiptar sot ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit. “Letra që nxori sot Saimir Tahiri mund të tundet për militantët e oborrit, por për askënd tjetër. Prokuroria e Katanias ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, sepse ata janë kapur duke e kryer aktivitetin kriminal në territorin e tyre, në Itali. Prokuroria e Katanias nuk mund dhe nuk e ka për detyrë të procedojë ministrin në Tiranë, që mbështet, lehtëson dhe i hap rrugën bandës në trafikun e drogës. Kjo është detyrë e Prokurorisë shqiptare. Pikërisht, këtë detyrë të Prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare, Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e pengojnë, duke mos pranuar kërkesën e saj. Aktakuza e antimafias italiane për Tahirin janë 1800 faqe prova, dëshmi dhe fakte të drejtësisë italiane tregojnë përfshirjen direkte të Tahirit dhe përfitimet e tij në miliona euro nga trafiku i tonelatave me drogë. Çdo qytetar shqiptar do të ishte në burg me këto prova. Por Saimir Tahiri jo, sepse ka imunitet dhe sepse e mbron Edi Rama”, tha Alibeaj. Alibeaj tha se, “Arsyet pse e mbron Edi Rama tashmë janë të qarta për këdo. Sepse është i kapur, sepse Tahiri nuk do të rrinte duarkryq, por siç ia ka bërë të ditur, do të nxirrte provat dhe materialet që ka për përfshirjen direkt të Edi Ramës, të familjarëve të tij, të ministrave të tij, në afera të rënda kriminale. Ndaj, Edi Rama jo vetëm nuk miratoi kërkesën, çka pritet ta finalizojë nesër në Parlament me votën kundër, por edhe më shumë, ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj Prokurorisë. Një sulm frontal, të paprinciptë dhe shantazhe të njëpasnjëshme, ku dallon këtu kërcënimi ndaj dëshmitarit që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda, për lidhjen e Tahirit me Habilajt. Ndërkohë që ndaloi drejtësinë të bënte punën e saj, Edi Rama i dha kohën e duhur Tahirit të pastronte shtëpinë dhe të zhdukte provat që e lidhin me bandën e trafikut të drogës. Parlamenti shqiptar nesër ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit”.

Raporti i opozitës: Provat që kapin Ramën pas Tahirit

Raporti i plotë prej 22 faqësh që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të paraqesin sot në Kuvend për të mbështetur kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda argumenton se pse Kuvendi duhet të pranojë kërkesën e Prokurorisë për hetimin dhe arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Pas shqyrtimit të akteve dhe diskutimit të çështjes, thuhet në draftin që do të kërkohet të votohet të mërkurën, anëtarë të Këshillit për Imunitetin, konkluduan se në seancën plenare Kuvendit duhet t’i rekomandohet miratimi i dhënies së autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetit Saimir Tahiri”. Opozita pasqyron të gjitha zhvillimet e tetorit 2017, kur në Itali është arrestuar Moisi Habilaj dhe disa shtetas të tjerë, të dyshuar për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Sipas opozitës, faktet e grumbulluara nga autoritetet italiane u bënë publike nga mediat italiane dhe patën jehonë të gjerë edhe në opinionin publik në Shqipëri me raportin 150 faqesh të përgjimeve ku të akuzuarit përmendnin dhe emrin e Saimir Tahirit.
“4 vjet kishin zhvilluar qetësisht trafikun ndërkombëtar të drogës, për bisedat midis familjarëve Habilaj dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, që dëshmonin për kontakte të shpeshta me deputetin Saimir Tahiri dhe për lidhje të ngushta me të, gjer tek dhënia e dhuratave dhe e shpërblimeve të paligjshme, për veten, familjarët dhe partinë politike të tij që t’i përdorte për zgjedhje, si pasojë e krijimit prej tij të mbështetjes dhe lehtësimit për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.
Po ashtu në raportin e PD- LSI thuhet se: Vëllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë patur lidhje të ngushta me deputetin Saimir Tahiri dhe duke përfituar nga këto lidhje të ngushta dhe përmes shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur, krijimin e kushteve për kultivimin në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në Shqipëri, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë shtetit, me skafe, peshkarexha dhe automjete, ndër të tjera makina “Audi” me targë AA003GB.
Gjithashtu opozita shprehet se, deputeti Saimir Tahiri ka siguruar paprekshmërinë e grupit të strukturuar kriminal.
“E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit të strukturuar kriminal, me strukturat e Policisë së Shtetit, kryesisht ato të Drejtorisë së Qarkut Vlorë, por jo vetëm. Ky bashkëpunim është realizuar, nisur nga fakti se deputeti Saimir Tahiri, kontrollonte dhe drejtonte shërbimet e Policisë së Shtetit, për shkak të funksionit që ushtronte në atë kohë, pikërisht atë të ministrit të Brendshëm. Edhe një herë në vëmendje sillet shitja e makinës së Tahirit te Habilajt, që për PD tregon favorizimin e grupit kriminal. Sa i përket qëndrimeve të mazhorancës opozitarët shtojnë se, ligji nuk kërkon që Kuvendi në procedurën e dhënies së autorizimit të vlerësojë cilësinë e provave apo shkallën e besueshmërisë së tyre. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare”.

Tahiri vendosi në shërbim të organizatës strukturat e shtetit

Në konkluzionet e raportit të deputetëve të PD-LSI thuhet se, Tahiri dyshohet se i ka vendosur në shërbim organizatës kriminale të gjitha strukturat e shtetit. Gjithashtu, sipas deputetëve, lëvizja e lirë e Tahirit në krah të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dekurajon dëshmitarët kundër tij që ndodhen brenda dhe jashtë vendit. Në raport shprehet shqetësimi mbi një rrezik real që bëhet me qëllim për t’i shërbyer Tahirit dhe bandës kriminale që është në hetim në Shqipëri dhe Itali. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo mbështetësve direkt të tij.

Konkluzionet:

Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqiperisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9906 prot., datë 19.10.2017 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda “Për dhënien e autorizimit për arrestimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Saimir Tahiri”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 313, të vitit 2017 për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë të parashikuara nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 260 të Kodit Penal. Tahiri nuk është një ish-ministër apo deputet i opozitës. Ai është ish-ministër i qeverisë, deputet i Edi Ramës, mik i ngushtë i kryeministrit. Ai si ish-ministër jo vetëm që dyshohet se ka ndihmuar organizatën kriminale dhe ka marrë shpërblime personale, por duke i vënë strukturën e shtetit në shërbim të organizatës kriminale ai ka siguruar para për zgjedhjet. Arsyeja pse duhet arresti nuk është vetëm analiza e nenit 288 të KPP, siç për një qytetar të zakonshëm, por se bëhet fjalë për mikun e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm aktual. Këta dy të fundit kanë nën mbikëqyrje provat dhe duke mbajtur Tahirin jashtë dhe duke e mbajtur nën mbrojtje, provat mund të dëmtohen, radarët, dëshmitarët që shohin Ramën në krah të Tahirit heshtin, bashkëpunëtorët e drejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pra, ka një rrezik real që bëhet me qëllim për t’i shërbyer Tahirit dhe bandës kriminale që është në hetim në Shqipëri dhe Itali. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo mbështetësve direkt të tij.

Artikulli paraprakPërgjimet e Antimafias, vjen reagimi i Popullorëve Europianë: Pavarësi drejtësisë për drogën
Artikulli tjetër“Patjetër që e kam një vijë të kuqe”