1800 faqe përgjime të reja, Tahiri sërish në Prokurori

Prokurorët shqiptarë marrin në Prokurorinë italiane të Katanias dosjen me 1800 faqe përgjime për grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Pas mbërritjes së provave të reja, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë për ta pyetur përsëri ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri në lidhje me akuzat, të cilat rëndojnë mbi të. Burime nga grupi hetimor thanë se, janë edhe disa episode të tjera, të cilat ish-ministri duhet të sqarojë në lidhje me përmendjen e emrit të tij në përgjimet e Prokurorisë italiane për llogari të dosjes “Habilaj”.
Të premten për 2 orë e 30 minuta ish-ministri Tahiri qëndroi përballë prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për pozicionin e tij në këtë çështje. Tahiri i mohoi akuzat se ka ndihmuar grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit drejt Italisë e Greqisë.
Grupi hetimor që ka në dorë këtë dosje është duke kryer disa veprime të tjera në funksion të kësaj çështjeje. Dy prokurorë ishin në Itali, ku morën një dosje me prova të reja, ndërsa prokurorët janë duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me Prokurorinë e Katanias dhe Antimafian, të cilat dokumentuan përfshirjen e Tahirit në veprimtarinë e Habilajve.
Pas mbërritjes nga Italia të dosjes me 1800 faqe përgjime për grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, rezulton se nga viti 2015 nuk përmendet më emri i ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë bisedave mes anëtarëve të bandës. Periudha e para dy viteve përkon me kohën e publikimit të lajmit se, automjeti në pronësi të Saimir Tahirit, Audi A8 ishte shitur tek familjarët e Moisi Habilaj, duke mos i ndërruar pronësinë.
Autoritetet italiane vazhdojnë hetimet për aktivitetin e grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Por gjithashtu, në vëmendje është edhe implikimi i ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës. Disa ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë autorizim për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, duke ngritur ndaj tij edhe dy akuza për trafik narkotikësh e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe e dyta, korrupsioni pasiv i funksionarëve shtetërorë. Nga ana tjetër, “Dosja Habilaj” vijon të jetë në proces nga pala italiane, ku priten edhe supriza. Burime konfidenciale bëjnë me dije se, autoritetet përtej Adriatikut pretendojnë se mes të arrestuarve si pjesëtarë të grupit mund të ketë edhe persona që do të fitojnë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, apo siç njihet ndryshe, të penduar. Hetimi për anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Habilaj ka nisur që prej 2013.
Megjithatë, Krimet e Rënda nuk kanë vetëm këtë çështje për trafikun e kanabisit me Italianë. Mes Prokurorisë dhe Antimafias italiane janë ngritur disa grupe hetimore të përbashkëta që po hetojnë disa banda të trafikut të kanabisit.

Raporti: Në Shqipëri, kanabisi kultivohet në sera dhe tunele

Në një raport të vitit 2016 të hartuar nga Qendra Monitoruese Europiane, posaçërisht për krimin e organizuar, thuhet se, në Shqipëri kanabisi kultivohet në sera dhe tunele. Raporti ishte dërguar një vit më parë në zyrat e Ministrisë së Brendshme, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror. Në raportin e Qendrës Monitoruese Europiane, të dërguar institucioneve tona nga shërbimet sekrete italiane, Shqipëria renditet si një prej vendeve me prodhimin më të madh të kanabisit në Europë.
Dokumentat konfidenciale theksojnë, se në shumicën e rasteve trafikantët ndërkombëtarë të drogës bashkëpunojnë me prodhuesit shqiptarë. Çdo vit, europianët shpenzojnë rreth 24 miliardë euro për lëndët narkotike, thuhet në raport. Partnerët italiane theksojnë se, kjo shifër është mjaft shqetësuese, duke kërkuar që të merren masa sa më shpejt të jetë e mundur për të paralizuar rrjetin e narkotrafikut me origjinë nga Shqipëria. Një tjetër shqetësim që shprehet në raportin e Qendrës Monitoruese Europiane për 2016 është edhe kultivimi i kanabisit në zonat e Jugut të vendit tonë.
Raporti i 2016 thekson se, Guarda di Financa së bashku me Ministrinë e Brendshme përdorën avionët për të fotografuar plantacionet me drogë, por që nuk rezultoi efikas në terren. Në fund, raporti problematik për Shqipërinë evidenton se, kultivimi i drogës kryhet në toka me pronësi shtetërore, në tunele, sera ose magazina.
Ky raport i përket vitit të kaluar, ndërsa në 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi edhe arrestimin e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri. Sipas organit të akuzës, ka dyshime se ai ka favorizuar grupin kriminal të vëllezërve Habilaj, të kryente trafik droge gjatë periudhës 2013-2017.

Artikulli paraprakHabilajt përdornin edhe ambulancat për transportin e drogës!
Artikulli tjetërPresioni politik shkarkoi Visho Ajazin