Basha: Mbi 100 mijë njerëz e kanë humbur vendin e punës, për këta duhet pagesë 160 mijë lekë këta 6 muaj

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vizituar sot bizneset e mobilerisë në Fushë Krujë për të shpjeguar planin me 5 pika të propozuar nga Partia Demokratike për shpëtimin e ekonomisë. Basha u shpreh se është e domosdoshme për të ndihmuar financiarisht këtë periudhë, me pagesë nga 160 mijë lekë për 6 muajt e ardhshëm 100 mijë të papunët që u hoqën për shkak të krizës.

Në takimin me një prej biznesmenëve, Basha tha se, mbi 100 mijë njerëz e kanë humbur vendin e punës, sepse pronarët, sipërmarrësit, nuk kanë qenë në gjendje t’i paguajnë. Për këta duhet të ketë një pagesë minimale.

“Më vjen shumë mirë që ke bërë një sakrificë personale për të mbajtur njerëzit në punë. Duhet ta kesh të qartë se kjo që ka ndodhur me ty është një përjashtim. 100 mijë kanë dalë nga puna këtë periudhë. E vlerësoj shumë sepse me siguri këta i ke paguar me paratë e tua. Sa i përket situatës aktuale, sepse gjendja ekonomike nuk po vjen drejt përmirësimit, me gjasa do të shkojë drejt përkeqësimit,  dua ta ndaj në dy pjesë:

Dua ta ndaj këtë gjashtëmujor deri më 25 prill, sepse më 25 prill kemi zgjedhjet dhe ne kemi një program për ta nxjerrë ekonominë nga kriza, por njerëzit me të drejtë pyesin: Po mirë, çfarë do të bëjmë deri më 25 prill?!

Këtu duhet një mbështetje e fuqishme e menjëhershme, në radhë të parë për ata që kanë humbur vendet e punës. Ti dhe disa kompani të tjera këtu jeni përjashtim, se shumë kompani të tjera janë detyruar të heqin njerëz nga puna.

Mbi 100 mijë njerëz e kanë humbur vendin e punës, sepse pronarët, sipërmarrësit, nuk kanë qenë në gjendje t’i paguajnë. Për këta duhet të ketë një pagesë minimale, sepse ata realisht janë me duart lart me sytë nga qielli, po janë familjarët, kryefamiljarë, kanë fëmijët për të ushqyer.

Ndaj një pagesë 160 mijë lekë në muaj, duhet rezervuar për ta, së paku për gjashtë muajt e ardhshëm. Për ata që i kanë hequr nga puna, por kanë nevojë t’i rimarrin, edhe ata kanë nevojë për një mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti prej 200 mijë lekësh. Këto janë për situatën aktuale.

Për situatën afatgjatë, dy janë çështjet kryesore që përmende: e para, trajnimi i punonjësve.

Për trajnimin ne parashikojmë një skemë gjermane të pjesshme: Gjysmën e kohës e harxhojnë në bankat e shkollës dhe gjysmën në biznese. Ju jeni të gatshëm t’i merrni ata si stazhierë, sipas zonës  dhe specialitetit të zonës. Tjetra ka të bëjë me nxitjen e eksportit,se këto shtatë vite Shqipëria nuk ka investuar për të nxitur eksportin dhe as për të trajnuar forcën punëtore”, u shpreh Basha.

Artikulli paraprakKryemadhi: Do ta thyejmë në mes Edi Ramën dhe çfarë ka nga pas
Artikulli tjetërHumb jetën nga Covid-19 gazetari sportiv