Ngjarja në Elbasan/ Autorët e veshur si policë ekzekutuan vëllain e Talo Çelës duke pirë kafe…

Bujar Çela është viktima e atentatit të radhës në Elbasan, i cili u ekzekutua mëngjesin e sotëm në zonën e Bradasheshit, teksa kishte zbritur nga mjeti i tij për të pirë kafen e mëngjesit, e në pritje të pasagjerëve pasi punonte si taksist.

Çela u ekzekutua menjëherë sapo u ul në një prej lokaleve që qendrojnë të hapur gjatë gjithë kohës anës rrugës, në momentin kur tre persona të maskuar si policë kanë qëlluar pa mëshirë në drejtim të tij.

Duke u favorizuar nga fakti që zona në ato momente nuk ka pasur qarkullim të madh mjetesh dhe qytetarësh, autorët kanë pasur mundësi që të largohen të pashqetësuar nga vendi i ngjarjes dhe të djegin mjetin e tyre poshtë një ure në fshatin Murras. Mjeti i djegur është një Renault me targa AA876DC, ndërsa siç shihet dhe në videon e mëposhtme, autorët janë kujdesur që të mos mbetet më asnjë gjurmë prej tij.

Vrasja e Bujar Çelës në fakt duket të jetë një hakmarrje e mirëplanifikuar ndaj vëllait të tij, Talo Çela, i cili është një prej personave më të kërkuar nga ana e Policisë në vendin tonë, pasi është i dyshuari kryesor për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, dhe ekzekutimimn e dy vëllezërve Haxhia në qytetin e Durrësit, ngjarje kjo e ndodhur rreth një vit më parë.

Vetë Çela në një intervistë nga arratia i ka mohuar të gjitha akuzat, por duket se me deklaratat e tij nuk ka bindur askënd, aq më pak armiqtë e tij, të cilët në mënyrë gjakftohtë i goditën fatalisht të vëllanë.

Policia deklaron se ka ngritur pika kontrolli në të gjithë Elbasanin dhe po kreh zonën, por duket se zbardhja e kësaj ngjarje do të mbetet sirtareve të Policisë dhe Prokurorisë, ashtu si shumë ekzekutime të tjera që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit, që nuk gjen prej kohësh qetësi.

Si për ironi të fatit jo më larg se dje në Elbasan ishte dhe ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, i cili tha se krimi në Elbasan po merrte një goditje shembullore nga ana e Policisë, por për të kuptuar përmasat e vërteta të asaj që deklaroi titullari i ministrisë, mjafton të shohim rezultatet e atentatit të sotëm.

Artikulli paraprakGjendet e vdekur një grua në Surrel
Artikulli tjetërHumb jetën nga Covid-19 farmacisti