Ndarja nga jeta e ish-deputetit të PD, Basha: Esat Çoku i përket asaj plejade politikanësh që bënë histori…

Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllime famijes së ish-deputetit të PD, Esat Çoku për ndarjen nga jeta. Basha shkruan në mesazhin e tij se, një luftëtar i vendosur për të drejtat e njeriut, Esat Çoku s’ju shmang përgjegjësisë në një moment të vështirë për Lushnjën e për Shqipërinë, dhe si një tribun i vërtetë i mendimit të lirë, bëri thirrje publike që institucionet e shtetit shqiptar të mos shndërroheshin në strehë të ish-hetuesve të diktaturës komuniste

“Familjen Çoku nuk e thyen proceset e Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1990, të 3 djemtë e saj ishin në radhën e parë të atyre që luftuan për rikthimin e lirisë në jetët tona”, shkruan Basha në mesazhin e ngushëllimit.

Mesazhi i kryetarit Basha

Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Esat Çokut, deputetit të Partisë Demokratike në legjislaturën 1992-1996.

Përfaqësues i njërës nga familjet më me traditë të Myzeqesë, Esati, së bashku me dy vëllezërit, Bedriun dhe Çaushin, si dhe me babanë e tyre, Azemin, vuajtën thuajse një shekull në burgjet e diktaturës komuniste.

Familjen Çoku nuk e thyen proceset e Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1990, të 3 djemtë e saj ishin në radhën e parë të atyre që luftuan për rikthimin e lirisë në jetët tona.

Esat Çoku ishte themelues i Shoqatës së të burgosurve politikë të Lushnjës dhe i degës së Partisë Demokratike të rrethit.

Një luftëtar i vendosur për të drejtat e njeriut, ai s’ju shmang përgjegjësisë në një moment të vështirë për Lushnjën e për Shqipërinë, dhe si një tribun i vërtetë i mendimit të lirë, bëri thirrje publike që institucionet e shtetit shqiptar të mos shndërroheshin në strehë të ish-hetuesve të diktaturës komuniste.

Si përfaqësues i pushtetit vendor e më vonë edhe si deputet në parlament, ai ja kushtoi angazhimin e tij politik kësaj kauze të shenjtë. Esat Çoku s’reshti së kërkuari drejtësi shoqërore, jo veç për të burgosurit politikë dhe pjesëtarët e atyre familjeve, kalvarin e të cilave ai e kishte parë nga afër, por për të gjithë, që në Shqipëri të mos vritej shpresa dhe vendi të fitonte kohën e humbur.

Esat Çoku i përket asaj plejade politikanësh që bënë historinë e Partisë Demokratike, në fillimvitet ’90, histori për të cilën demokratët ndjehen aq krenare dhe njëkohësisht borxhli. Sakrificat legjendare të familjes Çoku dhe amaneti për drejtësi shoqërore i Esat Çokut dhe i bashkëvuajtësve të tij kërkojnë angazhimin e të gjithëve.

Unë u gjendem pranë familjarëve të Esatit, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe vëllait Bedriut, në këtë moment të humbjes së madhe dhe shpreh bindjen se kujtimi i veprës së tij do të jetë një ndihmë e përhershme për të gjithë ne që kemi marrë përsipër barrën për ta kthyer atdheun tonë në atdheun e drejtë që ëndërronte Esati. U prehtë në paqe!

Artikulli paraprak12 pikëpyetje kritike për sovranitetin me 12 milje detare!
Artikulli tjetërVideo/ Angjelina Bregaj rrëfen dramën e 9 muajve pas tërmetit: Kanë ardhë 5-6 komisione, por asnjë zgjidhje për shtëpinë