17-vjeçarin Albi Luka e vranë në qelinë e burgut të Shënkollit

17-¬vjeçari Albi Luka, i cili vuante dënimin në burgun e Shënkollit, nuk është vetëvrarë, siç raportoi policia, por është vrarë në qeli pasi është goditur me mjete të forta pas koke. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se, informacionet nga brenda dhe jashtë burgut tregojnë se i riu nuk është vetëvrarë, por është vrarë. Berisha i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë këtë ngjarje të rëndë dhe të vendosë para drejtësisë autorët.
“Një krim tjetër i shëmtuar shtetëror në qelitë e burgut! Të dashur miq, vrasja tjetër e radhës shtetëtore duket se është 17-vjeçari Albi Luka, për të cilin njoftimi zyrtar mashtroi, duke paraqitur si vetëvrasje nga pirja e gazit. Një seri burimesh brenda dhe jashtë burgut besojnë, se i riu Luka nuk është vetëvrarë, por është vrarë brenda në burg. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së Albi Lukës, i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të nisë urgjent hetimin për këtë krim të shëmtuar dhe të vendosë para ligjit autorët e tij! sb”, shkruan Berisha.
Ndërkohë, edhe prindërit e 17-vjeçarit, i cili nga burgu i Shënkollit në Lezhë mbërriti i vdekur në spital pasditen e së shtunës 1 prill, hedhin akuza për vrasje të djalit të tyre. Ditën e ceremonisë mortore ata thanë se, djali i tyre, Albi Luka, nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje dhe nuk besojnë në vetëvrasje. Si provë, ata tregojnë shenjat e dhunës në trup dhe në kokë.
“Unë akuzoj drejtorinë e burgut të “Shën Kollit”. E kanë çuar një herë në Lezhë dhe nga aty në morgun e “Nënë Terezës”. Ai ka vdekur që në burg. Nuk ka shanse që të vrasë veten. Ai tronditje ka pasur. Ka qenë me adoleshentë, me minorenë në burg, jo me të rritur. Ai ishte goditur pas koke, kishte qepje në kafkë. Kishte shenja në trup. E kam zhveshur vetë dhe e kam parë vula¬-vula. Ai ishte dëmtuar tek koka”, shprehet nëna e tij, Violeta Luka.
“Duam drejtësi. Në burg nuk i çojmë t’i rrahin e copëtojnë. Duam rrobat e djalit”, thonë prindërit e 17-vjeçarit Albi Luka nga Fushë Kruja.
Pas denoncimit të prindërve, ekspertët e Avokatit të Popullit kanë nisur verifikimet e domosdoshme në përputhje me kompetencat që i njeh ligji. Ekspertët e Avokatit të Popullit do të kërkojnë informacione nga autoritetet drejtuese të IEVP-së së Shën Kollit, si dhe do të takohen me familjarët e të riut që humbi jetën.
Në njoftimin për shtyp, ekspertët, pas raportimit në media të dyshimeve të familjarëve të të riut për ushtrim dhune ndaj tij, do të bëjnë verifikimet e domosdoshme, në përputhje me kompetencat që i njeh ligji. Ata do të kërkojnë informacione nga autoritetet drejtuese të IEVP-së së Shën Kollit, si dhe do të takohen me familjarët e të riut që humbi jetën. Albi Luka humbi jetën në qelinë e Shënkollit dhe sipas autoriteve të burgut, ai u vetëhelmua me gaz. Por familjarët e Lukës u shprehën se, djali i tyre është vrarë.

Artikulli paraprakVeliaj dënon banorët e Tiranës që nuk e votuan
Artikulli tjetërBllokohet Dako për rritjen e çmimit të ujit