Shqipëria në punë nuk është slogan, por bindje!

Nga Jorida TABAKU

Gjatë vizitës në Zall-Herr në fshatin Qinam, mu dha mundësia të takohesha me kryefamiljarin e familjes Tusha. Beci është i vetmi njeri që punon në atë shtëpi duke punuar tokën pranë shtëpisë së tij. Me një grua të sëmurë dhe me fëmijët e tjerë në emigrim merrte një të ardhur si ndihmë ekonomike nga shteti për shkak të sëmundjes së të shqoes prej 17 mijë lekësh.

Toka që ai punonte nuk furnizohej me ujë, shtëpia që dikur përdorte ishte e rrënuar nga tërmeti që ra në Nëntor 2019 ndërkohë që gropa e krijuar në shtëpinë e rënë përdorej nga ai si një bazen ku priste shirat për të ujitur tokën. Mesjetë e vërtetë. Kërkesa e tij ishte minimale dhe e thjeshtë; kërkonte infrastrukturë ujitje që ullinjtë e mbjellë fale granteve të vitit 2010 të mos thaheshin.

Ndërsa Veliaj, që e mendon Tiranën vetëm për ta mbytur në beton, e ka harruar tërësisht këtë zonë që sot nuk ka as infrastrukturën minimale. Një njësi administrative e Tiranës e izoluar, pa rrugë, mbështetje punësimi dhe e lënë në harresë pasi kryetari është i zënë të vdesë qytetin me beton dhe gënjeshtra.

Beci, nuk kërkoi as tendera, as koncesione dhe as favore. Si çdo shqiptar që e do punën nuk kërkoi asgjë më shumë se një investim të thjeshtë dhe detyrimin më minimal që ka shteti që ai të punonte me dinjitet për të mbajtur familjen.

Besjani i vogël, vazhdonte të qendronte gjithë kohën në krah, ndërsa do t’i duhet të llogarisë se si do të shkojë në shkollë. Kjo zonë tanimë nuk ka më godinat e dikurshme për shkollë, Ministria e Arsimit i ka mbyllur shumë prej tyre edhe pse banorët kanë kontribuar edhe me tokën e tyre për t’u ndërtuar shkolla siç është rasti i fshatit Herr.

Janë këto histori që i dëgjon dhe i sheh në çdo fshat të Shqipërisë. Bujq të lënë pasdore, njerëz që duan të jetojnë me tokën e tyre dhe që injorohen me mungesë investimesh. Shembuj të gjallë dhe të prekshëm të indiferencës së qeverisë që mendon të pasurojë pak njerëz, të dhunojë votën dhe t’i ushqejë shqiptarët me mjerim.

Shqipëria ka mundësi, shqiptarët do t’i rikthehen punës ditën pasi të kenë votuar dhe larguar ata që për 7 vite i mjeruan e varfëruan. Koha ka ardhur që kjo sjellje të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Shqipëria meriton dhe do të marrë më shumë. Shqiptarët nuk janë dembelë dhe as hajdutë, janë njerëz që duan mundësi dhe ne do t’ua ofrojmë ato.

“Shqipëria në punë!” nuk është slogan por një program real, për t’i dhënë mundësi kujtdo që do të punojë.

3 15

118166

Artikulli paraprakStudimi i ri: Simptomat e Covid-19 shfaqen sipas kësaj radhitje
Artikulli tjetërNumri 2 i Policisë, operativ i Sigurimit. Alibeaj zbulon dokumentin: Si u shkel ligji për të mbrojtur Lokën dhe mbi 500 sigurisma të tjerë në Polici