Brumi i diktaturës…

Nga Elona CASLLI

Diktatura nuk vjen duke trokitur në portën tënde. Ajo nuk lajmëron njeri. Hyn vjedhurazi në të përditshmen tënde dhe në fillim ti nuk e vë re, ose më saktë nuk do ta vësh re. Mendon se është thjesht një gjendje kalimtare, e cila do të kalojë shpejt. E mendon se është si gripi, por në të vërtetë është krejt e kundërta.

Diktatura fillon me mohimin e një të drejte dhe instalohet përfundimisht me mohimin e të gjitha të drejtave.

Dalëngadalë ajo shtrin zonën e veprimit në shoqëri. Një “mos” këtu, një”mos” atje , një urdhër i prerë këtu, një urdhër i shkruar atje dhe krijohet manuali i urdhërave të cilin duhet vetëm ta zbatosh dhe reduktohesh pa e vënë re, në një qënie zbatuese.

Dhe teksa koha kalon, ankthi të mbërthen. Në fillim të ngërthen ankthi i punës dhe i urisë. Nëse të ka mbërthyer ky ankth, atëherë diktatura e ka zënë brumin e saj.

Franklin.D Roosevelt në ligjëratë të drejtë do të shprehej: “Njerëzit e uritur dhe të papunët janë brumi me të cilin gatuhen diktaturat”.

Brumi i diktaturës po zihet në Shqipëri. Me heshtjen tënde edhe ti po e zë atë brumë.

Post Scriptum- Nëse do të vazhdojmë të heshtim, shumë shpejt do ta shohim veten brenda furrës së Diktatorit, i cili me padurim do të presë që të piqemi dhe do të ushqehet me ne, me po atë dëshirë që ushqehet fëmija i vogël kur pret pranë furrës, embëlsirën e tij të preferuar.

ora

Artikulli paraprakShqipëria e izoluar nga Covid-19! Rama nuk ka më fuqi as për të…
Artikulli tjetërKush është deputeti që i është shpallur në kërkim babai…