Inceneratorët/ SPAK merr në hetim Klodian Zoton, ortaku i tij Ben Blushi nuk preket

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më në fund ka regjistruar procedim për dosjen e famshme të inceneratorëve në Shqipëri.

CNA.al ka mësuar nga burime zyrtare të SPAK se pas disa dhjetëra denoncimesh të bëra në media, por së fundi edhe nga një prej aktivistëve të Nismës Thurje, ky institucion tashmë do të hetojë dosjen famëkeqe, që fillon me 178 milionë euro dhe shkon në gati 400 milionë euro. Të gjitha këto para të taksave të shqiptarëve dhe biznesit.

Në datën 24 qershor 2020, Nisma Thurje ka depozituar në SPAK një kallëzim penal për inceneratorin e Fierit.

Shoqëria civile kërkoi që Prokuroria e Posaçme të hetojë koncesionin dhe zyrtarët që janë përfshirë. Kallëzimi është bërë për prishje të garës, barazisë në tendera, keqadministrim të pasurisë publike, falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit, evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale dhe përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Ndërkohë, sot CNA.al mësoi zyrtarisht se është prokurori Dritan Prençi, i cili do të udhëheqë hetimin në lidhje me skandalet e dosjes së inceneratorëve.

CNA.al ka raportuar me dhjetëra shkrime me fakte dhe dokumente ekskluzive si lidheshin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto nga inceneratori i Elbasanit në atë të Fierit, në Tiranë, me shtetas të huaj por edhe me kompani guacka apo fantazmë të regjistruara në Hollandë.

Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë ortakët e drejtorit të Top Channel, Ben Blushi. Ky i fundit ka në emër të bashkëshortes së tij 33% të aksioneve të EM Capital Group, e cila ka blerë 51% të aksioneve të Lori Kafe./ CNA.al

Artikulli paraprakDhunon Kushtetutën për të vjedhur deputetë, por asgjë nuk e shpëton nga fundi i tmerrshëm
Artikulli tjetërBasha: Makinacionet e kryeministrit në ikje nuk ndalin rotacionin, ndryshimet të papranueshme