Uroj që të mos bëjë zgjedhjen që bëri Gruevski

Nga Red VARAKU

Shpejtësia me të cilën reagoi faktori ndërkombëtar kundër ndryshimeve të njëanshme kushtetuese duke kërcënuar me bllokimin e integrimit dhe izolimin e Shqipërisë, i ka tronditur themelet e rilindasve, sepse ata i dinë pasojat e çdo vendimi në kundërshtim të vullnetit të tyre, aq më tepër kur bēhet fjalë për rregullat bazë të pluralizmit dhe demokracisë, që është investim 100% i tyre.

Vendosmëria e Perëndimorëve dhe kërcënimi i tyre me bllokim të integrimit e ka asgjësuar atë ndjenjën e triumfalizmit tek ata që po kërkojnë të bëjnë një akt ekstrem, kundër sistemit dhe demokracisë. Kjo sepse ata i dinë mirë pasojat që vijnë në rast përplasje me Perëndimin.

Nuk jam i sigurt, nëse vërtet mazhoranca do t’i realizojë ato që thotë, por ajo që e shqetëson kryeministrin, është se askush nuk po i troket në derë për t’i ofruar një garanci për të ardhmen e tij.

Mazhoranca është e pështjelluar, jo vetëm sepse po has çdo moment me refuzimin e prerë të opozitës për çdo ofertë të tij, por edhe sepse nuk ka ngjallur aq panik sa mendonte me kërcënimin për ndryshime kushtetuese.

Këto dy çështje janë sot edhe halli më i madh politik i mazhorancës.

Pra, ajo po kërcënon me një akt që shemb sistemin e pluralizmit dhe rregullat e lojës në një Republikë Parlamentare, që në thelb janë një grusht i hapur shteti, por çuditërisht as opozita dhe as faktori ndërkombëtar nuk duken të shqetësuar për këtë.

Në kohën që Rama kërcënonte se do t’i bënte këto ndryshime kryetari i opozitës së bashkuar ndodhej në një vizitë, që është cilësuar ndër vizitat më të suksesshme të një lideri politik shqiptar në Prishtinë, ndërsa faktori ndërkombëtar as nuk është trazuar për t’i ofruar një varkë shpëtimi.

Dhe nuk kanë faj kur mendon se prej 30 qershorit ata janë investuar për një zgjidhje paqësore të krizës shqiptare.

Kanë duruar spërdredhjet dhe llastimet e Ramës, por me presion dhe durim arritën ta detyronin të pranonte Këshillin Politik dhe marrëveshjen e 5 qershorit, që në fakt ishte një mekanizëm, i cili në fakt delegjitimonte parlamentin, por garantonte një zgjidhje paqësore të krizës.

Jo më kot dokumenti i marrëveshjes ishte në anglisht dhe u përshëndet si nga BE ashtu dhe nga numri dy i SHBA-ve, z. Mike Pompeo.

Ndaj, pas gjithë këtij investimi, kush mendon se SHBA, BE dhe Opozita e Bashkuar do të tërhiqen nga vendimi i tyre për t’i rikthyer shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur me votë të lirë qeverinë e tyre, e ka shumë gabim.

Pas gjithë këtyre përpjekjeve ata nuk mund të tolerojnë më askënd dhe është e qartë që nuk do të tolerojnë. Rama ka në dorë vetëm të zgjedhë. Uroj që të mos bëjë zgjedhjen që bëri Gruevski për t’iu kundërvënë Perëndimit.

Kjo jo aq për Ramën, sepse do të ketë padyshim ndëshkim më të ashpër se ai dhe këtë e lusim të gjithë, por për popullin shqiptar, i cili nuk meriton më të presë në dyert e ëndrrës së tij më të madhe.

Artikulli paraprakMeta reagon pas qëndrimit të Gjermanisë: Koha për t’i dëgjuar avokatët më seriozë për të ardhmen europiane të Shqipërisë!
Artikulli tjetërIsh-ministri i PS: Sulltanit tonë po i vjen fundi, duhet rrëzuar…