Europa, 10.3% rritje për lejet e ndërtimit, Shqipëria, 167%

Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullisë janë me tkurrje në vitet në vijim. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB. Nga ana tjetër shumë vende të Europës, ato më të zhvilluara po përballen me shtim të popullatës prej emigracionit nga vendet e Lindjes se Mesme dhe atyre të Afrikës së Veriut.
Mirëpo në paradoks me këto zhvillime Shqipëria ndodhet para një bumi ndërtimesh. Përveç lejeve të dhëna deri më tani është lajmëruar ndërtimi i të paktën 15 kullave shumëkatëshe, tre prej të cilave pritet të nisin punë që këtë vit. Tendenca ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2, nga të cilat 43 leje ishin në Tiranë.
Eurostat shpjegon se indeksi i lejeve të ndërtimit u rrit në shumicën e shteteve anëtare të BE-së në mes të tremujorit të parë të vitit 2014 dhe tremujorit të parë të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe, rritjet më të larta u regjistruan në Hungari, ku numri i lejeve të ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 157%. Më tej në renditje vjen Portugalia me një rritje 39 për qind krahasuar me 2015, më pas Maqedonia dhe Serbia me një rritje me nga 26% secila. Holanda dhe Rumania ishin të vetmet që pësuan rënie të numrit të lejeve të dhëna për ndërtim, respektivisht me 4.7 dhe 1.7%, ndërsa rritje të vogël të numrit të lejeve patën shtete të tilla, Greqia dhe Çekia.
Eurostat e sheh indeksin e lejeve të ndërtimit si treguesin më të hershëm që paralajmëron një krizë të afërt ekonomike. Si në BE ashtu edhe në zonën e euros, i ashtuquajturi “indeks i zonës së katit”, që do të thotë zona e përdorshme e dyshemeve të përfshira në lejet e ndërtimit, thuajse u përgjysmua në mes të viteve 2007 dhe 2009. Kjo rënie u shkaktua ndjeshëm nga rënia në sektorin e ndërtimit në Spanjë dhe Irlandë. Pas një periudhe të shkurtër stabiliteti në vitin 2010, indeksi vazhdoi të binte dhe arriti pikën më të ulët në vitin 2014.
Që atëherë, indeksi i zonës së kateve të lejeve të ndërtimit ka treguar shenja të rimëkëmbjes, me një rritje prej 26% në BE dhe një rritje prej 24% në zonën e euros nga 2014 në fillim të 2017. Në BE, indekset e banimit arritën kulmin në tremujorin e fundit të vitit 2006 dhe pastaj filluan një rënie të vazhdueshme dhe të shpejtë, e cila zgjati 2 vjet. Gjatë viteve 2010 dhe 2011 niveli i indeksit mbeti relativisht i qëndrueshëm, por që atëherë ka rënë edhe më tej, edhe pse jo aq dramatikisht sa më parë. Në vitin 2015 dhe 2016, nivelet e indeksit u rritën pak. Numri i lejeve të ndërtimit është mjaft heterogjen ndërmjet shteteve anëtare. Ndërmjet viteve 2010 dhe 2016, indeksi për numrin e ndërtesave të reja u rrit në njëmbëdhjetë shtete.

138% rritja e lejeve të ndërtimit në Tiranë

Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit me një rënie vjetore 4.7 për qind, por në kryeqytet numri ka pësuar një rritje vjetore 138 për qind. Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Gjithashtu, lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016, ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 lekë në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2.
Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%. Gjatë tremujorit të parë 2017, në numrin e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, përqendrimin më të madh e kanë Qarku i Tiranës me 42,6% dhe i Vlorës me 15,8%. Në Vlorë janë 16 leje në tremujorin e parë, ndërsa në Durrës u dhanë 12 leje, në Berat 5 leje, në Elbasan dhe në Fier nga 7 leje.

Artikulli paraprakKush po i zhduk bletët, 40% e koshereve nuk mbijetuan
Artikulli tjetërPolicia tek presionet dhe blerja e votës