Reagimi i fortë i ish-ministrit: Rama kërkon që të bëjë zgjedhje njësoj si testi ‘Ç’bëri Turi?’

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë `Rama 2`, Ylli Manjani ka ironizuar iniciativën e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për zgjedhjet parlamentare.

Manjani shkruan në një postim në Facebook se, nëse ato kalohen, pyetjes “Ç`bëri Turi”, do t’i përgjigjen gjithë shqiptarët.

“Lista të mbyllura në fakt, por medemek të hapura; Votim me votë të transferueshme; Koalicion jo partish por emrash; pragu kombëtar në një garë jo kombëtare, janë reforma zgjedhore e njëanshme e Edi Ramës.

Të gjitha këto e të tjera janë propozime të cilat do prodhojnë fletë-votimi ose në formë libri ose çarçafë të gjatë.

Të keqen e provimeve të maturës!

Tani pyetjes “ç`bëri Turi?” do të duhet t’i përgjigjen gjithë votuesit. Kuptohet pasi të kenë lexuar librin ose çarçafin fletëvotimi, ashtu në këmbë dhe te kutia e kartonit medemek dhomë e fshehtë!!!

Komplikim sa më s’ka! Zgjedhësit duket sikur ftohen të shkojnë në provim e jo në qendër votimi.

Qëllimi është:

Të demotivohen sa më shumë njerëz që të marrin pjesë në zgjedhje.

Mos harroni: partia më e madhe në vend është ajo e mosvotuesve. Qeverisë i intereson që të dalin sa më pak të votojnë. Ndaj e ruan si sytë e ballit këtë “parti”…

Edhe ata që do votojnë, për shkak të komplikimit të votimit, rrezikohen tu dalë vota e pavlefshme. Pra u shkon mundi dëm.

Në vijim rritet koha e numërimit të votave, me shpresë që të dërrmojë kundërshtarin.

Ky është plani.

Sa do i ecë?

Ta shohim.

Por kush mendon se Edi Rama po ndryshon sistemin zgjedhor për demokraci, është naiv ose punon për Të!”, shkruan Manjani.

Artikulli paraprakBerisha: Kadastra e Vlorës hyn në Guiness si kampionia në botë për plumbin në zarf!
Artikulli tjetërLeksioni i 14 korrikut/ Një puç pallati s’ka armë për ta fituar Bulevardin