Ekzekutimi i 40-vjeçarit në mes të Tiranës, policia gjen 30 gëzhoja, auotorët në drejtim të paditur

Mbrëmjen e djeshme u ekzekutua në Tiranë 40-vjeçari Hekuran Billa. Krimi ka ndodhur në zonën e “Komunës së Parisit”, ndërsa Bill u qëlluar me një armë MP5, e cila nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri.

Billa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij, kur u qëllua me breshëri.

Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes mbi 30 gëzhoja, dhe më vonë në zonën e Prezës së Vogël, pak kilometra nga vendi i ngjarjes, u njoftua për një automjet të djegur, duke ngritur dyshimet se ai është mjeti i përdorur nga autorët e ngjarjes.

Dyshimet janë se vrasja mund të jetë kryer nga ekzekutorë me pagesë, ndërsa pista ku po hetohet është ajo e hakmarrjes. Gjithsesi burime policore shprehen se po hetohen edhe pista të tjera.

Sipas burimeve, autorët duket se e kanë mbajtur viktimën nën mbikqyrje, pasi ai është qëlluar sapo ka dalë nga një lokal ku kishte konsumuar kafe dhe kishte hipur në automjetin e tij, i cili rezulton i paregjistruar në Shqipëri.

Viktima prej disa kohësh kishte hapur një aktivitet të dhënies së automjeteve me qira.

Momenti i ekzekutimit të 40-vjeçarit Hekuran Billa mbrëmjen e kaluar nuk është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Sipas BW, autorët e kanë zgjedhur qëllimisht zonën që të mos regjistroheshin nga kamerat e sigurisë.

Referuar burimeve policore, ata e kanë ndjekur dhe gjurmuar 40-vjeçarin, këmba-këmbës me automjet dhe janë pozicionuar paralel me makinën e tij pikërisht në 100 metrat e zonës pa kamera në rrugën te ‘Komuna e Parisit” për ta qëlluar me 11 plumba.

Arma e përdorur në krim ishte një MP5 me silenciator, e paregjistruar në Shqipëri, por që është dërguar në laborator për ekspertizë të mëtejshme. Ky fakt shtoi edhe dyshimet se autorët mund të jenë vrasës me pagesë.

Mjeti i përdorur nga autorët e krimit është një “Benz” që rezulton të jetë vjedhur në Kukës. Ai është fiksuar nga kamerat në dalje të rrugicës ku u krye vrasja e më pas në Unazën e Re, për të mbërritur në Pezë të Vogël aty ku edhe u gjet i djegur. Nuk dihet ende se me çfarë kanë udhëtuar autorët pasi e braktisën këtë mjet.

Po ashtu mësohet se jo vetëm mjeti i atentatorëve ishte i vjedhur, por edhe targat. Rezulton se targat që mbante mjeti të jenë vjedhur në Laç rreth një vit më parë.

Pista kryesore që ka ngritur policia është ajo e vrasjes për hakmarrje. 40-vjeçari rezulton një njeri me precedentë penalë në Angli. Ai akuzohet se ka vrarë një 22-vjeçar të identifikuar si Preng Marku në Angli. Të dy menaxhonin një parking dhe në sherr e sipër për ndarjen e parave, ka ndodhur edhe krimi. Edhe viktima rezulton të jetë nga Kukësi, e njëjta zonë me Billën.

Ndërkaq, policia ka vijuar me shoqërimin e personave të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Artikulli paraprakBasha në Berat: RAMAVIRUSI, dështim fatal për bujqësinë. Ne kemi nplan të detajuar për t’a nxjerrë bujqësinë nga kriza
Artikulli tjetërProtesta e maturantëve, Boçi: Sinqeriteti i maturantëve përballë harbutërisë së Ramës!