158 vjet futboll!

24 tetor 1858. Futbolli, sporti që flet gjuhën universale, kryqëzon kulturat dhe kombet, lindi 158 vjet më parë. Gjithçka nisi si një lojë, sepse futbolli i tillë është, por me kalimin e dekadave sharmi që kjo lojë rrezatonte, magjepsi mijëra, qindra mijëra, miliona dhe tashmë në shekullin e 21, miliarda njerëz në mbarë globin. Ideja mori rrugë në shekullin e 19 dhe pas një rruge të gjatë, futbolli është transformuar në një kulturë frymëzuese.
Një sport i shtrirë mes kontinenteve gradualisht duke shtruar një rrugë pa kthim në zemrat e njerëzve. E rriti influencën gradualisht dhe tashmë nga largësia e një shekulli e gjysmë ai është bërë sporti më i dashur pa dallim moshe, seksi, feje apo kombësie. Një kulturë e veçuar nga të gjithë sportet e tjerë, futbolli e ka fituar medaljen e artë mes qindra sporteve të tjerë sepse një tifoz futbolli nuk është kurrë i vetëm. Aroma e barit të fushës krijon perceptimin në ndërgjegje se fusha e gjelbër nuk është thjesht një kuadrat ku 22 vetë vrapojnë pas një topi, ai është një katërkëndësh ku thuren ëndrrat, mbruhet pasioni dhe dashuria për një lojë që me kalimin e viteve është zhvilluar duke thyer çdo barrierë.
Historia nisi të shkruhej 158 vjet më parë, kur më 24 tetor 1858 u shkruan rregullat e para të futbollit. Sheffield United është klubi i parë i futbollit që hodhi hapin e parë. Dy themeluesit Creswick e Prest hodhën të zezën mbi të bardhë në projektin që ata kishin ideuar prej vitesh. Përpara kësaj date, futbolli interpretohej ndryshe sepse sipas dëshmive, një ndeshje zgjaste deri në tre ditë, loja ishte shumë e dhunshme, madje edhe vdekjet në fushë ishin diçka normale. Creswick dhe Prest aplikuan sistemin e rregullave për ta futur lojën në një kuadrat më normal, duke i dhuruar botës modelin e parë zyrtar të futbollit. Në atë periudhë, ishte sporti i rugby-t që eklipsonte futbollin sepse në versionin e parë, futbolli parashikonte përdorimin e duarve si për të kontrolluar topin edhe për të penguar kundërshtarin. Rivënia anësore aplikohej, por jo goditja e këndit që u fut për herë të parë në sistem gjatë vitit 1868. Një futboll deri diku i kufizuar dhe i pakuptueshëm në ditët e sotme sepse në hapat e parë, ashtu si një fëmijë, futbolli nuk mund të ecte i vetëm.
Golat nga goditjet standarde nuk lejoheshin, madje për të dalluar lojtarët e dy skuadrave nuk visheshin fanella, por kapele me strehë, të kuqe ose blu. Futbolli është një lojë e bazuar në koncepte të thjeshta si pasimi, kontrolli i topit dhe aftësia për të qenë sërish i lirë të përfitosh një pasim, një lojë e thjeshtë që mbeti e tillë deri në fillimin e viteve 1900, pasi deri në atë kohë fusha nuk kufizohej nga vijëzimet anësore, por thjesht nga një rreth në mes që e ndante atë në dy pjesë dhe shërbente për nisjen e lojës. Në fund të shekullit të 19 u caktua edhe kohëzgjatja, përmasat e fushës, përbërja e skuadrave, caktimi i 11-metërshit dhe pozicioni jashtë loje, rregulla që kanë mbetur të njëjta edhe në ditët e sotme. Gjithsesi, në hapat e parë, pozicioni jashtë loje kishte një interpretim më të thjeshtë.
Një lojtar konsiderohej në pozicion të tillë nëse kishte topin në këmbë dhe përpara portës kundërshtare ai kishte përballë më pak se tre kundërshtarë. Ndoshta tashmë nga largësia e 158 viteve për shumëkënd, futbolli i asaj kohe dukej abstrakt, por është pikërisht ai, futbolli i hapave të parë që njerëzit e asaj kohe e ideuan me pasion dhe një vizion të qartë. Bota është dëshmitare e rrugës së jashtëzakonshme që sporti më i dashur në planet ka bërë. Ai që në shekullin e 19 ishte burim frymëzimi në Angli, tashmë është shtrirë në çdo gjerësi dhe gjatësi gjeografike të globit. Mjafton një top për t’u zhytur në magjinë e kësaj loje, sepse futbolli është e vetmja formulë që di kontrollojë frekuencën e emocioneve të qenies njerëzore. Loja e jetës i ngjan futbollit. Duhet të kapërcesh problemet, të bllokosh frikën dhe të shënosh golin kur ke në këmbë mundësinë e artë. Futbolli mbushi 158 vjeç!

Artikulli paraprakBeqaj thirret në Komisionin për 5 milionë eurot e tjera për Vilmën
Artikulli tjetërGashi shpallet “Futbollisti i vitit” te Colorado Rapids