15 kulla në qendrën e Tiranës

Ivana DERVISHI

Të paktën 15 kulla të larta pritet të ngrihen në vitet e ardhshm rreth qendrës së Tiranës, tashmë të tejmbushur me ndërtime – sipas një analize të revistës “Monitor”.
Lartësia e ndërtesave të reja do të variojë nga 20 deri në 40 kate, ndërsa leje janë dhënë dhe për shumë ngrehina më të ulëta banimi dhe zyrash.
Këshilli Kombëtar i Territorit, kryesuar nga kryeministri Rama ka dhënë tashmë lejet e para për ndërtesa shumëkatëshe në rrugën e “Kavajës”, pas Hotel “Tirana International”, në rrugën e “Durrësit”, në zonën e ish-Bllokut, në rrugën “Ibrahim Rugova” pas Presidencës, si dhe në rrugën e “Elbasanit” pranë parkut ‘7 xhuxhat.’
Ndërtesat e larta pritet të shënjojnë qiellin e Tiranës nga Bulevardi i Ri deri pranë Parkut të Liqenit, por komplekse banimi planifikohen të shtrihen edhe në zonat periferike.
Me një popullsi të regjistruar prej 884 mijë banorësh në janar 2018, Tirana mban vendin e parë për dendurinë e popullsisë në Shqipëri.
BIRN pyeti ditët e fundit banorët e kryeqytetit nëse janë dakord me ndërtimet e reja. Ata u shprehën kundër ndërtimeve, ndërsa thanë me pesimizëm se zëri i tyre nuk dëgjohet nga ata që miratojnë lejet e ndërtimeve.
“Nuk ke të marrësh frymë, nuk ka një kopësht me lule të mbjella për fëmijët, një kënd lojërash. Vetëm ndërtime, ndërtime, ndërtime. Popullin kush e pyet, askush nuk e pyet”, tha për BIRN një banore e kryeqytetit në rrugën “Frostina Plaku”. “Kishim gjithë atë lulishte aty, për fëmijë e për pleq, u prish dhe po bëhet gjithë ajo ndërtesë”, tha një banore në rrugën e “Kavajës”, ku po ndërtohet një bllok pallatesh.

“Po na mbyllin në beton”, shtoi ajo.
Ndërsa pastron gardhin e shtëpisë së tij në zonën e “21 dhjetorit”, një tjetër qytetar i tha BIRN se, komuniteti nuk pyetet për ndërtimet e reja, por vetëm i jepet leja nga Bashkia.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave të mërkurën tregojnë se, Bashkia e Tiranës ka dhënë në total 272 leje të reja ndërtimi për vitin 2017, më shumë se çdo qark tjetër.
Ndonëse kryebashkiaku Veliaj pati premtuar më herët se nuk do ta betonizonte Tiranën, qëndrimi i tij tashmë ka ndryshuar, duke kaluar në mbështetje të ndërtimeve të reja shumëkatëshe.
Në daljet e tij televizive, Veliaj ka mbrojtur ndërtimet e larta, duke u shprehur se ato zënë më pak hapësirë dhe i përgjigjen nevojave për banim, zyra dhe hoteleri.
Megjithatë, qytetarët e Tiranës shprehen të pakënaqur që vendimet për betonizimin e kryeqytetit po merren pa u konsultuar me ta dhe janë përqendruar në një grusht politikanësh.
“Nuk është se pyeten njerëzit”, thotë e zhgënjyer një tjetër qytetare në sheshin “Skënderbej”.
“Mund të bëhet debat më i gjerë. Ne vërtetë kemi zgjedhur një kryetar bashkie dhe ia kemi deleguar përfaqësimin atij, ne prap mund të flasim. Nuk është se flasim vetëm një herë në katër vjet”, përfundoi ajo.

Artikulli paraprakPresidenca zbardh tre takimet e Metës me Bushatin: Kërkoi autorizimin për të mbyllur marrëveshjen e arritur me Kocias
Artikulli tjetërTrump kritikon përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions