120 mijë lekë për shkollën, qytetarët: Nuk kemi mundësi

Familjet me ndihmë ekonomike, ato me një të punësuar dhe të punësuarit me të ardhura të ulëta janë duke u përballur me kosto të larta të përgatitjes së fëmijëve për vitin e ri arsimor. Syzana është përfaqësuese tipike e kësaj shtrese. Ajo është e punësuara e vetme e familjes me pesë anëtarë. Me një burrë të papunë, me tre fëmijë për t’i bërë gati për shkollë, rroga prej 20 mijë lekësh që merr në fabrikën e fasonit ku punon nuk i mjafton për shpenzimet normale të muajit.
“Më duhen së paku 120 mijë lekë (të vjetra) për një fëmijë, gjithsej rreth 400 mijë lekë (të vjetra) vetëm për nisjen e shkollës”, shpjegon gruaja në moshë rreth të 40-tave. Në këto shpenzime ajo ka përfshirë librat, fletoret, kancelaritë dhe mjetet e punës, rrobat e domosdoshme (atlete, pantallona, triko…) dhe çantat. Mjetet e shkollës dhe rrobat janë nga më të lirat që ka tregu, gjithashtu edhe kancelaritë dhe mjetet e tjera të punës.
Nga subvencioni i librave nuk përfiton se nuk është kontingjent i ndihmës ekonomike. “Kam të paktën tri vite që marr borxh në fillimin e shkollës, që kur dy të vegjëlit nisën arsimin fillor. Këtë vit i kam marrë kunatës 300 mijë lekë dhe do t’i shlyej nga pak”, shton gruaja.
Historia e Syzanës është e shumë familjeve këto ditë. Nga kërkesa e lartë për mjete dhe rroba, tregtarët nga ana tjetër kanë reaguar me rritjen e çmimeve. Artikujt shkollorë këto ditë janë 5-100 lekë më të shtrenjta. Por më e keqja është se e njëjta cilësi mjetesh shkollore shitet me çmime të ndryshme në pika të ndryshme kancelarish.
Prindërit pa përvojë që çojnë fëmijët për herë të parë në shkolla ka gjasa të bien pre e spekulimeve për shkak se nuk janë të familjarizuar me markat dhe cilësinë e kancelarisë.
Stilolapsi jo cilësor, fletoret e holla, gomat që nuk fshijnë ka shumë gjasë që ta bëjnë fëmijën më pak cilësor se shoku e shoqja klasës që ka blerë mjetet e klasit të parë që ia lehtësojë dukshëm punën dhe paraqitjen estetike.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit përfituan kompensimin e çmimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2016-2017 rreth 100 mijë nxënës të kategorive të veçanta dhe shtresa në nevojë ose për rreth 23-25% të totalit të nxënësve me rreth 340 milionë lekë.
Por ndërkohë mjetet e tjera që nevojiten për nisjen e shkollës përveç teksteve kushtojnë më shumë se librat.
Mungesa e mundësive ekonomike po shihet si shkak themelor për rënien e lindshmërisë në vend. Në periudhën 1992-2016 lindjet kanë pësuar rënie drastike me 61.3%. Nga anketat që INSTAT ka bërë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në lidhje me fertilitetin ka rezultuar se gratë shqiptare dëshirojnë të kenë më shumë fëmijë se sa kanë në realitet. Por përmbushja e dëshirës për të pasur fëmijë pengohet nga kushtet ekonomike, referojnë anketat.

FMN: Arsimimi i dobët

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi pak ditë më parë një studim që mban autorësinë e ekspertëve Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman dhe që fokusohet tek Ballkani Perëndimor.
Edhe pse në qendër të raportit është rritja e rolit të gruas në ekonomi në Ballkanin Perëndimor duket se dy studiuesit kanë nxjerrë edhe disa përfundime të përgjithshme që shprehin një realitet të hidhur për vendet në veçanti.
Arsimi i dobët cilësohet si “thembra e Akilit” në Shqipëri. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet pas vendeve të tjera europiane në të dyja aspektet si për sa i përket inputeve ashtu edhe outputeve. Në termat e inputeve, vendet e rajonit janë veçanërisht të varfra sa i përket qasjes në arsim (Shqipëria dhe Maqedonia) dhe aksesit në politikat e punësimit (Bosnja, Mali i Zi, Serbia). Për output-et rajoni është dobët sa i përket përfshirjes dhe përparimit, me dy nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor që renditen në gjysmën poshtë të gjithë mostrës së marrë në studim”, thuhet në studimin e publikuar në faqen e FMN.
Nga ana tjetër, i njëjti studim konfirmon një tezë që është mbrojtur edhe më parë lidhur me ndikimin negativ në ekonomi të “emigrimit të trurit”.
“Nivelet e edukimit të emigrantëve kishin tendencën të ishin më të larta sesa mesatarja e vendit të tyre të origjinës. Më 2010 pjesa e emigrantëve nga Shqipëria, Bosnja dhe Serbia me shkollim të lartë ishte dukshëm mbi nivelin ekuivalent të popullsisë në përgjithësi. Duke pasur parasysh që këto vende kanë një pjesë të vogël të popullsisë me shkollim të lartë në popullsinë totale, “largimi i trurit” në emigracion mund të ketë pasur implikime serioze në produktivitet (si dhe në rritjen ekonomike) dhe ka lënë vendet e Ballkanit Perëndimor me një forcë pune të aftë në nivele dukshëm të ulëta”, thuhet në studimin e Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman.

Artikulli paraprakSi filloi rrënimi i Shqipnisë prej pushtetit komunist
Artikulli tjetërBashkitë çelën tenderat për zjarrfikëse pasi ranë zjarret