10 ditë që betonieret vijojnë ndërtimin në Butrint

Prej afro 10 ditësh, në Parkun e Mbrojtur Kombëtar të Butrintit, betonieret dhe makineritë e rënda të ndërtimit po kryejnë punime. Ndërhyrja në park erdhi e papritur dhe u zbulua vetëm pas një filmimi amator të hedhur në faqen SarandaWeb pak kohë më parë. Për të kuptuar më mirë atë çfarë po ndodh, është e nevojshme të sqarohen disa karakteristika mbi Parkun e Butrintit. Ky park është i pashoq jo vetëm për vlerat arkeologjike, por edhe për natyrën e turizmit. Butrinti është i vetmi destinacion turistik në vend ku numri i vizitorëve të huaj është disa herë më i lartë se numri i vizitorëve shqiptarë. Në tre vitet e fundit, mesatarja e vizitorëve në këtë park ishte rreth 185 mijë vizitorë në 12 muaj. Kjo shifër e bën një destinacion me vlerë të veçantë turistike Butrintin. Parku i Butrintit është i mbrojtur nga UNESCO dhe klasifikohet si një pasuri e vlerave botërore. Kur një zonë mbrohet nga UNESCO, do të thotë se për këtë zonë është miratuar ligjërisht nga shteti përkatës, një Plan i Menaxhimit i Vlerës Kulturore (Butrint). Ky plan menaxhimi prevalon dhe imponon rregullat e veta mbi cilëndo nismë tjetër. Planet menaxhuese, si rregull rishikohen çdo 5 vite. Kjo, sepse konfigurimi dhe kapacitetet e Parkut mund të modifikohen sipas fluksit të vizitorëve apo rrethanave të tjera. Për shembull, numri i vizitorëve në Park në vitin 1999 ishte rreth 1500 vetë. Për vitin 2016 kjo shifër shkoi afro 200 mijë vizitorë.
Për herë të fundit, Plani Menaxhues është miratuar në vitin 2005 dhe është pikërisht ky plan në fuqi edhe sot e kësaj dite – asnjë ndërhyrje nuk mund të kryhet në Park nëse më parë, nuk rishikohet Plani i Menaxhimit dhe nëse nuk miratohet plani i ri. Aq i rëndësishëm është ky Plan Menaxhues, saqë Agjencia e Planifikimit të Territorit, detyroi në prill 2017 dy kompani konsulente që hartonin projektet urbanistike të Sarandës, e që të ndryshonin propozimin për ndërtimet e reja në Butrint, pasi ishin në kundërshtim me Planin e Menaxhimit. Por ndonëse Plani i Menaxhimit i vitit 2005 që është ende në fuqi, nuk lejon asnjë ndërtim në Park, ministrja Kumbaro i ka dhënë dritë jeshile ndërtimit të disa faciliteteve brenda Parkut, duke kurdisur një procedurë fiktive dokumentacioni, pasi ka siguruar lejen e Institutit të Monumenteve dhe disa hallkave të tjera burokratike.
Këto leje dhe autorizime janë të gjitha nul, të paligjshme, në momentin që ndërhyrja bie në kundërshtim me Planin e Menaxhimit të Parkut. Që Mirela Kumbaro të ndërhynte rregullisht në Butrint, duhej më parë që ajo të miratonte Planin e Ri të Menaxhimit të Parkut, sipas kritereve të UNESCO-s, e më pas bazuar mbi këtë plan, të autorizoheshin dhe ndërhyrjet përkatëse. Por miratimi i një Plani të Ri Menaxhues, nuk është diçka aq e thjeshtë sa ç’mund të jetë ndërtimi i një lokali. Rishikimi i Planit Menaxhues bëhet nën mbikëqyrjen e ekspertëve të UNESCO-s, e cila vlerëson jo vetëm nevojën për facilitetet e reja, por edhe logjikën ekonomike të përdorimit të këtyre faciliteteve. Politikat e UNESCO-s imponojnë që çdo facilitet të jetë në shërbim të vetë Parkut dhe të menaxhohet nga Drejtoria Shtetërore e Parkut.
Aktualisht, Parku i Butrintit ka rreth 1 milionë USD të ardhura në vit nga vizitat dhe e ka plotësisht të mundur dhe vetë që të kryejë investime me të ardhurat për facilitetet në Park. Ky është dhe problemi kryesor që ka ministrja Kumbaro. Ajo ka shmangur tërësisht Planin e Menaxhimit të Butrintit, duke ndërhyrë brutalisht në territor, bazuar në disa leje fiktive institutesh që i kontrollon vetë, e më pas, aktivitetin e ri tregtar që do të ndërtojë, ia ka kaluar një biznesmeni të saj të preferuar. Nuk është ende e qartë se cili grup interesi fshihet pas kësaj lëvizje – në disa media lakohet firma ‘Hako’ e sallamerisë – por pavarësisht identikitit të biznesmenit, është e qartë se vendimin për të bërë biznes privat me Parkun e mbrojtur Kombëtar të Butrintit, e ka marrë ekskluzivisht një person, ky person ka emër: Mirela Kumbaro. / Hashtag.al

Artikulli paraprakNë Gjykatë HEC-et e Valbonës, Ambasada gjermane: Zona është unike, të ruhet
Artikulli tjetërBanda e Shkodrës, kush janë të paprekshmit nga policia?