1 ton drogë dhe armë nga Shqipëria në Leçe

Droga shqiptare vazhdon të “mbysë” Italinë. Rreth 1 ton kanabis, 250 gram kokainë dhe një armë automatike tip Kallashnikov janë sekuestruar dje nga policia italiane në Leçe. Gjatë katër operacioneve të ndryshme u arrestuan 4 shqiptarë dhe një shtetas italian. Sipas mediave italiane, sasia më e madhe e lëndës narkotike është kapur në fshatin e Akajas, ku policia sekuestroi rreth 5 kuintalë marijuanë. Policia italiane ka vënë në pranga dy shqiptarë, të cilët u kapën në një veturë me një kallashnikov si dhe me 70 kg marijuanë.
Ndërkohë që një shqiptar tjetër u vu në pranga, pasi gjatë kontrollit që iu bë karroatresit me të cilin punonte iu gjetën 130 kg marijuanë. Ndërkohë që shqiptari i katërt i arrestuar ishte një 23-vjeçar shqiptar, të cilit iu kapën në makinë 1 kuintal marijuanë. Një pjesë e drogës u gjet në tre automjete të ndryshme. Pjesa tjetër u gjet në një zonë me shkurre pranë bregut të detit. Droga, sipas autoriteteve, ka mbërritur në Itali nga Shqipëria, përmes skafeve të fuqishëm. Në Burgun e Leçes është dërguar edhe një 47-vjeçar rezident në Racale, pasi policia i gjeti 250 gram heroinë.
Gjatë ditëve të fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak ditësh, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Policia italiane tha se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Sipas hetimeve, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet trafikut të kanalit të Otrantos. Sulmi “Blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit të arrestuar.

1 ton marijuanë në Katania

Tre ditë më parë u sekuestrua 1 ton marijuanë në Katania. Droga, e cila mendohet se në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Përveç pronarit të apartamentit ku ishte fshehur droga u arrestuan dhe pesë persona të tjerë, që sipas autoriteteve italiane janë emra të njohur të trafikut të drogës në vend. Ata kryesisht merren me transportimin e drogës nga Ballkani, dhe më pas ua shisnin trafikantëve të vegjël në Itali. Hetuesi italian Marcelo Kardona u shpreh për mediat se, ky ishte një operacion shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për organizata të vogla italiane, por për persona që punojnë me të tjerë trafikantë jashtë kufijve.
Droga ka mbërritur në 25 nëntor nga Shqipëria në Siçili, ku në vend të trafikantëve, të cilëve do u dorëzohej droga ishin agjentët e policisë që kanë ndjekur çdo veprim. Sipas mediave italiane, të gjithë të arrestuarit janë shtetas italianë.
Autoritetet italiane këmbëngulin se, operacioni i fundit tregon dhe njëherë më shumë lidhjen e ngushtë mes Katanias dhe Shqipërisë për trafikun e drogës. Në nëntor të vitit 2013, në Skordia u sekuestruan 900 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë. Një vit më pas u sekuestruan 1500 kilogramë marijuanë në një anije.
Ndërsa në 2015-ën janë tre sekuestrimet e bujshme: në muajin shkurt në Spartivento, më pas 1 ton marijuanë në një peshkarexhë në Portin e Ripostos dhe në shtator në kuadër të operacionit “Odisea” i Guardia di Finanza u arrestuan 15 persona dhe u sekuestrua një sasi droge me një vlerë 70 milionë eurosh.

1.6 ton drogë në Bari

Para një jave, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1650 kg marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë, shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen, duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro.

Gjysma e Romës furnizohet me drogë nga Shqipëria

“Corriere della Sera” raporton aksionin më të fundit të Policisë italiane në Romë, ku sipas autoriteteve gjysma e kryeqytetit është e pushtuar nga droga që vjen nga Shqipëria. Droga vinte nga Shqipëria e sidomos kuintalë hashashi të destinuara për bandat që drejtojnë shpërndarjen në zonën qendrore dhe atë lindore të Romës. Kështu nis raportimin e saj “Corriere della sera” për aksionin më të fundit të Policisë italiane në Romë. Sipas autoriteteve droga shpërndahej sidomos në zona me shumë banorë, ku numri i klientëve mund të arrinte më shumë se një mijë. Fitimi ishte aq i madh se janë katër organizatat e zbuluara nga policia, të cilat ndanin fitimet mes tyre, hetimet në fakt kanë nisur që në vitin 2013, për t’u konkretizuar me aksionin e sotëm.
Një perandori e vërtetë krim mes kërcënimeve, rryshfeteve dhe ndëshkimeve për ata që nuk pranonin të bindeshin. Mëngjesin e së martës hetuesit arrestuan katër persona, të cilët mendohet të jenë krerët e bandave që vepronin në zonë. Por të hetuarit e operacionit “Vëllezërit” janë më shumë se 100, dhe trafiku bazohej pikërisht te hashashi.

Sërish kanabis me trajler drejt Italisë

Një sasi e madhe droge që po transportohej me trajler u kap në portin e Durrësit. Duket se mjetet e tonazhit të rëndë po përdoren sëfundmi nga trafikantët, pasi 3 ditë më parë u kap një tjetër maune me konfeksione duke transportuar 700 kg hashash drejt Italisë, ndërsa mendohet se sasi të mëdha droge kanë kaluar drejt Italisë pa u vënë re nga autoritetet portuale.
Trajleri me targa  AA 045 ND që shihni në foto u kalua në skaner pas dyshimeve se mund të kishte lëndë narkotike. Dyshimi u vertetua pasi u gjetën plot 190 kg hashash. Eshtë ndaluar drejtuesi i mjetit Erblin Tuka 33 vjeç, banues në Shijak. “Specialistët e Narkotikëve kanë ushtruar kontroll të imtësishëm ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 158 pako me peshë rreth 190 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva”, njoftoi policia.

R.POLISI

Artikulli paraprakBinomi i hajdutëve Rama-Çela lë Tiranën në errësirë, anullohet derbi
Artikulli tjetërKreu i Antimafias: Nga Shqipëria po vijnë sasira të mëdha droge