Basha: 1 miliard euro nga ulja e taksave dhe 25 mijë vende të reja pune në vit

Varfëria, papunësia, rënia e fuqisë blerëse, ilaçet e skaduara kanë qenë disa nga shqetësimet që banorët e Cërrikut i kanë shprehur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Të zhgënjyer nga vota që i dhanë Edi Ramës, pasi jo vetëm që nuk mbajti asnjë prej premtimeve, por e përkeqësoi dhe më keq situatën ekonomike, qytetarët kanë shprehur besim dhe mbështetje tek platforma e Lulzim Bashës.
Zonjë: E votuam për të mirë atë Ramën. Ai na doli… Përkrahjen gocës ia hoqi, 5 veta. Djali ishte invalid, ia hoqi. Prandaj e futëm Ramën ne? Ne do ta heqim!
Tregtare: Veresie sa të mund. Ta fillosh që në mëngjes me një byrek 300 lekë të vjetra e deri në darkë, çfarë do të hajë një fëmijë… Xhiroja ka rënë. Tatimet duhen paguar. Tani unë po nuk shita me se do t’i paguaj?!
I papunë: Jam pa punë, kam aplikuar.
Basha: Kur ke aplikuar, sa kohë ke?
I papunë: Ka gati një vit.
Basha: Një vit, s’ke marrë akoma asnjë njoftim?
Grua: I kanë thënë kur të marrim ne vetë në telefon.
Qytetare: Ja edhe këto vezët veresi i kam marrë.
Basha: Ku i more?
Qytetare: Te dyqani atje poshtë kam gjithë ato borxhe.
Pensioniste: S’ka vetëm me pension. Djali pa punë është vetë i tretë pa punë, as përkrahje, as asgjë. Në kurriz tonë, të pensionit.
Është rikthyer sërish në Cërrik pas afro 8 muajsh, për të bashkëbiseduar me banorë dhe tregtarë. Ata thonë se situata është më keq se 8 muaj më parë. Listat në dyqane janë rritur e po kështu taksat, gjobat e papunësia.
Basha: Çfarë marrin veresie, çfarë mallrash kryesisht?
Tregtare: Ushqimore, vajin, sheqerin që është e domosdoshme për shtëpinë.
Basha: Brenda çfarë afati i shlyejnë?
Tregtare: Unë pres mujoren. Ka raste që nuk m’i sjellin e nuk marr dot furnizim.
Basha: 126.940 lekë.
Tregtar: Janë tri mandate, janë tre për t’u pagu. Shiko xhiron ditore.
Basha: Sigurimet sa janë rrit?
Tregtar: Nga 140 mijë lekë që ka qenë kur keni qenë ju, ka vajtur rreth 200 mijë lekë sigurime për person.
Basha: Pra, vetëm me sigurime dhe taksë bashkiake keni paguar 140 mijë lekë më shumë.
Tregtar: Gjoba na vë jo nuk ke kasë. Kasën e kam, kam 8 vjet që e kam marrë. Më kanë vënë 200 mijë lekë gjobë, jo nuk ke vënë “Ju lutem tërhiqni kuponin tatimor”.
Basha: Domethënë me një gjobë ta kanë marrë dyfish taksën që ka bërë sikur ua ka heq.
Do të ulim taksat. Do të shkojë 9% taksë e sheshtë, 15% do e çojmë TVSH-në.
E dyta, do të vëmë pullën fiskale dhe në momentin që ke pullën fiskale ardhja e tatimorit kur ti ke demonstruar pullën do të thotë e paligjshme, e jashtëligjshme.
Më investimet publike dhe me një klimë investimesh private do të hapim vende pune. Se gjithë taksat po t’i ulim ne ty po s’pate xhiro, s’ke xhiro. Në qoftë se ai vjen të merr veresie ty, ti nuk arrin dot të mbijetosh apo jo?!
Banore: Ilir Beqaj që thoshte do të bëjë këtë, do të bëjë atë. Asgjë s’bëri, për vete.
Basha: E bëri, e bëri për vete se 1 milion dollarë i merr në muaj për vete.
Banore: Të hipë në avion e të zhduket ai. Të zhduket se po vdesim me ato ilaçet që na jep ai. I çova ilaçet në Greqi, m’i hodhi ai. Më tha, ça pini ju? Epo i thashë ne këto na japin. Pensionistat i futi në dhe.
Invalid: Unë jam invalid dhe këtë ilaçin që duhet ta marr pa lekë e marr me lekë.
Basha: Sa të kushton ky ilaç?
Invalid: 8200-8300 lekë. Po nuk më del tani se jo drita, jo ujë, jo bukë. Thanë për përkrahjen që do t’i rrisin, nuk i rritën. 30 mijë lekë merr babai im në muaj.
Zoti Basha u ndal edhe në familjet e disa personave në varfëri ekstreme. Njëri prej tyre, i tha zotit Basha se është detyruar që gruan dhe vajzën t’i çojë në emigrim pasi nuk kishte me çfarë t’i mbante, se vetë është i sëmurë.
Basha: Ku është vajza, në çfarë vendi?
Banor: Në Gjermani bashkë me nusen time, i largova se s’kisha me çfarë t’i mbaja. Kam një vit e 4 muaj që jam vetëm se nuk i mbaja dot me të ngrënë. Kam një vit e ca pa paguar as drita, as ujë se nuk kam, m’i kanë prerë. S’ka ujë.
Banore: Ne vuajmë për bukë, ku të vemi të mbytemi.
Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një bashkëbisedim dhe me të rinjtë e Cërrikut. Zoti Basha ka theksuar se platforma për arsimin parashikon mundësi për të rinjtë për të studiuar dhe orientuar në ato universitete ku tregu i punës është më i madh. Duke iu përgjigjur shqetësimit të tyre për nivelin e lartë të papunësisë, Basha theksoi se shkak për këtë është korrupsioni dhe taksat e larta. Basha solli në vëmendje raportin e Dhomës gjermane të Tregtisë, e cila dëshmon se investitorët po largohen nga Shqipëria. Punësimi është prioritet kryesor, tha Basha, ndërsa theksoi se ulja e taksave do të ketë një efekt prej 1 miliard eurosh në ekonomi që përkthehet në minimalisht 25 mijë vende të reja pune.
Basha: Investitorët gjermanë që janë këtu po fillojnë të mbyllin bizneset, po fillojnë të nxjerrin nga puna më shumë shqiptarë. Ata që planifikonin të vinin, nuk vijnë. Shqipëria është e 19-ta në listën e rajonit.
Shteti nesër nën drejtimin tim, me votën dhe besimin tuaj do të mendojë dhe do të përpiqet për një dhe vetëm një objektiv madhor, punësimin në tërësi dhe punësimin e të rinjve në veçanti.
Hapi i parë, ulja e taksave. Efekti, 1 miliard euro në ekonomi. 1 miliard euro në ekonomi janë minimalisht 25 mijë vende pune vetëm vitin e parë.

Artikulli paraprakBrukseli akuzon Ramën për krimin e organizuar
Artikulli tjetërPasi i hoqi armët, policia fton prokurorët e gjyqtarët t’i blejnë sërish