Zoti Kryeministër, Vettingu duhet të fillojë nga ju

Nga Romeo Gurakuqi

Askush nuk e vë në dyshim se me ju Kryeministër, zoti Edi Rama, Shqipëria është bërë një vend më pak i jetueshëm për shtetasit, një vend me një shoqëri dhe ekonomi në depresion; një vend në të cilin varfëria ka arritur nivele të paimagjinueshme; një vend në të cilin klasa e mesme e shoqërisë, pësoi një zbritje të spikatshme në të ardhurat, sigurinë sociale dhe perspektivën jetuese e krijuese, në krahasim me situatën pararendëse; investimet e huaja dhe të diasporës po vijnë e reduktohen drejt shifrës zero; vendi është bërë, jo vetëm një hapësirë tranziti për krimin e organizuar, por edhe një strehë e ngrohtë e prodhimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike; një vend nga ku rrjedhin pa kontroll, paraja ilegale drejt parajsave fiskale off shore; një vend që liria e një tregu e operuar mbi rregulla është zëvendësuar nga mbisundimi i monopoleve të licencuara dhe përforcuara edhe nga e kaluemja, i shërbimeve publike të dhëna në koncesion një grupi njerëzish, me CV të vetme ose afërsinë personale me ju i nderuar Kryeministër ose militantizmin në dy partitë e establishmentit të majtizmit ekstrem, jo social-demokrat mirëfilli europianist.
Nuk bëj çudi, se ju do të jeni Kryeministër i këtij vendi edhe në mandatin e ardhshëm, përderisa ju keni blerë lirinë e mediave, përmes favoreve dhe kërcënimeve individuale, të drejtpërdrejta ose përmes telefonimeve të koduara; keni “vdekur” nervin opozitarist të shoqërisë civile e intelektuale, që përkulet para jush në çdo rast ceremonial dhe në çdo kohë që ju ua kërkoni shërbimin e radhës propagandistik.
Ju mund të mbeteni sërish Kryeministër i këtij vendi, përderisa nuk keni bërë deklarim të ndryshëm të ardhurash nga ai deklarim zyrtar qesharak; derisa keni aq para të filtruara nga veprimtaritë ilegale dhe koncesionet legale të klientëve tuaj, derisa fitoni çdo zgjedhje edhe të parëndësishme për ju, derisa keni shkatërruar profesionalizmin e Policisë së Shtetit dhe depolitizimin e MpB, në krye të të cilëve, keni vendosur njerëz jo seriozë dhe të papjekur mjaftueshëm, pjesë e një kupole krahinore ushtarake e policore, që historikisht, në 50 vite diktaturë, ka ushtrue dhunën ndaj desidencës dhe krahinave të persekutueme të Shqipërisë.
E kuptoj: Ju do të jeni Kryeministër i Shqipërisë derisa përmes një skeme gjigante, përgjoni, privoni jetë private, kontrolloni çdo njeri që mendon ndryshe nga ju në Shqipëri, synoni të kontrolloni çdo rrjet informativ e social, në vend që këto skema, t’i aplikoni ndaj krimit të organizuar, vrasësve e atentatorëve të botës së lirë, afariste dhe intelektuale.
E pranoj: Ju do të jeni sërish Kryeministër, në qoftë se nuk do të detyroheni të ndryshoni Kodin Zgjedhor e do të lejoheni, nga mungesa e rezistencës e organeve kushtetuese, për të kryer procesin e organizimit të zgjedhjeve, të përgatitjes së listave zgjedhore dhe të ndërtimit të një liste tuajën të zgjedhësve të emigracionit shqiptar të pas korrikut 1990.
Ju do të bëheni Kryeministër në qoftë se opozita e djathtë, e qendrës dhe e majtë, nuk bashkohet në një skuadër politike të vetme: në një front të përbashkët të quajtur shtëpia e lirisë dhe e europianizimit të Shqipërisë, duke lënë mënjanë ndasitë, për hir të vendit dhe popullit të vet. Shtyllat e përbashkimit në këtë nismë janë të qarta e të thjeshta, po aq sa mekanizmi bazuar në sinqeritet, ekspertizë, ndershmëri dhe udhëheqësi.
Por nga ana tjetër e këndvështrimit, ajo e partizanëve të Ancient Regime: Ju duhet të jeni sërish Kryeministër, sepse misioni i Reconquista-s / Rilindjes së Pushtetit të Trashëgimtarëve që përjashtojnë, nuk mund të përfundohet në katër vite, pa fshirjen e plotë të çdo arritjeje të vërtetë që ia arriti të përftonte ky popull i mjerë dhe i varfër, në procesin e instalimit të një rendi kushtetues demokratik, që mbron liritë, respekton komunitetet dhe shpërndan njëlloj në territor, të mirat dhe shërbimet.
Dua ta përfundoj duke thënë se ju nuk u bëtë kurrë, ashtu siç premtuat dhe sikur ne ëndërruam pak çaste: Kryeministri i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve dhe prejardhjeve krahinore dhe kulturore.
Me ju Shqipëria u përça, me ligj administrativ, me shpërndarje të strukturës humane të administratës së lartë e shërbimit diplomatik, me planifikim të buxhetit të shtetit çdo vit nga mësuesët e anglishtes të shndërruem në kryefinancierë të ruajtjes të thesarit, me shpërndarje projektesh zhvillimore nga një zyrë që ndërron padronë dhe krah operacional, varësisht klimës politike në vend; Shqipëria në vend që të bëhej më liberale dhe demokratike, u bë më autoritare, më e bastardueme dhe karta e saj e lirive dhe shkelja e të drejtave të minoriteteve, arriti në përmasa të pakonceptueshme për bashkësinë e shtetasve normalë.
Unë nuk dyshoj, që në qoftë se ju do të mbyllni këtë mandat, në qoftë se nuk ju ndodhin papritur nga aleatët, prerjet e fijeve të parave tuaja të skutave të errëta e transfertave me aeroplane të posaçëm, në qoftë se ju do të liheni për të qenë “arbitri” e “garanti” i “zgjedhjeve të lira e të ndershme”, ju i nderuar KM, sigurisht do të jeni sërish shefi i ekzekutivit të Shqipërisë. Por tashmë do të jeni Kryeministër në një demokraci fasadë, plotësisht klienteliste, tërësisht të zhbalancuar krahinarisht, në një vend që njerëzit me arsye ikin çdo ditë dhe mbeten delet tuaja, që kanë nostalgji për diktaturën e Enver Hoxhës.
Shqipëria që doni ju zoti Edi Rama, nuk është Shqipëria që dua unë që po i shkruaj këto radhë dhe as ajo që duan pjesa më e madhe e shqiptarëve, që e fillojnë ditën duke menduar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, në paqe, progres dhe edukim, një vend ku respektohet dinjiteti i njeriut, një strehë e dashur, mikpritëse dhe integruese për bashkatdhetarët tanë të dijshëm e patriotë. Ne e duam Shqipërinë vend të jetueshëm për të gjithë, kurse ju me veprime, fatkeqësisht jo.
Prandaj unë këmbëngul: Askush nuk duhet të ngatërrohet: në qoftë se ky vend dhe institucionet e tij, dëshirojmë t’i bëjmë më të pastra, të kemi më shumë shpresë dhe të mos gënjehemi nga propaganda e mëkatarëve, atëherë Vettingu duhet të fillojë nga ju, qeveria juaj dhe interpretet tuaj të flakës jakobiniste të komisioneve parlamentare.

Artikulli paraprakSi u përgjua ambasada e SHBA me ‘Imsi Catcher’?
Artikulli tjetërHausmann dhe llogaritë e fshehta bankare të Ramës