Zjarret djegin plantacionet me agrume dhe kurorat e gjelbërta

Zjarret që kanë përfshirë të gjithë vendin prej disa ditësh po shkrumbojnë pyje dhe kurora të gjelbërta, por edhe plantacione me agrume. Flakët e zjarrit përpinë ditën e djeshme plantacione agrumesh në Mursi të Gjirokastrës. Shërbimi zjarrfikës është jashtë funksioni, ndërsa flakët e zjarrit vijojnë të shkrumbojnë plantacionet. Bëhet e ditur se në të shumtën e rasteve zjarret janë të qëllimshme, ndërsa deri tani nuk është ndaluar asnjë zjarrvënës.
Pasditen e djeshme është pushtuar nga flakët edhe Kodra e Gjelbërt mbi lagjen Goricë të Beratit. Temperaturat e larta dhe era kanë ndihmuar që flakët të përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe me pisha.
Bëhet e ditur se zjarri është vënë qëllimisht, ndërsa për shuarjen e flakëve janë angazhuar vetë banorët, ndërsa zjarrfikëset e kanë të pamundur të futen për shkak të terrenit të vështirë. Për shkak të zjarreve, Kodra e Gjelbërt, e cila konsiderohet si mushkëria e qytetit, nga viti në vit po humbet sipërfaqe të tëra me pisha qindra vjeçare.
Një zjarr i qëllimshëm doli nga kontrolli në fshatin “Asim Zeneli” në Gjirokastër. 20 banesa u vunë në rrezik dhe banorët u vunë në mbështetje të policisë dhe zjarrfikëseve. Pas disa orësh, flakët u lokalizuan dhe vatra po monitorohet në vazhdimësi. Shefi i Zjarrfikëseve i bëri thirrje Policisë të marrë masa dhe të ndëshkojë fajtorët, pasi gjithçka duket e qëllimshme. Nuk dihen ende dëmet në këtë zonë, ndërkohë që zjarret në këtë qark janë kthyer në problem serioz. Vetëm një ditë më parë në Libohovë u dëmtuan 195 rrënjë ullinj dhe 130 rrënjë dardha.
Ndërsa në zonën e Mollasit në Cërrik kanë mjaftuar 5 orë që një masiv me pisha, me sipërfaqe rreth 4 hektarë, të digjet tërësisht. Edhe në këtë rast dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Zjarri është shfaqur rreth orës 19:00 dhe është shuar rreth orës 24:00. Për shuarjen e tij janë angazhuar Shërbimi Zjarrfikës i Elbasanit, Shërbimi Pyjor dhe komuniteti. Ky është rasti i pestë i shfaqjes së vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Mollas të Cërrikut. Ndërkohë, Policia po punon për të identifikuar autorët e dyshuar të zjarrvënies.

Dje, 13 vatra të reja zjarri

Emergjencat Civile bënë të ditur dje se, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shfaqur 13 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. Në Dibër, zjarri i rënë një ditë më parë në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha, në fshatin Llapushë, Klos ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Shërbimi Zjarrfikës Burrel e ka pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Në vendin e quajtur “Fusha e Lopës” Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pemë ahu. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe pemë ahu. Në Qafë Buall, Bulqizë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, dushk dhe pisha të ulëta. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.5 ha me shkurre, dushk dhe pisha të ulëta.
Në Postribë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2.5 ha me shkurre dhe pisha.
Zjarri i rënë një ditë më parë në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha, në malin Mile të Bashkisë Konispol, ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Për shkak të terrenit të thyer malor është e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe pyjore rreth 90 ha me shkurre, lisa dhe drurë ahu. Në fshatin Kalasë, Delvinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me kullota private. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 150 ha kullotë.
Në fshatin Ardenicë, Lushnjë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe 5 rrënjë ulliri.
Në kurorën e qytetit të Laçit, në lagjen nr. 3 ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Kuqar, Këlcyrë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe dëngje bari.
Në qytetin e Libohovës ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ullinj dhe pemë frutore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 15 dynym me shkurre si dhe u përshkuan nga flakët 95 rrënjë ulliri dhe 130 rrënjë dardhë.
Në fshatin Zaroshkë, Pustec ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, dushk i ulët dhe pisha. Pas disa orë punë zjarri është vendosur nën kontroll. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre, dushk i ulët dhe pisha.
Në afërsi të doganës Qafë-Thanë, Pogradec, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre.

Dule: Rama e media heshtin për zjarret

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka neglishencën e qeverisë për shuarjen e zjarreve që po përpijnë edhe plantacionet me agrume në Gjirokastër. Dule shprehet se, zjarret po përpijnë pyje e plantacione me agrume, ndërsa Rama dhe media hesht. Ai thotë se, shërbimi zjarrfikës mungon në këto ditë të vështira për vendin, ndërkohë që Rama jep shou në media.
Në një postim në rrjetet sociale, Dule shkruan se, në një kohë që Rama jep spektakël nëpër rrethe duke ‘dëgjuar’ popullin, mediat heshtin dhe nuk e shqetësojnë për gjendjen reale të vendit, ku mijëra hektarë pyje po digjen dhe po rrezikohet seriozisht jo vetëm produktet bujqësore, por edhe jetët e njerëzve.
“Në të njëjtën kohë Rama dhe qeveria e tij “janë të zënë” duke “dëgjuar” popullin dhe “përpiluar lista”. Media hesht që të mos i shqetësojë! Zjarri përpiu plantacione agrumesh në Mursi. Shërbimi Zjarrfikës as vetë nuk mundet, edhe asistencë nga fqinjët nuk dënjon të kërkojë”, shkruan Dule.

Artikulli paraprakMinistrja teknike Vukaj, ndërhyn për zgjidhjen e tensioneve tregtare Shqipëri-Kosovë
Artikulli tjetërVeliaj e mbushi Tiranën me kioska për këshilltarët e tij