Zharrëza pa dëmshpërblim, banorët sërish në protesta

Gjashtë muaj më parë, dhjetëra banorë të Zharrëzit marshuan më këmbë drejt Tiranës dhe u ngujuan para Ministrisë së Energjetikë për banesat e tyre. Protesta u shua kur ata morën premtimin e kryeministrit për dëmshpërblimet.
Rreth 500 banesa në Zharrëz të Fierit vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme, madje një pjesë e tyre të braktisura si pasojë e dëmtimeve nga lëkundjet disa vjeçare. Procesi po ndiqet nga pushteti vendor dhe ai qendror dhe çështja ka mbetur tek Emergjencat Civile. Drejtues të Emergjencave thonë se, nga Enti Kombëtar i Banesave nuk është sjellë dokumentacioni i plotë për vlerësimin e dëmeve dhe vetëm pasi të sillen të kompletuara do të fillohet nga procedura e likuidimit.
Ndërkohë mbetet ende enigmë se çfarë i shkakton këto lëkundje në Zharrëz. Për të dalë në një konkluzion nëse janë shkaqe natyrore apo pasojë e teknologjisë që përdor Bankers Petroleum, është ngritur një grup ekspertësh, por që ende nuk ka dalë në një konkluzion.
Vetë banorët thonë se që kur kompanisë së naftës iu dha urdhër nga Ministria e Energjisë për ndërprerjen e operacioneve të injektimit me presion të lartë të ujit teknologjik në puset e lokalizuara, përreth fshatit Zharrës nuk ka pasur asnjë lëkundje. Banorët paralajmërojnë t’u rikthehen protestave nëse nuk do të marrin dëmshpërblimet para ardhjes së dimrit.
Siç tregojnë banorët e prekur, edhe pse kanë kaluar tre muaj që nga marrja e vendimit të Këshillit të Ministrave, banorëve ende nuk u janë shlyer dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre. Duke qenë se tanimë ka nisur vjeshta dhe në zonë kanë filluar shirat, banorët e mbetur në qiell të hapur kërkojnë marrjen e masave, që së paku me ato para të kenë mundësi të gjejnë banesa me qira.
“Kjo sjellje nuk është serioze fare. Jemi në qiell të hapur. Kam disa kohë që po qëndrojmë nëpër miq e të afërm se s’kemi shtëpi. Tani erdhi edhe dimri. Në verë flinim edhe para oborrit, por tani nuk mundem t’i lë fëmijët jashtë. Shteti të na japë një ndihmë se jemi në hall të madh. S’dimë ku të shkojmë më e ta kërkojmë të drejtën tonë”, shprehet Lutfi Grema, një banor i zonës. Ndërkohë, edhe të tjerë që kanë të njëjtin fat, tregojnë se në fshat kanë shkuar për t’i vlerësuar dëmet, por askush nuk u ka kthyer një përgjigje më pas për t’u treguar se çfarë do të bëhet me kërkesat e tyre.
“Erdhën një grup me përfaqësues nga të gjitha institucionet dhe na vlerësuan dëmet. Edhe pse nuk ishin realistë, pasi na dhanë shumë pak nga ajo çfarë ishte dëmtuar, ne pranuam. Ata nuk na dhanë as ato pak. Tani ia hedhin topin njëri-tjetrit e askush nuk di të na thotë se çfarë po bëhet e kur do t’i marrim lekët. Nuk kemi më durim. Jemi mbledhur të gjithë dhe së shpejti do të nisim prapë protesta”, shprehet Enver Aliaj.
Zgjidhja e çështjes për banorët e Zharrëzës po zvarritet për shkak se institucionet po ia kalojnë topin njëra-tjetrës. Odiseja me banesat e Zharrëzës ka nisur prej vitesh. Banorët akuzuan kompaninë e naftës “Bankers” se po u dëmtonte banesat nga shfrytëzimi pa kriter i nëntokës. Këtë fakt e pohuan më vonë edhe ekspertë të naftës, të cilët thanë se injektimit i ujit në puse, që sillte përfitime të mëdha të naftës, trondiste tokën fort.
Kjo shkaktonte lëkundje te banesat e banorëve, të cilët kanë protestuar me dhjetëra herë dhe asnjëherë nuk gjetën zgjidhje. Ndërkohë banorët kanë kërkuar edhe që kompania të largohej, ndërsa në shkurt të këtij viti, ata nisën një marshim në këmbë drejt Tiranës si protestë për plotësimin e kërkesave të tyre. Pas negociatave erdhi dhe një vendim i Këshillit të Ministrave që ngriti grupin e ekspertëve për të vlerësuar dëmet.

Artikulli paraprakÇfarë po ndodh me shqiptarët, me mijëra po ikin edhe nga Kosova
Artikulli tjetër4 tonelatat e drogës të kapur në Itali u ngarkuan në det të hapur