Zgjidhje politike, çmontim i narkoshtetit, Tahiri nuk do të shpëtojë, lufta sapo ka filluar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi betejë të fortë të opozitës në vënien e Saimir Tahirit përpara drejtësisë, ndërsa bëri të ditur se dosjet e lidhjeve të qeverisë Rama me bandat e krimit të organizuar dhe trafikut do të shkojnë në çdo kancelari të partnerëve ndërkombëtarë.
Ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe ambasadorë të Bashkimit Europian takuan Kryetarin e PD, Lulzim Basha dje për t’u informuar mbi qëndrimin e opozitës për çështjen Tahiri, informacionet që ka opozita si dhe aksionin që do të ndërmarrë ajo në vijim mbi këtë çështje.
“Ky është një alarm i madh i kuq i ndezur në çdo kancelari dhe në çdo qendër të partnerëve tanë, të cilët janë krah shqiptarëve dhe me të cilët në krah ne do të vazhdojmë deri në fund betejën, që sapo ka nisur për çmontimin e narkoshtetit dhe kupolës mafioze në pushtet”, u shpreh Basha.
Pas takimit me përfaqësusesit e diplomacisë amerikane dhe europiane, në një prononcim të gjatë për mediat, Basha zbardhi disa nga pikat kryesore të këtij takimi bëri të ditur mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë ndaj drejtësisë shqiptare përsa i përket hetimeve të dosjes Tahiri.
“Kam patur një takim me ambasadorin Lu. Ambasadorët e Bashkimit Europian kanë qenë në një takim tjetër po në të njëjtën godinë. Keqkuptime që kanë ndodhur dhe më parë me atë godinë. Qëndrimi i qeverisë amerikane është i qartë dhe nuk ka nevojë për komentin tim. Ata mbështesin pa rezerva prokurorët dhe gjyqtarët në një hetim të plotë dhe të paanshëm për të zbardhur dhe për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë ata politikanë të përfshirë në krimin e organizuar dhe në trafikun e drogës si dhe dënojnë çdo përpjekje që politikanët të jenë mbi ligjin dhe jashtë ligjit. Pra, që imuniteti parlamentar të përdoret për të mbrojtur politikanët e lidhur me krimin dhe drogën”, u shpreh Basha.
Kreu i PD paralajmëroi në mënyrë të prerë se, pavarësisht përpjekjeve të Ramës dhe manovrave të tij përmes numrave në Parlament, Saimir Tahiri nuk ka për t’i shëptuar drejtësisë.
Ai ngriti shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë mbi shndërrimin e Shqipërisë në prodhuesen dhe trafikuesen kryesore të drogës në Europë.
“Sajmir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Pavarësisht prej mbrojtjes politike që i bëri dje mazhoranca, faktet e dala publikisht dhe faktet e tjera, të cilët disponohen nga organet shqiptare të hetimit, nga Prokuroria shqiptare, por dhe nga partnerët, do të bëjnë të mundur që ai të marrë përgjegjësitë e tij penale para ligjit shqiptar për mbrojtjen dhe ndihmën që i ka dhënë, jo thjesht një bande kriminale, por përpjekjes për ta kthyer Shqipërinë vetëm në katër vite në një bazë të sigurt të krimit të organizuar, në prodhuesin më të madh të kanabisit në Europë dhe eksportuesin e drogave të lehta dhe të forta drejt Europës. Këto janë konstatime të institucioneve perëndimore nuk janë thjesht dhe vetëm konstatime të opozitës, e cila padyshim kanë qenë në ballë të kësaj beteje”, tha kreu i PD.

Bashkëpunim me SHBA dhe BE për çmontimin e krimit në qeveri

Duke e cilësuar çështjen Tahiri si vetëm majën e ajsbergut të zbardhjes së lidhjeve të Ramës me botën e krimit dhe trafikut, Basha tha se opozita dhe PD do të luajë rolin e saj në mbështetje të fortë të zbardhjes së çdo fijeje të krimit të lidhur me Ramën dhe bandën e tij në qeveri.
Ai deklaroi se aksioni opozitar nuk do të ndalet deri në çlirimin e vendit nga krimi dhe droga dhe kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve. Me rëndësi, Basha vuri theksin tek bashkëpunimi i PD me partnerët ndërkombëtarë në shkëputjen e lidhjeve të krimit nga pushteti.
“Saimir Tahiri nuk është fundi, por është fillimi i një procesi të çmontimit të narkoshtetit, të çmontimit të mafias së narkotikës, që ka kapur shtetin. Kjo luftë, e cila sapo ka filluar, nuk do të jetë as e lehtë dhe as e shkurtër. Por Partia Demokratike do të ketë rolin e saj jashtëzakonisht të rëndësisshëm në këtë luftë, në planin e mbështetjes totale ndaj organeve të zbatimit të ligjit, në veçanti ndaj Prokurorisë dhe gjykatave të vendit. Në planin legjislativ për të rrëzuar dhe zhveshur narkoshtetin dhe përfaqësuesit e mafies në nivelin politik nga çdo alibi, me anë të së cilës mbrohen nga ligji siç është imuniteti parlamentar. Dhe po kështu, në planin politik me qëllim që Shqipëria të çlirohet nga krimi, të çlirohet nga droga, të çlirohet nga narkoshteti që ka depërtuar në çdo qelizë. Kjo është një përpjekje, të cilën ne e bëjmë në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me BE dhe SHBA dhe jemi krah për krah me ta”, tha Basha.
Pas mbështetjes së marrë nga partnerët ndërkombëtarë mbi aksionin opozitar me qëllim luftën ndaj krimit e drogës dhe lidhjeve të tyre me kupolën e qeverisë, Basha tha se beteja do të vijojë derisa sa vendit t’i garantohet një qeverisje e pastër nga krimi dhe lidhjet e tij. “Beteja sapo ka nisur dhe jemi shumë të inkurajuar nga mbështetja që i është dhënë dhe do t’i jipet në ditët dhe javët në vazhdim, kësaj beteje jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për integrimin europian të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes çmontimit të narkoshtetit.
Çmontimit në kuptimin ligjor, pra vënien para përgjegjësisë të çdo politikani që ka mbrojtur apo i ka shërbyer trafikut të drogës dhe organizatave kriminale, dhe në kuptimin politik për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri dhe një qeverisje të pastër nga krimi i organizuar dhe nga lidhjet e krimit me narkotrafiqet dhe me mafien, e cila ka diktuar dhe dikton vendimmarrje të turpshme politike, siç ishte ajo e djeshmja e Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin me imunitet parlamentar nga akuzat ligjore të Prokurorisë të bazuara në përgjimet e Antimafias”, tha kreu i PD.

Rama i dëshpëruar, si i mbyturi pas fijes së kashtës

I dëshpëruar si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës. E cilësoi dje reagimin e Ramës pas deklaratave të forta të zv/ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee në lidhje me hetimin e Saimir Tahirit.
Basha tha se, mbrojtja e Ramës ndaj Tahirit është dëshmi e lidhjeve të tij me krimin e organizuar si dhe e faktit se Rama sot po shndërrohet në pengesë të hetimeve dhe nuk po i shërben qëllimisht zgjidhjes së krizës së krijuar, por po e thellon atë.
“Ky është një qëndrim i dëshpëruar i Edi Ramës. Qeveria e SHBA ka folur fare qartë. Unë nuk jam këtu për të interpretuar qëndrimet e tyre. Po ju mund të shikoni mbështetjen e plotë që i është dhënë hetimit, gjykatësve, Prokurorisë dhe dënimit të çdo qëndrimi që mbron përmes imunitetit parlamentar, politikanët e akuzuar për lidhje me krimin.
Qëndrimi i sotëm i Ramës nuk është vetëm një qendrim i dëshpëruar i të mbyturit që kapet pas fijes së kashtës, por po kështu evidenton para shqiptarëve dhe para partnerëve se Rama vazhdon të jetë, siç ka qenë prej fillimit, pjesë e problemit dhe refuzon të bëhet pjesë e zgjidhjes”, tha Basha.
Kreu i PD risolli në vëmendje inkriminimin e pushtetit nga Rama në katër vitet e qeverisjes së tij dhe në vijim, duke përmendur të inkriminuarit në Parlament si ish-deputetët Ndoka, Prenga, kryetarin e Bashkisë, Elvis Rroshi apo Dako etj.
Ai gjithashtu denoncoi lidhjet e shtabeve të Partisë Socialiste me bandat kriminale dhe funksionimin e tyre zinxhir si një rrjet i mirëfilltë kriminal dhe mafioz.
“Është pjesë e problemit, sepse pa lejen e tij, pa miratimin e tij, pa dijeninë e tij, Shqipëria nuk do të mund të shndërrohej në një hambar të drogës në këto katër vjet vetëm përmes Saimir Tahirit. Saimir Tahiri është vetëm një hallkë. Saimir Tahiri, Arben Ndoka, Armando Prenga, Elvis Rroshi, Vangjush Dako, prania e bandave kriminale dhe afërsia e tyre me të gjitha shtabet elektorale të Partisë Socialiste, janë tregues të një projekti politik, nuk janë rastësi. Edi Rama e di fare mirë se është ai përgjegjës para opinionit publik dhe para partnerëve ndërkombëtarë, që në katër vite të shkurtër e ktheu Shqipërinë nga një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit lëviznin lirshëm pa viza në Bashkimin Europian, në një vend që tregohet si strehë e krimit të organizuar, si baza kryesore e prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, dhe si një nga bazat kryesore të eksportit të drogave të forta drejt Europës Perëndimore. Përgjegjësitë e tij janë të qarta në kuptimin politik dhe Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që këto përgjegjësi ai t’i mbajë politikisht, por edhe ligjërisht para drejtësisë”, u shpreh kreu i PD.

Ndryshime ligjore që do çojnë në çmontimin e narko shtetit

PD do të ndërmarrë nisma konkrete edhe ligjore me qëllim vënien në zbatim të një plani konkret që do të çmontojë narko shtetin. Nga ana tjetër, ai iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me projektin për heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve, ndërsa tha se kjo ka qenë një nismë e propozuar prej kohësh nga Partia Demokratike.
“Këto janë qendrime që Partia Demokratike ka 8 vite që i mban në mënyrë të përsëritur dhe në këtë kuptim ne jemi në një rol aktiv. Përveç mbështetjes totale ndaj Prokurorisë, ndaj Gjykatave në hetimin e rastit Tahiri dhe çdo rasti tjetër që pritet të dalë të politikanëve të lartë që i kanë dhënë mbështetje dhe mbrojtje trafikut të drogës, kërkojmë një zgjidhje politike përmes një qeverie antimafia, një qeverie jo të kapur nga mafia dhe interesat mafioze, por edhe përmes ndryshimeve legjislative që do të ndihmojnë çmontimin e narko shtetit dhe kupolës mafioze që ka zaptuar shtetin”, tha Basha.
Në lidhje me marrëdhëniet e PD me jetën parlamentare, Basha deklaroi se nuk mund të jetë normalitet në jetën parlamentare për aq kohë sa vendi të qeveriset dhe të drejtohet nga krimi i veshur me pushtet. Megjithatë, Basha bëri të ditur se opozita do të vijojë fuqishëm betejën e saj në Parlament me të gjitha mjetet, derisa ajo bashkë me qytetarët të marrin një vendim mbi aksionin e mëtejshëm.
“Jetë normale parlamentare, siç e keni parë, nuk ka. Prej ditës së parë të këtij Parlamenti të dalë nga një votë e shtrembëruar përmes milionave të drogës siç evidentohet edhe nga përgjimet e Antimafias italiane, ne kemi shtruar dhe shtrojmë domosdoshmërinë e një zgjidhje politike.
Çfarë ndodh në një vend ku mazhoranca është fiktive, ku Parlamenti është ilegjitim dhe për rrjedhojë edhe qeveria është ilegjitime?! Kjo qeveri nuk është përgjegjëse para shqiptarëve. Kjo qeveri është përgjegjëse para atyre që me paratë e drogës e sollën në pushtet. Pa zgjidhur këtë problem të jashtëzakonshëm politik vendi nuk mund të ecë përpara. Lufta kundër krimit nuk mund të ecë përpara”.
Ndaj paralelisht me mbështetjen që u japim organeve të drejtësië, Prokurorisë, për të çuar deri në fund hetimin dhe për ta vënë Saimir Tahirin para përgjegjësisë penale, të cilës nuk do t’i shpëtojë, detyra jonë është që së bashku me të gjithë faktorët e tjerë shoqërore, me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, me median – një pjesë të së cilës dua ta përgëzoj nga zemra për kurajon e jashtëzakonshme në veçanti dua të përgëzoj nga zemra, gazetarët që janë në vijën e parë të frontit, që nuk kanë asnjë privilegj dhe asnjë joshje nga narkoshteti dhe nga mafia, por kanë vetëm kërcënime të turpshme si ato të djeshmet, pra të gjithë së bashku ne do të mundësojmë që vendi t’i kthehet normalitetit.
Për momentin nuk ka normalitet dhe nuk mund të ketë normalitet as në Parlamentin shqiptar. Por ne do ta vazhdojmë këtë betejë brenda Parlamentit me të gjitha instrumentat e opozitës parlamentare derisa së bashku me qytetarët shqiptarë të marrim një vendim tjetër.

Informacione për politikanë të tjerë të implikuar

PD bashkë me partnerët ndërkombëtarë kanë informacione të mjaftueshme për politikanë të tjerë të veshur me imunitet, të cilët janë pjesë e bandës së krimit në pushtet. Basha tha se, opozita në rakordim me partnerët ndërkombëtarë do të bëjë çdo gjë që Prokuroria të mos bjerë pre e presionve politike dhe të vijojë deri në fund hetimin ndaj Tahirit dhe bandës në pushtet.
“Partia Demokratike dhe unë jemi në një kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë. Edhe opozita, edhe partnerët kanë informacione të besueshme dhe të shumta për rolin e individëve, politikanëve me pushtet në kthimin e Shqipërisë në një bazë të sigurt të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Është detyra jonë si opozitë që në bashkëpunim dhe në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë të bëjmë jo thjeshtë dhe vetëm denoncimin publik të këtyre fakteve, por të sigurohemi që Prokuroria shqiptare dhe gjyqësori shqiptar, këta individë sado të pushtetshëm qofshin, anëtarë të kabinetit, drejtues të lartë të pushtetit, të trajtohen njësoj para ligjit si çdo qytetar shqiptar dhe të marrin para drejtësisë atë që meritojnë.
Asnjë politikan që ka mbrojtur dhe ka përfituar nga ndihma e drejtëpërdrjetë dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë. Kjo është beteja jonë sot që nis me rastin Tahiri, por ky nuk është fundi, por vetëm fillimi i çmontimit të narko-shtetit”, tha Basha.
I pyetur mbi shqetësimet e ndërkombëtarëve, Basha tha:
“Lejomëni t’ju them që Partia Demokratike mbështet fuqimisht zbatimin sa më shpejt të Reformës në Drejtësi, zbatimin e vetingut, ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion, SPAK dhe ka besim të plotë që ky proces do të ndihmojë në çmontimin e mafies dhe narkoshtetit. Natyrisht, mafia dhe narkoshteti kanë interesa të tjera, të zvarritjes dhe mundësisht të kapjes së procesit të Reformës në Drejtësi. Kam besim se në bashkëpunim me partnerët tanë, me SHBA dhe BE, opozita dhe Partia Demokratike do t’ia dalin që institucionet e reja të drejtësisë të jenë një vlerë e shtuar në luftën kundër mafies, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafikut të drogës dhe në çmontimin e narkoshtetit”, tha Basha.

Asnjë mbrojtje çdo politikani që hetohet për krimin dhe drogën, përmes imunitetit

PD dënon me forcë mbrojtjen e çdo politikani që i fshihet drejtësisë përmes imunitetit dhe pengon hetimet mbi lidhjet e tij me krimin e drogën pavarësish provave që disponon organi i akuzës. Basha e cilësoi çështjen Tahiri si rekordin historik të 27 viteve pluralizëm, ku një zyrtar i lartë në postin e ministrit akuzohet me prova se ka lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
“Unë jam këtu për të dhënë qëndrimet e opozitës. Unë e di që gazetaria ka kohë të vështira, ju ftoj edhe ju që të bëheni pjesë e zbulimit të kësaj të vërtete, që ishte edhe një nga thirrjet e bëra sot nga ambasadori Lu dhe dua t’i përsëris mesazhin çdo shqiptari që të lexojë qartë mesazhet e partnerëve tanë, qëndrimet e partnerëve tanë.
Si dhe t’i bëjë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga përpjekjet e dëshpëruara si i mbyturi pas fijes së kashtës, për të keqinterpretuar qëndrimet që janë të qarta. Mbështetje totale për hetimet, mbështetje totale për Prokurorinë, dënim të mbrojtjes së çdo politikani që hetohet për krimin dhe drogën, përmes imunitetit parlamentar. Siç ndodhi dje nga Parlamenti shqiptar, nga mazhoranca shqiptare me një votë të turpshme. Dhe ky është rekordi historik: në 24 vite që prej vitit 1994m ky është rasti i parëm kur një politikan mbrohet nga mazhoranca e tij, ndërkohë që drejtësia ka kërkuar arrestimin për akuzën e bashkëpunimit për trafikun e drogës në një grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv”, tha Basha.
Nga ana tjetër, Basha edhe njëherë jep mbështetjen totale ndaj Prokurorisë në lidhje me rastin Tahiri, ndërsa tha se ky duhet të jetë shembulli i parë i rrugës së funksionimit të drejtësisë shqiptare.
“Unë nuk marr përsipër të komentoj deklaratat dhe qëndrimet. Mund t’ju them vetëm që këto qëndrime janë fare të qarta: Mbështetje totale të hetimit, mbështetje totale prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe një paralajmërim i fortë për mbrojtjen që iu bë në rastin “Tahiri”, duke mos i hequr imunitetin, duke lejuar Saimir Tahirin, të ruajë privilegjet imunitare, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij si një hap i domosdoshëm për procedimin me sukses të kësaj çështje.
Megjithatë, shpreh bindjen time më të thellë se, bazuar mbi fakte dhe prova ligjore, Prokuroria me mbështetje parimore, publike nga opozita dhe nga partnerët ndërkombëatrë do ta finalizojë misionin e saj dhe se, gjyqësori do të bëjë drejtësi në rastin “Tahiri” duke dhënë shembullin e parë dhe jo të fundit, që politikanët e lidhur me krimin e organizuar dhe me trafikun e drogës nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë”, tha kreu i PD.

Artikulli paraprakSHBA dhe BE në kontakte të vazhdueshme me Bashën për krizën
Artikulli tjetërTVSH tek bizneset e vogla, do paguajnë 18 milionë dollarë