Zgjedhjet gjermane 2017, CSU është e pozicionuar mirë

CSU prezantohet si një parti avangarde ndër partitë gjermane. Në disa çështje kjo është e saktë.

Pika e parë, CSU nuk ka probleme me ndërrimin e gjeneratave
Ndryshe nga partitë e tjera popullore në Gjermani – CDU apo SPD – partia bavareze CSU ka një radhë të tërë pasardhësish potencialë të liderit të tanishëm Horst Seehofer: Markus Söder, Alexander Dobrindt, Andreas Scheuer dhe Ilse Aigner. Ata janë relativisht të rinj, duken dinamikë dhe kanë autoritet. Në disa pozicione politike kanë mbledhur përvojë të madhe. Ndërsa nga Horst Seehoferi janë shkolluar për lojërat në politikë. Flitet se ndoshta në verë mund të bëhen ndryshime në kreun e partisë CDU.

Pika e dytë, koha punon për ta
Ekspertët e politikës flasin për një linjë të re të konfliktit: Vendlindja versus globalizimit. I gjithë peizazhi i partive do të ndryshojë, mendojnë ekspertët e Qendrës Shkencore për Studime Sociale në Berlin. CSU është e përgatitur mirë për këtë luftë, sepse në parti ka persona nga të dy skajet. Partia rajonale bavareze thekson gjithmonë afërsinë me vendin e vet dhe popullin. Njëkohësisht pozicionohet dhe orientohet qartë edhe ndaj zhvillimeve botërore. Motoja e CSU mund të quhet si legjendare dhe madje historike: “Laptopi dhe pantallonat e lëkurës”!
Por CSU ka dhe përparësi faktike. Gati në secilin rreth zgjedhor ka ndonjë deputet të afërt me popullin, që në këto kohëra mund të jetë një përparësi shumë e madhe. Këtu njerëzit takohen shpesh edhe nëpër restorante dhe kafene për të biseduar për problemet dhe jo vetëm përmes lidhjes së internetit.

E treta, CSU është ofensive kundër AfD
Ndryshe nga partitë e tjera, CSU ka theksuar me kohë se potenciali i AfD nuk guxon të nënvlerësohet. Viti 2017 mund të sjellë edhe disa ndryshime befasuese dhe para këtij fakti nuk duhet të mbyllen sytë. CSU mendon se duhet të flitet hapur për frikën e njerëzve dhe në këtë mënyrë duhet t’i merren AfD-së argumentet nga dora. CSU mendon se në krahun e djathtë të saj nuk duhet të ketë vend për asnjë parti tjetër. Këtu qëndron edhe esenca e grindjeve mes CDU dhe CSU për kufirin e lartë të refugjatëve që duhet pranuar në Gjermani. Por ende ka shanse të mëdha që të gjendet një marrëveshje edhe për këtë çështje mes partive të Unionit, por edhe për çështjen e sigurisë, ku këto dy parti kanë shumë pika të përbashkëta.

Artikulli paraprakDepartamenti amerikan i Shtetit dënon sulmin në Jeruzalem
Artikulli tjetërEuropa e papërgatitur për sfidat e këtij viti