Zbythja pas paralajmërimeve/ Pakti me Non Gratën, Rama qetëson amerikanët dhe britanikët: Nuk ka pazar me Berishën dhe përfaqësuesit e tij!

Duket se pas zhvillimeve të fundit, sipas të cilave Edi Rama po tenton që të ulë në tryezën e lartë politike Sali Berishën nëpërmjet zëvendësit të tij Gazment Bardhi, ka pasur reagime jo zyrtare nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht SHBA dhe Britania e Madhe.

Burime të Alfapress.al thonë se nëpërmjet kanaleve diplomatike i është kujtuar kryeministrit të Shqipërisë, se qëndrimi ndaj Sali Berishës dhe formacionit të tij politik që u krijua si një betejë anti-nongrata dhe anti- drejtësi, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë.

Gjithashtu shqetësime dhe paralajmërime të forta ka pasur për tentativën, Rama-Berisha, për të bashkuar votat për një ligj që godet Reformën në Drejtësi dhe posaçërisht SPAK dhe GJKKO

Duket se si pasojë e këtyre zhvillimeve të forta, është anuluar tryeza në Kuvend ku ishte parashikuar që marrëveshja, Rama-Berisha, e paketuar gjoja si “rikthim normaliteti” dhe për “dy komisione hetimore”, të anulohet.

Paralelisht Edi Rama ka nxituar që të hedh në platformën X një shënim të gjatë nëpërmjet të cilit i siguron të gjithë, (Ndërkombëtarët), se nuk ka asnjë pazar apo marrëveshje me nongratën Berisha.

Postimi i plotë:

Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize!

Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!

Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston?

Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim.

Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?!

Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë rast nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë.

Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh.

Artikulli paraprak“Të pyeten përmes letërporosive”, dëshmia e 5 shtetasve amerikanë përplas prokurorët e SPAK me avokatët e Mediut
Artikulli tjetër“Jeni tre hapa përpara me spërdredhje”- Marrëveshja PS-Rithemelimi, Alibeaj i përgjigjet Ramës: Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që po bën pazar për Reformën Zgjedhore