Zbulohet skandali/ Noterja e Shullazit dhe ndërtuesi i njohur në Durrës shesin 10 herë një apartament

Një tjetër skandal është zbuluar me shitjen e apartamenteve nga 10 herë. Një qytetar ka denoncuar publikisht ndërtuesin e njohur në Durrës Kujtim Kllogjeri dhe noteren Aida Spahiu. Ai thotë se një apartament në pallat shitet disa here përmes skemes së mashtrimit. Pallati 10 katësh me mbi 40 apartamente ndodhet në “Lagjen 5” të qytetit të Durrësit.
Klodian Kapiti tha për “Panoramën” se biznesmeni ka shitur katër apartamentet në katin e shtatë mbi dhjetë herë. Ai thotë se pasi ka blerë apartamentin, në banesë kanë gjetur persona të tjerë.
“Kemi blere apartamentin dhe gjetëm tjetër familje brenda, e cila gjithashtu është e mashtruar nga bizesmeni. Jemi në konflikt me banorët pasi të gjithë kanë paguar për të njëjtat hyrje, të cilat janë paguar disa herë dhe të gjithë jan me kontrata nga noterja. Këta i kanë shitur nga tre katër herë hyrjet dhe pastaj pronarët përplasen mes tyre”, tha Kapiti.
Bëhet e ditur se, Aida Spahiu është noterja që përpiloi kontratën në rastin e ish-hotel Vollgës mes Emiliano Shullazi dhe Ylvi Beqja dhe u mor në cilësinë e dëshmitares në gjyqin e Shullazit.
Ky nuk është rasti i vetëm! Në Janar BIRN publikoi historine e ngjashme të Hyrije Zhustit që është mashtruar nga ky ndërtues.

Hyrije Zhusti, mësuese e ve dhe nënë e një djali 11-vjeçar pagoi pesë milionë lekë për të blerë një apartament në Lagjen 5 në Durrës, përmes disa kontratave noteriale të nënshkruara nga viti 2012 deri në vitin 2016. Zhusti jetonte me qira në Durrës dhe pas vdekjes së të shoqit në vitin 2010, shiti shtëpinë në Vlorë dhe mori një kredi bankare për të plotësuar vlerën e apartamentit të ri, kredi të cilën duhet ta shlyejë deri në vitin 2025. Gruaja i tha BIRN se, hyri në kontakt me ndërtuesin Kujtim Kllogjeri, pasi i rekomanduan se pallati 12-katësh i tij në lagjen 5 të Durrësit kishte “punime cilësore dhe çmime të leverdisshme”. Por ndërsa po bëhej gati të rregullonte shtëpinë për të banuar në të, dikush tjetër u shfaq me një kontratë të ngjashme në dorë, ndërroi bravën dhe i zuri apartamentin.
Hyrije Zhusti kuptoi se në vend të shtëpisë, kishte blerë me para një konflikt të vazhdueshëm gjyqësor. Prej më shumë se dy vitesh, Zhusti endet nëpër gjykata për të zgjidhur çështjen e pronësisë përballë dy pretenduesve të tjerë që kanë blerë të njëjtin apartament me të. Ajo i tha BIRN se, kjo çështje i ka shkaktuar probleme shëndetësore si dhe borxhe të tjera shtesë, të papërballueshme për xhepin e saj.

“Një herë humba ndjenjat në korridorin e Gjykatës së Apelit”, thotë Zhusti, ndërsa shton se kishte qëndruar katër orë e pavetëdijshme në spital. “Të afërmit e mi nuk ma hapin më telefonin se kanë frikë se u kërkoj para borxh për të vijuar gjyqet”, shtoi ajo. Hyrije Zhusti nuk është e mashtruara e vetme nga ndërtuesit e pallateve, që rrezikon të mbetet e pastrehë, pasi shpenzoi gjithçka kishte.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se dhjetëra qytetarë si ajo ndodhen në procese gjyqësore për apartamentet që rezultojnë të shitura disa herë, ndërkohë që ndërtuesit mashtrues kanë zbrazur llogaritë bankare dhe u kanë shpëtuar ndëshkimeve për pasojat e shkaktuara. Kujtim Kllogjeri, ndërtues i kompanisë “G&Xh” sh.p.k dhe ish-kryebashkiak i Gramshit në vitet ’90 u dënua me 12 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Durrësit për mashtrimin e 39 personave përmes shitjes së shumëfishtë të apartamenteve. Por në vend që të vuante dënimin, Kllogjeri “u zhduk” dhe nuk i dihet vendndodhja prej shkurtit të vitit 2017.

Artikulli paraprakSi u fsheh zbulimi nga skaneri i kokainës kolumbiane për të shpëtuar 180 milionë eurot për llogari të Edi dhe Olsi Ramës!
Artikulli tjetërKush janë 3 shqiptarët që u kapën në Itali me 12 kg kokainë dhe 114 mijëra euro