Vrasja e ish-drejtorit, Prokuroria verifikim bisedave telefonike

Vrasja e ish-drejtorit të Policisë, Artan Cuku ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me autorët. Atentati që iu bë në derë të shtëpisë së tij ka tronditur jo pak opinionin publik, ndërsa policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijon hetimet, duke ngritur disa pista në lidhje me shkaqet e ngjarjes, ku pista kryesore është ajo që lidhet me profesionin e tij dhe ushtrimin e detyrës.
Telefonatat e disa personave të dyshuar si autorë apo urdhërues të vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, janë në proces verifikimi nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se bëhet fjalë për thirrje të kryera mes disa personave, që në kohën e vrasjes kanë qenë jashtë Tiranës. Të dhënat nga antenat celulare tregojne se, ata kanë komunikuar me persona që kanë qenë në rrezen që mbulon antena e zonës, ku u vra 42-vjeçari. Njëri nga atentatorët, sipas dëshmive të dhëna në polici nga administratorja e pallatit ku ndodhi krimi, komunikonte vazhdimisht në pritje të ardhjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.
Grupi hetimor po verifikon edhe komunikimet në dy aparatet telefonike smartphone të gjetura në vendin e ngjarjes, që i përkasin të ndjerit. Këta dy telefonë mësohet se janë pjesë e një grupi prej 13 objektesh, të sekuestruara në vendngjarje. Ata pritet të ekzaminohen nga ekspertët e teknologjisë së informacionit për të parë nëse ka komunikime apo mesazhe kërcënuese, apo komunikime të dyshimta mes Cukut e personave të tjerë.
Hetuesit pritet të kërkojnë edhe tabulatet e komunikimeve telefonike të Cukut. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar krimin si vrasje për shkak të detyrës. Hetimet kanë çuar edhe hapjen e dosjeve të disa grupeve kriminale të goditura nga Policia e Vlorës, në kohën kur Artan Cuku ishte drejtues i saj.
Bëhet e ditur se, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për vrasjen për shkak të detyrës që ka mbajtur ish-drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Cuku. Sipas këtyre burimeve, thuhet se Prokuroria dyshon se ekzekutimi i Artan Cukut është bërë për shkak të përplasjeve që ka pasur me persona të ndryshëm, pjesë e rrjeteve kriminale gjatë kohës që mbante detyrat e ndryshme në polici. Veç kësaj, hetuesit janë përqendruar edhe në pistën e ndonjë përplasje të mundshme që Cuku ka pasur për shkak të konflikteve me kompanitë rivale të ruajtjes së objekteve e bizneseve të ndryshme.
Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria ka dërguar për ekzaminim dy aparatet celulare të Artan Cukut që i janë gjetur pranë vendit të vrasjes, për të parë nëse ka pasur ndonjë telefonatë të dyshimte apo kërcënim të mundshëm me anë të mesazheve. Veç telefonave, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore edhe 13 objekte të ndryshme, mes tyre gëzhojat dhe predhat e plumbit të gjetura pranë vendit të vrasjes.
Artan Cuku u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në hyrje të pallatit ku banonte, ku për pasojë gjeti vdekjen. Në vendin e ngjarjes, policia ka administruar 8 gëzhoja të dy pistoletave të ndryshme, të cilat po ekzaminohen.

Artikulli paraprakRama përgatit lirimin e ish-deputetit Frroku
Artikulli tjetërZenel Hoxha, “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”